Përmbysja e Bashar al-Assadit në Siri ka çuar në një ballafaqim mes Turqisë dhe Izraelit, ndërsa të dy vendet kanë dislokuar trupa në atë vend. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones nga Stambolli, analistët paralajmërojnë për një përshkallëzim të ri mes Turqisë dhe Izraelit pas marrëdhënieve të tensionuara për shkak të luftës në Gazë.
Turqia dhe Izraeli kanë dislokuar trupa ushtarake në Siri pas përmbysjes së Bashar al-Assadit. Analistët paralajmërojnë për rritje të rrezikut të një konfrontimi të ri rajonal pas marrëdhënieve të tensionuara lidhur me luftën në Gazë.
Zëri i Amerikës bisedoi analisten Gallia Lindenstrauss e cila punon në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.
“Në thelb, Turqia është një fqinj me Izraelin në veri, çka nuk ka ekzistuar më parë. Izraeli druhet se Siria do të shfrytëzohet përsëri për transferimin e armëve nga Irani. Kështu që Izraelit i duhet të ketë forca në Siri ndaj prania e forcave turke në Sirinë jugore do të krijojë një problem për Izraelin dhe rrezik për konfrontim”.
Një raport i qeverisë izraelite paralajmëron për këtë rrezik. Mbështetja publike e kryediplomatit izraelit, Gideon Saar, për kurdët sirianë, të cilët Ankaraja i cilëson terroristë, i ndezi edhe më tej tensionet. Udhëheqësit izraelitë dhe turq pretendojnë për lidhje të ngushta me Presidentin e zgjedhur Donald Trump. Analistët thonë se kjo do të përbënte një zgjidhje të vështirë për presidentin e ardhshëm. Asli Aydintasbas është me Institutin Brookings me seli në kryeqytetin amerikan.
“Përbërja e kabinetit të zotit Trump ka një prirje pro-Izraelit dhe Netanyahut. Marrëdhëniet e dobëta mes Turqisë dhe Izraelit do të jenë problematike, kryesisht në Kongresin amerikan. Po të lësh mënjanë kabinetin e zotit Trump dhe burokratët që ka zgjedhur, ky grup në thelb beson se Turqia ka rol kyç në rajon”.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kërkon të luajë rol në ndërmjetësimin e një armëpushimi në Gazë.
Ndërsa Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka kërkuar me forcë lirimin e pengjeve nga Hamasi përpara fillimit të mandatit më 20 janar, dhe përparime për dhënien fund të luftës, kjo përbën një mundësi për Presidentin Erdogan për të forcuar lidhjet e tij me presidentin e ri amerikan.
Atilla Yesilada është analist për Turqinë me organizatën “GlobalSource Partners”.
“Duke supozuar se Izraeli ka fituar pjesën më të madhe të asaj që donte në Gazë, Erdogan-i në të vërtetë nuk ka shumë arsye për të sulmuar Izraelin çdo ditë, çka do të hiqte pengesën më të rëndësishme për marrëdhënie më të mira turko-amerikane”.
Një katalizator i mëtejshëm për uljen e tensioneve do të ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Shumë presin që zoti Trump të rifillojë një përpjekje për këtë.
“Nëse Trumpi arrin një marrëveshje normalizimi mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, rrjedhimisht do të ketë një efekt pozitiv tek marrëdhëniet izraelito-turke. Sepse marrëveshja e normalizimit mes Izraelit dhe Arabisë Saudite do të ketë një komponent palestinez dhe kjo do të qetësonte disa nga tensionet mes Izraelit dhe Turqisë për çështjen palestineze”, thotë analistja Gallia Lindenstrauss me Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.
Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë përpara luftës në Gazë kishin filluar të përmirësoheshin. Por pas rënies së Assadit, ushtritë e dy fuqive rajonale po përballen në Siri mes kërcënimeve të një përshkallëzimi të mëtejshëm të tensioneve./ VOA