ANKARA- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan përuroi sot me rastin e 91-vjetorit të themelimit të Republikës, pallatin e ri, gjigant dhe shumë të kundërshtuar presidencial në periferi të Ankarasë.
Edhe pse pritja e parashikuar në fund të ditës u anulua për shkak të një incidenti të ndodhur dje në një minierë në jug të vendit, Erdogan priti të ftuarit e parë në Pallatin madhështor të Bardhë, riquajtur në mënyrë ironike "Shtëpia e Bardhë" nga kritikë të shumtë.
Me një sipërfaqe prej 200 000 metra katrorë, pallati i ri është ndërtuar në periferi të kryeqytetit Ankara në një terren që presidenti i parë dhe themeluesi i Republikës, Mustafa Kemal Ataturk e kishte blerë për të ndërtuar një fermë.
Ndërtimi i kësaj ndërtese me arkitekturë neoselxhuke (dinastia e parë turke që ka mbretëruar në Azinë e vogël nga shekulli XI deri në shekullin XIII), do të kushtojë, sipas shtypit turk, rreth 350 milionë dollarë.
Punimet e tij, mes një zone pyjore, kanë ngjallur tashmë kundërshtimin ambientalistëve, edhe pse kanë përfunduar me një ritëm të shpejtë pavarësisht një vendimi gjyqësor që kërkonte ndërprerjen e punimeve.
Një deputet i partisë kryesore të opozitës, Partia Republikane e Popullit e gjykoi ndërtesën ekstravagante.
"Çdo të kishim bërë me këto para? Për shembull do të dërgonim tre satelitë drejt planetit Mars", është shprehur Umut Oran duke konfirmuar se buxheti i presidencës turke ishte tre herë më i lartë se ai i familjes mbretërore britanike./ATSH/.










