Nga sheshi “Liria”, ku prej muajsh banorët e zonës historike të Durrësit protestojnë kundër projektit TID, debati u zhvendos këtë herë brenda sallës së Këshillit Bashkiak.
Ndërsa mbledhja vijonte sipas rendit të ditës, nga jashtë dëgjoheshin qartë thirrjet me megafon të protestuesve që kërkojnë anulimin e projektit. Shtatë pikat e para të rendit u miratuan pa kundërshti nga këshilltarët e mazhorancës dhe opozitës, ndërsa më pas diskutimi u përqendrua tërësisht tek projekti TID.
Këshilltarët Ardian Muka dhe Anisa Ibraj kërkuan sqarime nga bashkia për mënyrën se si janë zhvilluar dëgjesat publike, si janë përllogaritur shpronësimet dhe cilat janë bazat ligjore të projektit. Pyetje në emër të banorëve adresoi edhe arkitektja Entela Koja, përfaqësuese e tyre në këtë proces.
Në përgjigje, nënkryetari i bashkisë Elio Jani shpjegoi metodologjinë e llogaritjes së vlerës së shpronësimeve, ndërsa drejtoresha juridike Alneida Rroshi dha sqarime mbi aspektet ligjore. Megjithatë, përgjigjet nuk e bindën arkitekten Koja, e cila reagoi menjëherë, duke nxitur një debat të shkurtër me këshilltaren Eda Harizi. Kjo e fundit, për shkak të mbërritjes me vonesë, nuk kishte pasur mundësi të parashtronte pyetje gjatë mbledhjes.
Në përfundim, dalja e këshilltarëve të majtë nga ambientet e bashkisë u shoqërua me thirrjet “Turp!” dhe “Hajdutë!” nga protestuesit e mbledhur jashtë.
'I kërkojmë kryetares së bashkisë që të ndali projektin dhe ta rishikojë, ne nuk kemi kundërshtim që të mos bëhet por të bëhet duke pyetur qytetarët. Nuk është e lehtë që të shembësh të gjithë shtëpitë e Durrësit të vjetër, duhet ta shohin dhe njëherë projektin. I them atyre të këshillit bashkiak që kanë ngritur kartonin, sa nga ju kanë lindur në Durrës? Jeni të ardhur dhe po nxirrni durrsakët, turp të keni', tha një banore.
Për banorët e prekur nga projekti TID, protesta mbetet mjeti i vetëm për të kundërshtuar shembjen e banesave dhe bizneseve të tyre. Përballë zërit të tyre, institucionet vendore e qendrore vijojnë të ruajnë heshtjen.
Komente










