TURQI - Në Turqi, një burrë i quajtur Mehmet Ali Gökçeo në vend të gardhit rreth e qark vilës së tij, ka vendosur nje akuarium me peshq të vërtetë. Ai është një afarist turk, i cili e kishte pasur gjithmonë këtë ide në mendje, por arriti ta realizonte vetëm pasi i ishte krijuar mundësia financiare. 

Kështu, 8 vite më parë ai kishte hequr gardhin ekzistues duke e zëvendësuar atë me një akuarium gjigand, siç e shohim në këtë video amatore.  Që nga realizimi i këtij gardhi akuarium, vila e afaristit, është kthyer në një tërheqje turistike, duke pasur 100 vizitorë çdo ditë, të cilët admirojnë qindra peshq brenda një akuariumi te pazakontë. Për të parandaluar ndonjë dëm të tij, pronari i vilës, ka vendosur edhe disa kamera sigurie në çdo pjesë të tij.

Realizimi i këtij akuariumi, ka kushtuar rreth 16.000 euro dhe pjesa më e vështirë e këtij realizimi ishte lidhja e sistemit të filtrimit dhe të qarkullimit të ujit, por për afaristin shpenzimi ia vlen duke parë interesin dhe kuriozitetin e turistëve. 


(v.gj/shqiptarja.com)