TIRANË - Përfaqësuesit e bizneseve turistike në vend nuk u morën parasysh nga qeveria për t'iu ulur atyre TVSH-në e shërbimit hotelier në nivelin 10% nga 20 që është aktualisht.
 
Shoqata Shqiptare e Turizmit nëpërmjet përfaqësuesve të saj deklaroi sot se sektori turistik shqiptar ka aktualisht taksat më të larta në rajon dhe për pasojë edhe çmimet janë jo konkurruese me vendet e tjera.
 
"Me nivel të tillë taksash që sipas paketës së re fiskale jo vetëm që nuk e lehtësojnë barrën për industrinë turistike, por e rëndojnë dhe më tepër me rritjen e tatimit të fitimit në masën 50% për bizneset e rregullta dhe të deklaruara nuk mund të luftohet informaliteti. Uljen e TVSh-së për operatorët turistikë si prioritete nga më të artikuluarat nga qeveria dhe objektiv në programin e saj”, u shpreh Matilda Naçi, drejtore ekzekutive e ATA-s, shoqatës së operatorëve turistikë.

Prej dy vjetësh operatorët turistikë kanë lobuar pranë qeverive shqiptare për të rishikuar disa prej taksave të turizmit, por edhe për të luftuar konkurrencën e pandershme.

“Turizmi duhet stimuluar, sepse është eksport dhe për të mos e bërë zero e kanë bërë taksën 5, 7 apo 10%. Nuk kërkojmë uljen e TVSH sic kerkohet per buken, ilacet. Kjo eshte takse e pamerituar, e cila nga zero behet 20%. Siç e ka eksporti TVSH zero, keshtu duihet ta kete dhe hoteli, se eshte eksport, u shpreh Zak Topuzi.
 
“Kemi qenë në pritshmëri pozitive, gjë që ka qenë në programin e qeverisë së re apo lobuesve, që prisnin që taksa të reduktohej”, u shpreh Enver Mehmeti, përfaqësues i operatorëve turistikë.

Gjatë muajit dhjetor 2013, kur u diskutua buxheti dhe paketa fiskale e këtij viti, kërkesa e operatorëve turistikë për rishikimin e TVSh-së nuk m’u mor parasysh nga qeveria.
 
Aktualisht turizmi konsiderohet si një prej sektorëve më prioritarë të ekonomisë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)