Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi sot një takim me përfaqësues të bashkisë Lezhë, me operatorë turistikë dhe banorë të njësisë administrative Shëngjin, në një dëgjesë publike për pyetjet dhe shqetësimet e qytetarëve.

Gjatë takimit, ministri Klosi theksoi se është e nevojshme një reformë për investime në turizmin elitar me qëllim që Shqipëria të rrisë kapacitetet turistike dhe të shndërrojë turizmin nga një industri shërbimesh në një industri reale të prodhimi për Shqipërinë.

Ministri Klosi nënvizoi edhe njëherë paketën e re fiskale sipas të cilës hotelet me 4 dhe 5 yje të ndërtuara pas 1 janarit 2018 do të përjashtohen nga taksa për 10 vjet, do të përjashtohen nga taksat e infrastrukturës dhe do të kenë TVSH operacionale 6% me qëllim për të nxitur investime në fushën e turizmit elitar.

Duke u ndalur në problematikat konkrete në bashkinë Lezhë ministri Klosi u shpreh se është e pamundur që bashkia e Lezhës krejt e vetme të pastrojë plazhe të cilat disafishohen gjatë sezonit turistik. Për këtë duhet të ketë edhe mbështetjen e pushtetit qendror që ndotësit e mëdhenj të lumenjve dhe deteve, hotelet e baret të cilat jashtë zonave urbane i derdhin ujërat e ndotura në det apo lumenj të penalizohen dhe të detyrohen të respektojnë ligjin për ngritjen e depuratorëve.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit shtoi se Lezha nuk duhet të ketë vetëm dy plazhe por shumë më shumë nëse do të ketë iniciativa të vërteta dhe logjikë të pastër të zhvillimit të industrisë së turizmit duke theksuar gjithashtu se me një bregdet të zhvilluar, pasuritë natyrorë dhe historie shumë pranë qytetit mund të ofrohen për turistët e huaj paketa turistike jashtë sezonit.

Në përfundim të fjalës së tij ministri Klosi tha se tashmë lufta me statistikat ishte fituar por Shqipëria duhet të ofrojë rregulla të forta dhe kushte të reja për t’u shndërruar në një nga vendet kryesore të turizmit elitar.

Deklarata e plotë e Ministrit Klosi:
Ne duhet të punojmë për të pasur në Shqipëri një turizëm të zhvilluar dhe një mjedis të qëndrueshëm. I them të kombinuara mjedisin me turizmin sepse realisht përpjekja jonë për të rritur dhe transformuar të gjithë industrinë e turizmit nga një industri shërbimesh në një industri reale të prodhimit të parasë për Shqipërinë, nuk mund ta zhvillojmë nëse nuk mund ta bëjmë nëse nuk flasim me detaje për një mjedis të mbrojtur dhe të pastër.

Jemi këtu në një fundsezoni dhe në hapjen e kantierit për sezonin e ardhshëm. Themi që duam të kemi një turizëm të qëndrueshëm dhe duam të kemi një turizëm që prodhon më shumë për ekonominë e vendit dhe në rradhë të parë për mijëra e mijëra familje që jetojnë me turizëm. Dhe për këtë ne duhet të punojmë të gjithë; ne institucionet shtetërore së bashku me aktorët, së bashku me poseduesit e strukturave hoteliere për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm.

 Unë mendoj që është e pamundur që ne të kemi zë kur sezoni të ketë filluar. Zëri ynë duhet të ndihet dhe kontributi duhet të jepet gjatë gjithë periudhës së përgatitjes për sezonin e ardhshëm. Dhe kemi qenë në një takim me kryetarët e bashkive, me prefektët dhe me institucionet tona për të bërë një listë problematikash, për të evidentuar çdo problem që na bën ne që vitin tjetër të presim një numër më të madh turistësh.

Ne duhet të punojmë me të gjithë ju për të evidentuar se çfarë duhet të bëjmë gjatë periudhës së dimrit që vitin e ardhshëm të kemi një turizëm të zhvilluar në një zonë të pastër. Ne do të ndërmarrim një aksion për pastrimin e Shqipërisë i cili nuk mund të jetë i suksesshëm nëse bëhet vetëm për pastrimin e grumbujve të plehrave.

Ai është shumë i rëndësishëm por ama ne duhet të evidentojmë gjithë problematikën që të dimë të rregullojmë dhe të pastrojmë aty ku mundemi të pastrojmë por më shumë se kaq të vendosim rregulla për ta pasur një industri të zhvilluar në zona turistike dhe që e mbron mjedisin.

Çfarë do të bëjmë në bashkinë e Lezhës? Cilat janë problematikat në bashkinë e Lezhës? Për këtë jemi këtu; për të diskutuar me të gjithë ju, së bashku me përfaqësuesit e bashkisë, së bashku me impenjimin e drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë të cilin e përshëndes për ruajtjen e mjedisit dhe për të pasur mundësi të evidentojmë cilat janë problematikat.

