Deputetët e PS janë pritur me protestë jashtë Parlamentit, ku qytetarë kundër projektligjit për Barazinë Gjinore kanë bërtitur “turp kombëtar” drejtuar socialistëve.

Protestuesit kanë qëndruar jashtë ambienteve të Parlamentit gjatë ditës së sotme, ndërsa Parlamenti miratoi pak momente më parë projektligjin me 77 vota pro.

Sakaq, kreu i PD Sali Berisha i shoqëruar nga deputetët demokratë u është afruar protestuesve pas seancës plenare duke komunikuar me ta.

"Është akti në të cilin fëmijët i merren familjes dhe u jepen edukimit shtetëror sipas moralit të shumë gjinive e të tjerë e të tjerë. Unë jua thashë dhe këtu, që tani fjalën do ta kenë qytetarët. Dhe ne nuk do të pajtohemi kurrë gjersa në Shqipëri, siç është në 21 vende anëtare të Bashkimit Europian. Janë 21 vende anëtare të Bashkimit Europian që kanë refuzuar dhe nuk kanë këtë ligj. Kanë sistemin që kemi ne sot. 21 vende.  Pesë vende, Shqipëria sot bëhet e gjashta, e kanë këtë, këtë ligj. Ne do rrinim me shumicën e tyre. Por Edi Rama i bën të gjitha këto për të mbijetuar, ne do bëjmë gjithçka që ai t'i ketë ditët e shkurtra, ju e thatë, parlamenti është parlament jo legjitim, i dalë mbi rrëmbimin e votës, krimin dhe faktorë të tjerë.  Ka disa ditë që ne po projektojmë të ndërmarrim protesta dhe ato protesta do kenë vetëm një vend, para kryeministrisë. Tani ai ka dalë i qartë, me tunele, Llogara, Belinda është masha e tij, ajo ka firmos sepse i ka thënë o bëj këtë o të... dhe të gjitha këto duhet t'i marrim me vendosmëri.  Se ne kemi të drejtë",- tha Berisha.

Vetë Berisha e ka kundërshtuar ashpër projektligjin, duke e cilësuar si hapje të rrugës për instalimin e një ideologjie të rrezikshme.


Lajmi kryesor:

Miratohet me 77 vota pro projektligji për barazinë gjinore! Berisha sulmon Gonzaton: S'mund të na imponojë bindjet e veta! Deputetët e PS priten jashtë me protesta