Hafiz Ali Korça është ndër ata të paktë rilindas që gjithë jetën e tij të gjatë e kaloi në Shqiperi, ndër të rrallët që mbijetuan edhe pas vendosjes së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, duke parë me sytë e tij shkatërrimin e njeriut, fesë dhe kombit, varfërimin ekonomik të vendit dhe ankandin e idealeve të shqiptarizmës në mënyra çnjerëzore siç ai vetë e kishte paralajmeruar në veprën "Bolshevizma, shkatërrimi i njerëzimit".
Ai konsiderohet si ndër të parët mbledhës e komandant i cetave te Rilindjes, atdhetar idealist, dishepull i Naim Frashërit, ndër themeluesit e shkollës, arsimit dhe alfabetit shqiptar, poet, filolog e poliglot, teolog i spikatur, orientalist, përkthyes, klerik, mësues, metodist, publicist, folklorist, politikan e shtetar.
Vuajtjet dhe përndjekjet e shqiptarëve gjatë një shekulli mund të sintetizohen fare mirë në jetën e tij të shpërndarë në shumë vise të Shqipërisë.
Hafiz Ali Korça ka lindur në qytetin e Korçës më 5 prill 1873 dhe referuar fakteve të kohës, duket se titullin "Hafiz" e ka marre në moshë shumë të re.
Nipi i tij, Aliu, tregon për “Dosjen K”:
“Gjyshi u lind në një familje intelektuale në Korçë. si nga nëna edhe nga i ati kanë qenë hoxhallarë kadilerë brez pas brezi dhe fillimet e para, shkollën, e mori në Korçë, pastaj i vazhdoi në Turqi. Ka qenë, siç thonë, tepër, me një vështrim tepër zhbirilues, tepër inteligjent, edhe thonë që Kuranin e mësoi përmendësh që 12 vjeç”, thotë ai.
Mësimet e para dhe të mesme i mori në qytetin e lindjes dhe studimet e larta i kreu në Stamboll për teologji në një kohë që përkon me rritjen e lëvizjes kombëtare.
Studiuesi dhe botuesi i veprës së Hafiz Ali Korçës, Ermal Bega thotë se “periudha në të cilën Hafiz Aliu, studioi dhe jetoi në Stamboll gjatë kohës së studimeve të tij, e bëri të njihet edhe me gjuhë të ndryshme të botës, të Lindjes dhe të Perëndimit, ku mësoi përveç gjuhës osmane, ai mësoi edhe gjuhën arabe i bazë e qytetërimit islam. Pastaj mësoi edhe gjuhën perse si gjuhë të letërsisë botërore të kohës dhe gjithashtu mësoi edhe frëngjisht, edhe krahas asaj edhe gjuhë të tjera si italishten. Do të thotë, ka folur mbi 7 gjuhë të ndryshme”.
Siç dëshmojnë dorëshkrimet e pabotuara autobiografike, ai ka nisur të vjershërojë shumë herët që në moshën 17-18 vjecare. Të kësaj periudhe janë përshtatja e poemave me temë fetare e orientale "Muhamed Hanefiu" dhe "Jusufi dhe Zelihaja".
“Veprat e tij kanë nisur që në fëmijëri, ku është marrë me përkthimin e letërsisë arabe dhe turke, kryesisht duke përkthyer Kuranin, një pjesë të Kuranit në gjuhën shqipe, por gjithashtu e tërhoqi shumë edhe letërsia perse, iraniane, ku ndër to ai përktheu ng origjinali persisht “Gjylistanin dhe bostanin” nga poeti i njohur dhe letrari i njohur iranian, Sadi Shirazi, si dhe “Rubairat” e poetit dhe astronomit dhe matematikanit të njohur Omer Khajami”, thotë Ermal Bega.
Siç tregon nipi i tij Aliu, Hafizi, u lidh që herët me lëvizjen patriotike.
“E kapën ndërsa mbante libra shqip të ndaluara nga Perandoria Osmane. Këshut e internuan, e dënuan edhe me vdekje, por ngaqë, edhe nga e shoqja që i kishte njerëzit pashallarë, i kishte drejtorë bankash, i kishte ambasadorë në Gjermani, dhe lirohej me dekret imperial, siç i thonë, por gjyshi nuk po ndryshonte as mendim, ishte i vendosur në bindjet e tij deri në vdekje”, thotë Ali Korça.
Pas këtyre peripecive, Hafiz Ali Korça, kthehet në Shqipëri, në Korçë, ku e gjejmë të merret me punët e fesë, të shkruajë e të përshtasë disa nga veprat e tij me karakter fetar e teologjik, por gjithnjë i mbikqyrur prej autoriteteve zyrtare.
