Me pjesëmarrjen e 20 ekipeve dhe 114 çiklistëve nga e gjithë Evropa nisi këtë të hënë Turi i 83-të Çiklistik i Shqipërisë. Nga data 18 deri më 22 maj do të zhvillohen 5 etapa, me qëllimin fitimin e fanellës së verdhë, që simbolizon fituesin. Vetë Shqipëria përfaqësohet me 2 ekipe, atë të Tiranës dhe ekipin kombëtar.
“Emocionet janë të papërshkrueshme, sepse të mbash flamurin e kombit dhe të përfaqësosh kombëtaren shqiptare është nder për mua. Çdo person e ka ëndërr të përfaqësojë kombëtaren, sidomos Shqipërinë. Objektivi për mua është fanella jeshile dhe etapat. Në fund edhe për fanellën e verdhë, por të shohim me rradhë,”-u shpreh Olsian Veliaj, çiklist i Shqipërisë.
Në Turin Çiklistik të Shqipërisë, siç është bërë traditë tashmë, dominojnë ekipet e huaja.
“Është hera e parë që garojmë në Shqipëri. Po zbulojmë një vend të ri si ekip. Duam që në fund të dërgojmë çmimin e madh në Rumani. Do përpiqemi të kontrollojmë garën nga etapa e parë, por mbetet për t’u parë se si do të shkojë,”-tha një çiklist rumun.
“Unë jam Blerton Nuha nga qyteti i Ferizajt, Kosova. Pjesëmarrja në Turin Çiklistik të Shqipërisë është privilegj për mua se është garë ndërkombëtare dhe vijnë ekipe nga gjithë Evropa. Është garë e vështirë, me konkurrencë të lartë, por besoj që stërvitja kemi bërë me ekipin do të kemi rezultat shumë të mirë,”-tha çiklisti i Kosovës.
Për federatën shqiptare të çiklizmit organizimi nuk ka qenë i thjeshtë, ndërsa qëllim kryesor kanë rritjen e numrit të të rinjve që merren me këtë sport.
“Falenderoj të gjithë dashamirësit e mëdhenj që sot kanë mbushur bulevardin dhe japin shembuj që njerëzit të ecin sa më shumë me biçikletë sepse është një sport që i zhvillon nga ana fizike, por edhe i mban gjallë,”-deklaroi Skënder Anxhaku, president i FSHÇ.
Për organizimin e turit çiklistik të Shqipërisë do të ketë bllokime rrugësh me intervale të 5 ditët e garave, ndërsa është parashikuar të zgjasë deri të premten me turin që mbyllet në Fier.
Komente










