Të shqetësuar se protestat në Tiranë mund të përdoren si antireklamë për sezonin turistik veror janë shprehur edhe operatorët e sektorit të turizmit në Vlorë. Të mbledhur në një takim ata diskutuan për ecurinë e sezonit pasi gjatë këtyre ditëve janë shtuar telefonatat dhe mesazhet nga klientë të shumtë të cilët kërkojnë informacione mbi situatën.

“Kemi lidhur një kontratë me një grup turk i cili kishte lidhur një kontratë për të prenotuar hotelin nga fillimi i qershorit deri në fund të shtatorit dhe ata kanë filluar të tërhiqen dhe janë dëme kolosale ekonomike. Kam edhe një turist polak që më pyet a kam siguri të vij në Vlorë.”

“Kjo krijon pasiguri në të gjithë turistët që duan të zgjedhin Shqipërinë, sepse ata nuk e dinë se cili është shkaku i protestës, por mendojnë se nuk do jenë të sigurt për të ardhur në muajin korrik.“

Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve të jugut, tha se zhvillimet e protestave duhet të jenë të koordinuara në kohë që të mos cenohet sezoni veror.

“Nuk mund të jemi me frikë se diçka që po ndodh në Tiranë do të na dëmtojë ne këtu.. të protestosh është e drejtë por si në çdo vend të botës duhet të gjejmë kohën dhe momentin se kur duhet të protestojmë dhe të koordinohemi, kjo na bën të dyshojmë se ka influencë të ndryshme”, tha ai.

Bedinaj thekson se operatorët e turizmit janë pro zhvillimit dhe pro investimeve për një turizëm elitar.

“Mesazhi është i qartë, jemi për një Vlorë turistike, zhvillimi dhe të mirëpresim të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri. Për një turizëm elitar”, tha Bedinaj.

Për bizneset e turizmit në Vlorë, Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm sa i takon tregut turistik ndërkombëtarë dhe apelojnë që ky trend pozitiv i viteve të fundit të mos dëmtohet.