Të paktën 981 gazetarë janë pushuar nga puna në Turqi gjatë gjysmës së parë të vitit 2014, sipas një studimi të cilit i referohet e përditshmja opozitare "Bogun". Sipas autorit të këtij studimi, deputetit të pavarur, Idris Bal, i dalë nga partia islamike AKP e presidentit Recep Tayyip Erdogan në fund të vitit 2013, presionet e pushtetit mbi median u shtuan pas shpërthimit të aferave korruptive për ndërtimin e një tjetër ure mbi Bosfor, dhjetorin e kaluar, që përfshinin dhjetëra zyrtarë të rëndësishëm të pushtetit. Gjendja e vështirë e medias në Turqi është dënuar shpesh nga organizatat ndërkombëtare të gazetarëve. "Freedom House" ka ulur në klasifikim Turqinë nga vend "pjesërisht i lirë" në "jo të lirë" përsa i përket lirisë së shtypit./ATSH/
/Shqiptarja.com