Të kësaj periudhe gjer në mbyllje të shekullit janë veprat "Lindja e Muhamedit" dhe "303 fjalë të Imam Aliut", për të cilat ai thotë se të paren e shkroi për hoxhallarët dhe të dytën për dervishët.
Vepra më madhore e kësaj periudhe është "Historija e shenjtë" në afro 10 mijë vargje, për të cilën është mbiquajtur "Firdeusi shqiptar". I kësaj periudhe është dhe një përkthim prej sanskrishtes, që së bashku me turqishten, arabishten, persishten e frëngjishten, janë rrethi i gjuhëve të huaja që zoteronte Hafiz Ali Korça.
Më 1901, për t'i shpëtuar përndjekjeve del komit, sikurse shkruan, në malet e Shqipërisë, ku mblodhi e drejtoi çetën e 50 fidaijve të Devollit, e cila është ndër të parat çeta të organizuara të periudhës së Rilindjes.
“Gjyshi, ka filluar aktivitetin e tij patrotik me çetën e vet “Liri Shqipëri, a vdekje” kundër andartëve grekë që më 1903, pastaj me vëllezërit Topulli, pastaj me Mihal Gramenon edhe Bajo Topullin, dhe përkrahu lëvizjen xhonturke sepse realisht pati njëfarë lirie për shkollat shqipe. Pastaj doli më vonë edhe kundër xhonturqve”, vijon Ali Korça.
Kështu nisi edhe kundërshtimi i Hafiz Aliut me qeverinë e asaj kohe të Turqisë, me Telat Pashanë që e dënoi me vdekje, por nga miqtë e mëdhenj që kishte, nga njerëzit që kishte, gjithmonë i shpëtonte litarit, si të thuash”.
Dokumentet e kohës, dëshmojnë se Hafiz Ali Korça, mori pjesë aktive dhe organizoi çetën e "latinxhinjve" që punonin për shkollën shqipe dhe alfabetin shqip me shkrojna latine.
“Duke parë nivelin e Shqipërisë, neve na vinte më për mbarë me germat latine, siç doli dhe më vonë, se me alfabetin osman ose arab e kishim më të vështirë, populli shqiptar që të mësonte gjuhën e vet edhe ashtu. prandaj ngulnin këmbë, që e mori titullin, nofkën latinxhi, latinxhiu, d.m.th. për germat latine. Gjithmonë ai thoshte: të marrim nga shkencat e Perëndimit, binte shembull gjithmonë për vendet e zhvilluara. Japoninë e ka pasur shumë në mendje. Thoshte: marrim këto zhvillime, se ishte koha që edhe Japonia në atë kohë mori një zhvillim, por mos të harrojmë, - thoshte, - edhe tabanin tonë shqiptar, sepse influencohej edhe nga qëndrimi pranë Naim Frashërit, poetit tonë të madh kombëtar, bashkë me vëllezërit e tij, pasi gjyshi korrektonte librat. I thoshte Naimi: biro, - i thoshte, i jepte shkrimet, - më hiq ca gjemba, m’i pastro nga gjembat, -i thoshte Naimit të madh”, thotë nipi i tij.
Gazeta "Aksham" më date 9 korrik 1903 shkruan "Sikurse e dini, Korça eshte cerdhja e latinxhinjve... Tashti për me i derdh ujë squfuri në rrënjët e tyre, shkolla shqipe po iu mbyllet dhe kryetaret e tyre u internuan".
Hafiz Aliu u internua në Spartën e Konjës. Më tej vijojnë nternimet nga Rumelia në Palestinë.
“Pavarësisht internimeve në shkretëtirat e Anadollit, sipas fjalëve të gjyshes sime, vapë e tmerrshme, me nallane shumë të trasha, ishin ato insektet dhe me një penxhere fare të vogël sa vetëm sytë e lejuan që të shihte të shoqin në ato biruca. Edhe vonë, vonë, gjyshja ime që i ka thënë: Hafiz efendi, - i thotë se kështu i thërriste gjithmonë, - kur kishe ndërmend të merreshe me politikë, pse u martove? – Eh, - tha, - po të hyri zjarri i atdheut në shpirt, e pamundur, dashuria për vendin tënd, është e pamundur të ndërrosh rrugë. S’la pasuri të gjyshes sime. Ato kaluan të gjitha për libra, pasuritë e veta të gjitha për libra dhe gjithë jetës maleve, në kuptimin e, duke, me çetat, me këto”, vijon rrëfimi.
