Receta e parë: Frikase me mish qingji
Përbërësit:
500 gr mish qingji
2 lgj gjalp
3 qepë të njoma
2 karrota
2-3 patate
1 degë selino
2 lgj miell
2 gota qumësht
2 të verdha veze
1 limon
kripë dhe piper i zi
1 tufë kopër
Përgatitja:
Vendosim pak gjalp në tenxhere dhe kaurdisim mishin të prerë në racione deri sat ë ndryshojë ngjyrë. Shtojmë në tenxhere ujë të nxehtë deri sat ë mbulohet mishi dhe 4-56 kokrra piper të zi e kripë dhe më pas e lëmë të ziejë në temperaturë mesatare. Pasi të kalojnë 30 minuta që mishi është duke u zier ( pra nuk është zier plotësisht) shtojmë perimet, qepën e prerë në unaza ( vetëm pjesën e bardhë të saj) karrotën dhe patatet të prera në kubikë. Shtojmë edhe selinonë e prerë në copëza si dhe 2 degë kopër të grirë hollë.
Vendosim kapakun dhe e lëmë mishin e perimet të ziejnë për 15 minuta, në mënyrë që të ziejnë plotësisht.
Në një tenxhere tjetër shkrijmë gjalpin e mbetur, kaurdisim miellin me gjalp deri sa ai të mos marrë ngjyrë dhe e shuajmë me qumësht duke shtuar gradualisht edhe lëng mishi. E përziejmë mirë së bashku me mishin dhe pasi të marrë valë për 2-3 minuta e largojmë nga zjarri.
Rrahim 2 të verdha veze, lëng limoni dhe e presim frikasenë. Shrojmë kopër e përziejmë dhe vendosim kapakun në mënyrë që frikaseja të mpikset por nuk e vëmë më në zjarr për të valuar.
Frikase me mish qingji
Receta e dytë: Tiramisu me luleshtrydhe
Përbërësit:
200 gr biskota savojard
400 ml pana ëmbëlsire
250 gr mascarpone
300 gr luleshtrydhe
300 ml lëng portokalli
2 lgj sheqer
4 lgj sheqer pluhur
Vanilje
Dekori
200 gr luleshtrydhe
Gjethe mente
Përgatitja:
Fillimisht 300 gr luleshtrydhe të pastruara i presim në kubikë të vegjël, i trazojmë me 2 lugë gjelle sheqer dhe shtojmë në të 300 ml lëng portokalli. I trazojmë mirë, i mbulojmë dhe i lëmë në frigorifer për 30 minuta.
Panën e ftohtë e vendosim në tas. Shtojmë në të vanilje, 4 lugë gjelle sheqer pluhur, mascarpone dhe i përziejmë së bashku. Me ndihmën e një site largojmë gjysmat e luleshtrydheve të prera në kubikë dhe gjysmën tjetër e kalojmë në blender dore duke e kthyer në krem së bashku me lëngun e portokallit. Në një tepsi vendosim si bazë 2-3 lugë gjelle krem. E hapim gjithë sipërfaqen e më pas lyejmë biskotat me lëngun e luleshtrydheve dhe portokallit dhe mbulojmë gjithë sipërfaqen e tavës. Shtrojmë një shtresë me krem. Shpërndajmë kubikë me luleshtrydhe dhe përsëri një shtresë me biskota të lagura. Mbulojmë biskotat me krem dhe në fund zbukurojmë sipërfaqen me feta luleshtrydheje dhe gjethe mente. E vendosim tiramisunë për 2-3 orë në frigorifer dhe më pas e shërbejmë.