Receta e parë: Barbun me lime dhe spec djegës

Përbërësit:

8 fileto barbuni

lëngu i 1 lime

1 spec djegës i kuq

70 gr miell

4 lgj vaj ulliri

1 lgj kaperi

1 lgj majdanoz

1 lime në feta të holla

kripë+ piper i zi

Përgatitja:

Pudrosim lehtë duke i shkundur me miell filetot e barbunit. Ngrohim vajin në një tigan të thellë dhe vendosim filetot e barbunit për tu skuqur 3 minuta. I vendosim nga ana e lëkurës poshtë. Hedhim kripë dhe piper, i spërkatim me kaperi dhe majdanoz të grirë hollë.  Shtojmë specin e prerë në kuba të vegjël, lëngun e një lime dhe vazhdojmë gatimin për 5 minuta. Vendosim filetot në një pjatancë dhe i shoqërojmë në feta lime të holla. E shërbejmë peshkun të nxehtë.

Barbun me lime e spec djegës

Receta e dytë: Supë peshku me perime dhe makarona

Përbërësit:

500 gr peshk

1 qepë

2 thelpinj hudhër

1-2 karrota

2 degë selino

10 ml verë

2 domate

½ gotë makarona tub të vogla

1 lgj gjalp

2 lgj vaj ulliri

kripë+ piper i zi

dafinë

limon+ majdanoz

Përgatitja:

Lajmë peshkun e pastruar, e presim në copa dhe e vendosim në tenxhere me 1,5 l ujë dhe shtojmë disa kokrra piper të zi, gjysmë lëng limoni, pak kripë dhe 100 ml verë. E lëmë peshkun të ziejë deri sa tuli të shkëputet nga jalat.

Në një tenxhere shtojmë gjalp e vaj dhe kaurdisim qepën e grirë shumë imët. Shtojmë në tenxhere karrotat e prerë në kubikë të vegjël, selinonë dhe i trazojmë për 2 minuta. Shtojmë hudhrat e domatet e qëruara në kubikë të vegjël dhe i kaurdisim.

Kullojmë lëngun e peshkut dhe e shtojmë në tenxheren me perime. Shtojmë ujë, gjethe dafine dhe i lëmë të ziejnë për 5 minuta. Në fund shtojmë makaronat dhe i lëmë të ziejnë për 10 minuta.

Ndërkohë qërojmë peshkun nga halat dhe tulin e lëmë mënjanë. Copëtojmë tulin dhe në 2 minutat e fundit shtojmë peshkun në supë. Rregullojmë shijen me kripë, piper të zit ë zi e majdanoz she supa është gati për tu shërbyer.

Supë peshku me perime e makarona