ANKARA, 8 korrik /ATSH-AFP/ - Turqia i kërkoi sot Izraelit të ndërpresë menjëherë sulmet kundër Rripit të Gazës pas një bombardimi të përgjakshëm në enklavën palestineze.
"Ne i kërkojmë Izraelit të ndërpresë menjëherë sulmet kundër Gazës", nënvizoi në një komunikatë Ministria turke e Punëve të Jashtme.
Ministria i kërkoi komunitetit ndërkombëtar dhe veçanërisht Kombeve të bashkuara të reagojnë dhe të paralajmërojnë shtetin hebre me qëllim që ai të braktisë politikën e dënimit kolektiv.
Të paktën 14 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas një sërë sulmesh, më të dhunshmet që prej muajit nëntor të vitit 2012.
Izraeli njoftoi fillimin e operacionit "Protective Edge", një fushatë ushtarake që parashikon neutralizimin e hedhjes së raketave palestineze në jug të Izraelit dhe shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake të Hamasit.
Ministria turke e Punëve të Jashtme u kërkoi palëve përkatëse të nxirrnin mësime nga e kaluara dhe të silleshin me vetëpërmbajtje dhe qetësi për të mos përshkallëzuar dhunën./
/ec/