Presidenti islamiko-konservator turk, Recep Tayyip Erdogan dënoi sot fjalët e papa Françeskut, i cili foli të dielën për gjenocidin kundër armenëve të kryer nga Perandoria Otomane, në vitin 1915, dhe duke i cituar ato si "delir".
"Nëse politikanët apo fetarët bëjnë punën e historianit, atëherë kjo nuk do na çojë në realitet, këto do të jenë vetëm delire", tha Erdogan në një fjalim para biznesmenëve në Ankara.
Ky është reagimi parë i presidentit turk ndaj Papës që shkaktoi një krizë të madhe mes Ankarasë dhe Vatikanit.
Presidenti turk tha gjithashtu se ndihet i tmerruar nga deklaratat e Papës dhe i kërkoi atij të mos i përsërisë këto gabime.
"Historinë duhet t'ua lemë historianëve", shtoi Erdogan, i cili ka ritheksuar propozimin e tij ndaj Armenisë për krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh për studimin e arkivave të dy vendeve mbi këtë çeshtje.
Turqia mohon kategorikisht që Perandoria Otomane të ketë organizuar masakër sistematike ndaj popullsisë armene gjatë Luftës së Parë Botërore./ atsh/