Çfarë duhet të bëjmë për të pasur një sezon të pastër? Është e pamundur që bashkia me resurset që ka, me taksat e mbledhura nga banorët e bashkisë Lezhë, të pastrojë plazhe të cilat disafishohen në numër popullsie nga jobanorë të qytetit. Pra duhet të ketë një forcë shtesë për pastrimin e plazheve dhe ambientit, do të duhet të ketë një forcë qeveritare për të pasur mundësinë që ndotësit e mëdhenj të lumenjve dhe deteve, hotelet të cilat sot jashtë zonave urbane i derdhin ujërat e ndotura në det apo lumenj, të penalizohen, t’u kërkohet që të vendosin depuratorëve që ujërat e zeza të mos derdhën as një

lumenj dhe as në det. Ky është një investim që ju kërkon shoqëria për të zhvilluar një turizëm urban të qëndrueshëm. Kryetari i bashkisë tha që keni dy plazhe; Shëngjinin dhe Talen. Unë them që nuk duhet të keni dy, por shumë më shumë sepse gjithë bregdetit kemi një pasuri kombëtare që mund të vihet në shfrytëzim, por kur ne kemi iniciativa të vërteta dhe logjikë të pastër të zhvillimit të industrisë së turizmit.

Flasim për promovim turizimi. A duhet ta promovojmë? Le të themi një moment që kompanitë e kanë shumë të vështirë që të prenotojnë dhomat për vitin tjetër, jo vetëm në Shëngjin, por kështu është edhe në Velipojë, edhe në Durrës edhe në Vlorë edhe në Sarandë.

Çfarë do të bëjmë? Do mbetemi këtu ku jemi dhe do të popullojmë dy- tre plazhe që i kemi të evidentuara apo do të punojmë me një strategji, qeverisje qendrore së bashku me pushtetin lokal si një forcë e vetme për bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë operatorët dhe investitorët në fushën e turizmit për të hapur kapacitete të reja të zhvillimit të turizmit.

Ne kaluam në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit planin e ri urbanistik të bashkisë Lezhë dhe Shkodër, për të dhënë mundësinë që të gjitha plazhet e zonës veriperëndimore të vendit të arrijnë të kenë studime të miratuara që të përcaktojnë qartë cilat janë zonat me zhvillim intensiv turizmi.

 Unë doja që të ndaja këtu me ju reformën e madhe që kemi bërë për shtuar mundësinë e investimeve në fushën e turizmit. Mungesa e kapaciteteve hoteliere, mungesa e shtretërve në plazhet tona klasike na bën që të punojmë të projektojmë dhe tashmë të miratojmë një ligj në parlament që krijon lehtësira fiskale për të gjithë ata që do të investojnë në struktura akomoduese të një niveli elitar.

Për hotelet me 4 dhe 5 yje të ndërtuara pas 1 janarit 2018 dhe për të pasur edhe emra të njohur të hotelerisë në rajonin e Mesdheut do të kemi një sistem fiskal i cili do të përjashtojë nga taksa për 10 vjet, do t’i përjashtojë nga taksat e infrastrukturës dhe do të kemi mundësi që të ofrojmë një TVSH operacionale 6% siç e kanë sot edhe gjithë hotelet e tjera.

Bëjmë një paketë të tillë fiskale sepse duam që edhe në këtë zonë ku kemi shumë kërkesa si Këshill Kombëtar i Rregullimit të Territorit të kemi mundësi të promovojmë dhe të iniciojmë investime të rëndësishme të cilat duhet të afrojnë më shumë turizëm. Ne luftën me statistikat e kemi fituar. Po të shikojmë nga vjet, këtë vit ka 6.7 milionë turistë të hyrë në 10 mujorin e parë të vitit që janë 1.3 milionë më shumë se një vit më pare. Pra këtë shifër ne e kemi fituar dhe më shumë do të vijnë. Por strukturat janë aktualisht të pamundura.

 Ne na duhet të kuptojmë që ka ardhur koha që edhe Shqipëria të futet në rrjetin e turizmit elitar. Zhvillimi që ka marrë kjo zonë është me të mirat e të këqijat e saj një zhvillim intensiv por që nuk ka rregulla. Mungojnë rregullat që ky turizëm të ketë jo vetëm sasi por të ketë edhe cilësi dhe ne për këtë jemi që të kemi cilësi e cila për ministrinë e Turizmit shndërrohet në më shumë para.

 Nëqoftëse duam që të kemi më shumë të ardhura nga turizmi dhe turizmi realisht kthehet në industri dominante për ekonominë e vendit, duhet që të afrojmë kushte më të mira loje dhe rregulla më të qëndrueshme të zhvillimit të turizimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Prandaj kombinimi i këtyre faktorëve do të bëjë të mundur që sezonin tjetër të shkojmë me një turizëm më të zhvilluar.

