/ATSH/- Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë së Elbasanit, Ardjan Turku, zhvilloi një takim me banorët e lagjes "Vullnetari" të këtij qyteti, bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp, PD.
Duke iu drejtuar banorëve kandidati Ardjan Turku, tha se është në dijeni të problemeve tepër të mëdha të këtyre banorëve, të cilët janë hequr nga ndihma ekonomike dhe janë braktisur nga shteti, duke premtuar ndërhyrje për përmirësimin e situatës.
"Vitin e kaluar, nga 4200 familje në ndihmë ekonomike që ka pasur Elbasani, 2000 u shkurtuan menjëherë dhe besoj ka edhe nga ju që jeni këtu që keni dalë jashtë skemës së ndihmës ekonomike. Ishin 7000 familje në Elbasan, në kohën kur unë kam qenë kryetar bashkie me ndihmë ekonomike. Tashmë kanë zbritur në 2200?, tha Turku, duke kërkuar votën e qytetarëve për zgjedhjet e 21 qershorit në mbështetje të kandidatëve të djathtë.
Më pas, kandidati Ardjan Turku është ndalur në një takim me të rinj në fshatin Kuqan dhe me banorë të kësaj zone. Në këtë takim edhe njëherë Ardjan Turku bëri thirrje për një reagim të fortë me votë në zgjedhjet e 21 qershorit, pasi situata e rëndë ekonomike dhe sociale, ka përfshirë jo vetëm familjet e djathta por edhe ato të majta.
"Na ndihmoni në 21 qershor t'i japim një goditje që t'i trembim, atë lakun që po na e shtrëngojnë, ta lirojmë, të marrim pak frymë dhe ta lirojmë edhe për të majtët edhe për të djathtët. Jo për të mos zbatuar ligjin, por të mos i frikësojmë njerëzit me gjëra, që edhe gjithë bota i ka çështje administrative, çështje civile, kurse këto i kanë bërë të gjitha çështje penale dhe të bien policinë tek dera", tha Turku