Renzo Bossi është ilustrimi italian i shprehjes shqiptare të viteve të fundit: “Tani që mora shkollën e lartë, po bëj edhe të mesmen”. Sepse, nëse i besohet variantit zyrtar të universitetit “Kristal”, se Bossi nisi studimet në vitin akademik 2007-2008, pse ka mbaruar shkollën e mesme në 2009?! Është shembulli se si jepet një copë kartë, kundrejt shpërblimit, për tu veshur i diplomuar, se si mund të bësh shkollë edhe pa qenë asnjë moment shkollar. Si e sheh një italian këtë që po ngjet në Shqipëri, në këtë rast dhe vitet e fundit? E thotë një bloger në numrin e dy ditëve më parë te “La Repubblica”, kur flet për djalin “trupeshk” të Bossit: “Një muaj më parë isha në Tiranë…Hyra në një fakultet ekonomik ku nuk kishte praktikisht gjurmë studentësh. Asnjë leksion nuk po mbahej. Si kompensim ishte ndërtesa, si në hollet e famës të akademisë amerikane, ku nuk mungonin figurat e nobelistëve të ekonomisë”. Pasi merret me shqiptarët, blogeri sjell edhe rastin e bashkëpatriotit të vet italian, profesor Salvatore Messina, i dënuar në Itali për abuzime me fondet e bashkimit Europian, sepse organizoi, sipas gjykatësve, kurse fantazmë për të përfituar financime komunitare për më tepër se 6 milionë euro, dhe që tani ka hapur në Tiranë Universitetin Europian të Turizmit, me seli afër stacionit të Trenit.

Për italianët diplomat e tipit Bossi janë një formë e një turizmi të specializuar. Nëse do seks shkon në Tajlandë, nëse do kurim shkon në Indi, ose Kubë, por nëse do një diplomë Shqipëria është shumë afër, matanë Adritikut. Për të marrë një diplomë që nuk u hyn në punë, sepse shumica e “kioskave me diploma” janë të paakredituara, që do të thotë se cilësia e tyre nuk është certifikuar nga Agjensia e Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe është nën mbikqyrjen direkte të Ministrit të Arsimit
Sipas Agjensisë në gjithë vendin sot ka 39 intitucione të Arsimit të Lartë, por sipas Ministrisë së Arsimit, numri i akredituar i tyre vazhdon të jetë 14, pra 65% e universiteteve private janë ende të paakredituara. Por sipas ligjit të Arsimit të Lartë, miratuar në vitin 2007, çdo institucion i arsimit të lartë apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë. Akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në Republikën e Shqipërisë. Kjo do të thotë se programet e paakredituara, të cilat mund të kenë diplomuar brezin e parë të studentëve, kanë dhënë diploma, të cilat nuk njihen.
Janë siç thuhet me sarkazëm në median italiane këto ditë, “një copë letër”, si ajo që ka emrin e “trupeshkut” Renzo Bossi.

Qeveria është komode me këto kioska, që administrohen nga besnikët dhe pagatorët e saj. Kryeministri Berisha është i lumtur kur cicërin para mediave, me sytë gjysëm të mbyllur e të lëngëzuar, për çdo shqiptar me diplomë, çdo shqiptar me internet, të gjithë të hipnotizuar nga turbo-folku që shpërndajnë çingijet në mitingjet e festive të shumta të PD-së.

Të tjerët me kohë kanë vënë duart në kokë. Dhe duhet të gjejnë së shpejti një zgjidhje: nuk mjafton vetëm largimi i një ministri, apo i një këshilltari. Duhet çmontuar sistemi piramidal, që si 15 vite më parë ka rënë, duke marrë jo vetëm paratë, por shkollimin e një brezi të tërë, turistë diplomash.
(sg/shqiptarja.com)