Publikimi i videove intime të artisteve të njohura me kompozitorin Adi Hila nga gazetari Elton Tozaj ka nxitur një valë reagimesh në rrjetet sociale, në mbrojtje të tyre dhe sensibilizimit të shoqërisë.
Një faqe e quajtur ‘Antifa feministe’ ka shpërndarë disa foto të shkrimeve të ndryshme në mure ku thuhet: “Turpi dhe morali, shpikje patriarkale”, “Gratë e mira bëjnë seks” dhe një frazë që i është shtuar shprehjes që protestuesit përsërisin prej më shumë se 3 muajsh: “Rama n’burg, Berisha n’burg, Adi Hila n’burg.”
Kompozitori Adi Hila është vënë nën hetim për regjistrimin e videove pa dijeninë e artisteve, sipas asaj që ato kanë deklaruar.
Në një postim të gjatë, ‘Antifa feministe’ shkruan se thelbi i problemit është dhunimi i privatësisë dhe dinjitetit të artisteve, të cilat janë filmuar pa dijeninë e tyre.
“Është tej mase shqetësuese, por fatkeqësisht një simptomë në shoqërinë tonë, fakti që raportimi dhe fokusi mediatik, perceptimi si dhe diskutimi publik po përqëndrohen te ekzistenca e videove dhe përmbajtja e tyre, duke e trajtuar si një tjetër skandal rozë dhe duke zhvendosur vëmendjen nga thelbi i vërtetë i problemit: fakti që dhjetëra gra dhe vajza janë viktima të dhunimit të privatësisë dhe dinjitetit të tyre”, shkruhet në postim.
Më tej shkruhet se barra e turpërimit publik dhe paragjykimeve u ngarkohet vetëm këtyre grave, ndërsa vijon zinxhiri i shpërndarjes së pamjeve.
“Gratë e përfshira detyrohen të mbajnë barrën e turpit shoqëror, ndërkohë që traumatizohen në mënyrë të vazhdueshme nga shpërndarja e imazheve dhe paragjykimet e ashpra të shoqërisë.”
Rasti nuk mbetet i izoluar sepse ngjarja është një traumë e përbashkët e vajzave dhe grave që kanë përjetuar të njëjtën gjë.
“Prapa këtyre lajmeve që trajtohen si thashetheme shoëbiz-i, fshihet trauma e dhjetëra vajzave dhe grave që u është dhunuar hapësira më intime pa dijeninë e tyre, ne shtëpi, në punë dhe në shoqëri”, vijon postimi.
Në fund, thirrja kryesore mbetet për sensibilizimin e shoqërisë dhe ofrimin e empatisë e sigurisë ndaj grave e vajzave.









Komente
Komento