/ATSH-AFP/ - Autoritetet e entitetit turk të Qipros shpëtuan sot rreth 250 imigrantë sirianë që ndodheshin në bordin e një anijeje në vështirësi në brigjet e Kyrenias, në Mesdhe, njoftoi shtypi turk.

"Të vendosur në një anije peshkimi të Tanzanisë, pasagjerët, prej të cilëve shumë gra dhe fëmijë, kanë mundur të shpëtohen pas disa orëve punë pavarësisht kushteve të këqija të motit dhe një deti me dallgë", theksoi e përditshmja Hurriyet.

"Pasagjerët dhe kapiteni lëshuan një sinjal rreziku rreth 300 metra nga brigjet e Republikës turke të Qipros së Veriut", shtoi e përditshmja.

Sipas Komisaritit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët më shumë se 2 500 persona janë mbytur dhe rezultojnë të zhdukur që prej fillimit të vitit 2014 në përpjekje për të kaluar Mesdheun.