Ajo që ka ndodhur dhe duhet thënë në fakt është që ky turizëm vazhdon të jetë në një fazë informale por që duhet thënë se është shtuar nga 45 ditëshi klasik i turizmit. Tani kemi prenotime edhe në qershor, por kemi shumë prenotime edhe në shtator. Pra bizneset së bashku me operatorët turistikë kanëarritur që ta zgjerojnë por ne duhet të punojmë për ta promovuar këtë turizëm jashtë sezonit.

Dhe në një bashki si Lezha, në një bashki si Shkodra, në një bregdet kaq të zhvilluar, kaq pranë edhe zonave historike edhe zonave me bukuri natyrore, ku Alpet janë një nga bukuritë më të mëdha të vendit tonë, ne duhet të punojmë shumë më tepër, strukturat tona të turizmit duhet të punojnë shumë herë më tepër me operatorët turistikë për të afruar paketa turistike jashtë sezonit.

Ne na duhet të kuptojmë çfarë afron zona dhe prandaj Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka detyrë që së bashku me strukturat, federatat e ndryshme të zhvilluara të sporteve të aventurës dhe me pushtetin lokal të shtojnë produktin turistik.

Jemi këtu sot për të përcaktuar qartazi tre gjëra: e para, çfarë duhet të bëjmë gjatë dimrit që të presim një sezon turistik të zhvilluar. E dyta çfarë duhet të bëjë pushteti qendror, pushteti lokal, që të nxisim shumë investime me kapacitete të mëdhaja të cilat me lehtësirat fiskale të miratuara nga qeveria dhe parlamenti shqiptar të kenë mundësinë që të disafishojnë shtretërit e kësaj zone për të afruar më shumë turizëm por edhe të rrisin cilësinë që ofrojnë. Dhe e treta çfarë do të bëjmë të gjithë së bashku për të shtuar paketën turistike jashtë sezonit.

Këto janë problematika të cilat na shqetësojnë. Ne si institucion qendror i zhvillimit të turizmit kemi mirëkuptim të shkëlqyer me pushtetin lokal pasi është e qartë që kjo nuk është një përpjekje politike, kjo është një përpjekje që ka të bëjë me zhvillimin e vendit dhe me një vend që realisht kërkon që të prodhojë para nëpërmjet kësaj industrie të madhe që është turizmi dhe jemi këtu së bashku për të gjetur këtë pjesë të harmonizuar të bashkërendimit me shoqatat që zhvillojnë turizmin dhe që ofrojnë kapacitete turistike.

 Jemi këtu dhe do të jemi çdo ditë, do të dëgjojmë çdo shqetësim çdo koment, çdo propozim, çdo ide që si mundet që turizmi i vitit të ardhshëm të jetë më shumë sesa këtë vit, më i larmishëm se këtë vit, të jetë edhe më i mbrojtur në shumë pikëpamje, por në radhë të parë për të pasur një mjedis të qëndrueshëm. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë bisedë kudo nëpër Shqipëri dhe do të donim shumë që të ishim kreativë në këtë drejtim, të marrim edhe mendime se ku e kemi të gjithë problematikën.

 Nuk është e thënë që do të zgjidhim të gjitha problematikat pasi disa janë edhe të pamundura por ama një pjesë të madhe të tyre dhe ato që kanë të bëjnë me burokracitë, ato që kanë të bëjnë me mosveprimin e adminstratës, ato që kanë të bëjnë me idenë se kjo punë nuk bëhet, ne t’i zgjidhim. Është një mundësi që të kuptojmë se ku i kemi problemet, të kuptojmë se ku jemi dhe çfarë do të bëjmë.

Me pak përpjekje kjo zonë e mrekullueshme e Shqipërisë, me një koncept tjetër të turizmit elitar, mund të bëhet një nga prodhuesit më të mëdhenj të të ardhurave të turizmit shqiptar. I ka të gjitha shanset. Ka kërkesa sot nga investitorë të fuqishëm që duan të disafishojnë kapacitetet e hotelerisë, dhe kjo është përpjekja jonë që po bëjmë së bashku me pushtetin lokal së bashku me aktorët dhe faktorët që Shqipëria të hyjë në trendet e turizmit rajonal.

 I kemi të gjitha kushtet nëse mendojmë të gjithë së bashku. Nëse arrijmë të gjejmë këtë aleancë tek njerëzit i kemi të gjitha shanset që të mirat materiale nga zhvillimi i turizmit të bëhet realisht i jetuar, i realizuar dhe njerëzit të ndihen shumë herë më mirë në çdo pikëpamje por në fund të fundit nga ekonomia.

Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com