Kundërshtar i sundimit despotik të Abdyl Hamitit, ai iu bashkua lëvizjes kushtetuese të Turqisë, që kryesohej nga Komiteti "Bashkim e përparim", duke shpresuar se konstitucioni e liria që pretendohej do të krijonte shanse për të realizuar disa prej interesave kombëtare, siç qenë lëvrimi i gjuhës, hapja e shkollave shqipe. Por këto shpresa u konvertuan shpejt në përndjekje e ndëshkime, megjithëse diçka arritën të shkëpusin: dy kongreset e Manastirit më 1908 dhe 1910, që vendosën alfabetin e sotëm të shqipes, e më pas Kongresin e Elbasanit, që pasoi çeljen e së parës shkollë të mesme Normale të Elbasanit. Në të dyja këto ngjarje të rëndësishme, Hafiz Aliu ka praninë dhe ndihmesën e tij, por rolin e protagonistit ai do ta luajë në Kongresin e Dibrës më 1910, ku u mblodhën 315 përfaqësues të 5 vilajeteve të Shqipërisë. Propozimi dhe insistimi i tij, që gjuha shqipe të mësohet zyrtarisht në të gjitha shkollat e Shqipërisë, fitoi mbi rezistencën e krahut konservator e prozyrtar.
“…Gjithmonë, gjithmonë, gjyshi e kishte me germat latine, me shokët e vet, që i vinte më për mbarë dhe në një justifikim që kishte me autoritetet turke, me kryeministrin Telat Pashai i tha: pse, - i thoshte, - me germa latine, ti je shkolluar në Stamboll, je fetar këtu, të bëj kadi në Bejrut, - i tha. Nuk pranoi gjyshi. – Po jo, - i tha, - germat janë vegla. E kamufloi në kuptimin e kësaj: germat janë vegla dhe veglat nuk, perandorisë suaj nuk i vjen asgjë e keqe nga germat tona, germat latine, të mësojë edhe populli ynë. Se ishte momenti që ata bënë ca tolerime që, për shkollat shqiptare. Pasi ____ i saj, u vendos në kongresin në Dibër që gjyshi kërkoi, siç dihet nga historia, është shkruar në kujtimet e zotit Abdyl Ypi, që thotë që Hafiz Aliu ka qenë violinë e parë në Kongresin e Dibrës për vendosjen e, për një luftë të jashtëzakonshme kundër turqve për vendosjen e germave latine”, thotë nipi.
Dhe aty pastaj filloi një persekucion më i egër për Hafiz Aliun. Kërkoi që për Bankën Kombëtare, për hekurudhat, mos çuarjen e djemve ushtarë në Turqi, tharjen e kënetave. Ishin rreth 5-6 pika që janë përmendur edhe në librin e zotit Abdyl Ypi: “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça”. Kështu që në këtë rrugë e nisi, në këtë rrugë e vazhdoi deri në vdekjen e tij
Pikat që patën kërkuar në kongres:
1. Mësimi i gjuhës shqipe zyrtarisht në çdo shkollë.
2. mirëmësimi nëpër medresetë.
3. Mosdërgimi i djemve shqiptarë si ushtarë në shkretëtirat e zjarrta të Jemenit se 2/3 s’kthehen.
4. Pastrim moçalesh, ndreqje e rrugëve dhe e urave.
5. Lirimi i 105 shqiptarëve që ishin burgosur si reaksionarë.
Kongresi të gjitha proceset që pata propozuar, me kënaqësi m’i pati pranuar.
Janë edhe ca pika të tjera por kryesoret ishin këto që ashtu, kërkoi gjyshi
Këto janë pikat kryesore që Hafiz Aliu kërkoi në Kongresin e Dibrës, që kongresi ia aprovoi me një zë.
Me 1910, pak kohe pas Kongresit të Dibres ai organizoi tubimin e madh të shkronjave shqipe në Korçë.
Në mbështetje për shkollën shqipe, në kodrat e Shën Ilisë, u mbajt një miting shumë i madh, siç thonë
12 000 kalorës ishin, aq shumë popull u mblodh në mbështetje të germave shqipe. Aty filluan persekutimet. nga turqit.
Nipi i Hafiz Aliut, e thekson vazhdimisht patriotizmin e gjyshit të tij, dhe shpesh shkëput vargje të Hazif Aliut për atdheun…
Zjarri i atdheut kujt i hyri,
ia përvëloi mushkëritë,
nga lotët nuk iu ter syri,
më s’ pa prehje asnjë ditë.
