Partizani u turpërua nga Egnatia për javën e dhjetë në Superligë. Këtë të diel rrogozhinasit fituan 3-0 në shtëpi, duke bërë që "Demave" t'u dridhet vendi i parë në klasifikim. Pas ndeshjes, trajneri i Partizanit ishte i ashpër me ekipin që drejton. Italiani Giovanni Colella ka kritika edhe për veten, duke thënë se në këtë gjendje që janë duhet ta qepin gojën dhe të shkojnë në shtëpi, përfshirë edhe atë.
"Mendoj që kjo humbje do të na shërbejë shumë. Kemi marrë shumë komplimente gjatë ditëve të fundit, që po udhëheqim, jemi të sigurtë. Ndaj mendoj se do të na bëjë shumë mirë. Edhe për mua, edhe unë kam pasur shumë komplimente. Edhe për mua kjo humbje do të më shërbejë shumë.
Oshilacionet? Sigurisht që sot ka qenë një humbje shumë e shëmtuar. Përgjegjësia është e gjitha e imja. Shthurja totale? Jam dakord me faktin që Egnatia është një skuadër mjaft e mirë. E kam thënë edhe në përfundim të fazës së parë. Ashtu si e kemi interpretuar ndeshjen ne, sot nuk ka asgjë për të komentuar. Nuk ka të bëjë fare me dëmtimet e shpejta të Da Silvës dhe Massanga. Ne duhet të bënim lojën tonë, të ishim një skuadër. Duhet t’i lëmë mënjanë të gjitha, dëmtimet, zëvendësimet, gjykimin. Kur zhvillon ndeshje të tilla, duhet të mbyllesh gojën dhe të ikësh në shtëpi, pavarësisht se unë jam këtu. Kjo ndeshje ishte meritë e Egnatias që zhvilloi një 90 minutësh mjaft të mirë", tha fillimisht italiani.
Colella u ndal edhe te koha e shkurtër mes ndeshjeve, që sipas tij ndikon në formën fizike dhe përgatitjen e skuadrës.
"Sa i përket aspektit fizik nuk mund të punosh shumë sepse kemi pak kohë në dispozicion. Kush ka luajtur futboll, e di mirë. Problemi më i madh yni është përqëndrimi në fushë. Ky mendoj se është problemi kryesor", tha Colella.
Komente