Për atdhenë kush përpiqej,
kësisoj ndiqej,
internohej, burgosej,
raskapitej e handakosej.
Për Shqipërinë u përpoqa,
rrezikova jetën time,
nuk rrëfehet sesa hoqa,
se shteti m’i njihte krime.
Më 1911, qeveria turke e pas Kushtetutës nisi përndjekjet e patriotëve shqiptarë që shfrytëzuan shanset e reja të krijuara për interesat kombëtare, pikërisht ata që mbështetën "Bashkim-përparimin". Për 6 muaj të tërë Hafiz Aliu jetoi nën presion e terror. Madje, me anë të një peticioni të sajuar në emër të kryepleqve të disa katundeve të Korçës kërkohej edhe dënimi me vdekje për të, por ai ishte i vendosur për çështjet e gjuhës dhe lirisë së kombit dhe nuk pranonte asnjë kompromis.
Një nga kontributet e mëdha të Hafiz Ali Korçës, dijetarit të madh shqiptar, kanë qenë dhe letra që ai u ka dërguar në fillim të shek. XX, për pavarësinë e Shqipërisë, i ka dërguar gazetave dhe revistave të botuara në Stamboll, në osmanisht, dhe në Teheranin e asaj kohe, të Persisë së atëhershme, ku i kërkonte njohjen e Shqipërisë dhe pavarësinë e këtij shteti dhe përkrahjen e popullit tonë për të drejtën për pavarësi dhe unitet të njëjtë. Dhe ai i drejtonte letra gazetarëve dhe pushtetarëve të kohës duke i thënë që ne jemi një vend i vogël në Evropë, i cili sapo ka fituar pavarësinë dhe krijimin e shtetit shqiptar në 1912-n, dhe ne kërkojmë mbështetjen e shteteve të mëdha si shteti osman, por edhe Persia e asaj kohe.
Me këmbënguljen e Konsullit austriak emërohet anëtar i Komisionit Letrar të Shkodrës që hodhi parimet e drejtshkrimit të shqipes së bashku me atë Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Mati Logorecin, Salih Nivicën etj.
“Ka ndenjur 6 muaj te shtëpia duke biseduar për alfabetin shqip në Komisinë Letrare të kohës, në 1914-n, sepse Austro-Hungaria na donte në atë kohë dhe na përkrahu edhe u dha këtyre patriotëve njëfarë mbështetje përmbi shkrimin e gjuhës shqipe, me Mati Logorecin, me Sali Nivicën e me dhjetëra, e me dhjetëra patriotë të tjerë që kishin çështjen kombëtare. Gjyshi pati kërkuar të ishte edhe Mit’hat Frashëri se e fliste gjuhën mirë, shqipen, por për pamundësi ardhjeje nga jashtë nuk mori pjesë. Aty në ato pati disa ditë mbledhje dhe u rregulluan, p.sh. ku të vihet ç-ja, apostrofi apo kjo shkoi përpara, kjo shko prapa. Është shkruar e gjitha në historikun e mbedhjes. Këto i kam lexuar edhe te prof. dr. Mahir Domi, akademiku ynë i shquar, që i përsërit, i kujton”, thotë Aliu.
Më 1924 shkroi poemën "Shtatë ëndrrat e Shqipërisë" në nderim të atyre me të cilët përgatitën së bashku Kongresin historik të Lushnjës.
E shkruar në temperaturën e ngritur të luftës politike brenda vendit, në rrethanat e vendosjes së komunizmit në Rusi e më gjerë, e ndërtuar mbi bazën e 16-rrokëshit naimjan, me konceptim strukturor e simbolikën që harmonizon lëndën me subjektin poetik, ajo është padyshim një kryevepër e poezisë shqiptare.
Ai lëshon thirrjen e shqetësuar ndaj politikës së kohës për të mos lejuar në Shqipëri aplikimin e doktrinës së Marksit, tek e cila sheh qartë shkaktarin e kataklizmave njerëzore. Këto qëndrime ai do t’i zhvillojë më tej, një vit më vonë në broshurën "Bolshevizmi, shkatërrimi i njerëzimit", duke qenë ndër të parët shqiptarë që shkroi një vepër kundër marksizmit dhe komunizmit.
Dallimi i veçantë ndërmjet “Bolshevizmës” dhe “7 ëndrrave të Shqipërisë” është se “Bolshevizmën” ai e ka shkruar ekskluzivisht kundër sistemit boleshvik dhe ardhjes së tij në Shqipëri, duke kundërshtuar edhe disa personazhe të asaj kohe, që të mos i afrohen këtij sistemi. Ndërkohë “7 ëndrrat e Shqipërisë” përfshijnë shumë fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe letrare.
“Kur botuam veprën “7 ëndrrat e Shqipërisë”, në 2006-n, gazetari Emir Hoxha në gazetën “Shqip” shënon tekstualisht që hafiz Ali Korça në letërsinë shqipe njihet si autori i parë letrar, i cili komenton poezinë me poezi, do të thotë, në “7 ëndrrat e Shqipërisë” që janë poezi të ndryshme, ai përmend “ëndërr e parë”, do të thotë i ka konsideruar poezitë ëndrra, “Ëndërr e parë” deri tek “Ëndrra e shtatë” pastaj bën shpjegim i “Ëndrrës së parë” deri në “Ëndrrën e shtatë”. Këtë nuk e ka bërë asnjë njeri në letërsinë shqipe”, thotë nipi.
Hafiz Aliu duke pasur një bagazh të madh intelektual, duke qenë në qendrën e Perandorisë Osmane dhe me kontakte të mjafta me shumë patriotë shqiptarë, kishte arritur në konkluzionin që, duke parë edhe ardhjen e Leninit, që thoshte hazreti Lenin që i thoshim ne, pa se çfarë u bë në Bashkimin Sovjetik. Kështu që ai shkroi “Bolshevizma është shkatërrimi i njerëzimit”. Kjo ka qenë d.m.th. një nga fjalitë që atë e përndoqi gjatë gjithë jetës së tij dhe këtu u lidh gjithë vuajtja dhe persekucioni në vazhdim. Edhe me ardhjen e komunizmit nuk iu harrua kjo, se vepra e tij u botua prapë në 1944-n. Prapë u ribotua në 1944-n dhe kjo nuk iu harrua.
Duke zbuluar thelbin antihuman të komunizmit ai shkruan: “Ajo, socializmi i Karl Marksit, me petkun komunizues, qytetërimin e përmbysi, fenë e rrënoi, njerëzimin e shkretoi, botën e varfëroi.”
Kjo vepër do t’i qëndronte disa vite më vonë, mbi kokë, si shpata e damokleut, duke e cilësuar atë si një prje kundërshtarëve më të rreptë të komunizmit.
Vitet e luftës i kaloi i tërhequr dhe pa u angazhuar politikisht, madje duke dalë hapur kundër pushtimit.
“Në kohën e pushtimit italian gjyshi është marrë me përkthime, me shkrime, me kujtimet e veta dhe ka qenë në Medresenë e Tiranës. Aty i patën propozuar që kurorën t’ia çonte Viktor Emanuelit dhe gjyshi nuk pranoi: jam shqiptar, s’punoj për fashizmin”, vijon Aliu.
Megjithatë regjimi komunist që do të instalohej menjëherë pas luftës do ta vinte Hafiz Ali Korçën, në listën e të parëve që do të godiste, dhe do ta godiste aty ku i dhimbte më shumë, tek djali i tij i madh, Selaudin Korça.
“Gjatë luftës, xhaxhai im, duke qenë baxhanak me bejlerët e Shijakut, me Deliallisët, nuk u mor me aktivitet por me hyrjen e brigadave partizane në Tiranë, batalioni “Hakmarrja” në mos gaboj, edhe ngaqë ishte me këta bejlerët e Shijakut, i morën dhe i kanë pushkatuar në Ndroq, diku aty sipër. Në Vaqarr, diku aty sipër. Unë i kam nxjerrë eshtrat me duart e mia. Kur hapëm atë gropën që na treguan, ishin lidhur me tela me gjemba, duart, dhe kishin nga një plumb pas koke. Tani i kishin hedhur grumbull njëri mbi tjetrin….”, rrëfen Aliu.
Asnjë furtunë e jetës së tij, nuk I kishte dhënë goditje kaq të rëndë, as dënimet me vdekje prej perandorisë osmane, as presionet , internimet dhe vuajtjet pafund në burgjet e shkretëtirave të perandosisë osmane, as përplasjet dhe lufta politike në Shqipërinë pas pavarësisë, as përpjekjet e vështira për liri me çetat ku luftoi. Ashtu siç e kishte parashikuar në librin e tij “Bolshevizma shkatërrimi i njerëzimit” regjimi komunist I kishte treguar atij anën të errët të terrorit që në ditët e para, kur po instalonin diktaturën.
Pas pushkatimit të djalit të tij Selaudinit, një dimër i gjatë e i vështirë do të pushtonte jetën e tij…
Komente









