Receta e parë: Kunguj të pjekur mbushur me rikota

Përbërësit:

1 kg kunguj

300 gr rikota

30 gr parmixhan

50 gr fara luledielli

2 lgj majdanoz i grirë

kripë

4 lgj vaj ulliri

Përgatitja:

Lajmë kungujt me ujë të bollshëm dhe presim ekstremet e tyre. Vendosim një tenxhere me ujë të valuar. Shtojmë 1 lugë kafe kripë dhe vendosim kungujt e plotë për të zier vetëm 3 minuta. Në një tas vendosim rikotën, majdanozin e grirë hollë, parmixhanin e grirë hollë dhe i trazojmë bashkë me rikotën e  majdanozin. Shtojmë pak kripë dhe 2 lugë gjelle vaj ulliri. Kullojmë kungujt dhe i shpëlajmë me ujë të ftohtë. I presim në mes për së gjati dhe largojmë pjesën e brendshme duke i dhënë formën e një varke. Pjesën e brendshme të kungullit e presim në kubikë të vegjël dhe e përziejmë me rikotën. Kalojmë farat e lulediellit në një tigan pa yndyrë dhe e përziejmë me rikotën. Mbushim kungujt me ndihmën e një luge çaji. I vëmë në tepsi, i spërkatim në fund me pak vaj dhe vendosim në furrë në temperaturën 180ºC për 40-45 minuta.

Kunguj të pjekur mbushur me rikota

Receta e dytë: Rizoto me kërpudha

Përbërësit:

400 gr kërpudha

320 gr oriz (për rizoto)

1 qepë e vogël

2 thelpinj hudhër

40 gr gjalp

½ gotë verë të bardhë

kripë+ piper i zi

vaj ulliri

40 gr parmixhan i grirë

1.5 lëng perimesh

Përgatitja:

Vendosim një tigan me 3 lugë gjelle vaj ulliri, 2 thelpinj hudhër dhe sapo hudhrat të skuqen pak shtojmë kërpudhat e prera në copëza të vogla dhe i kaurdisim deri sa ato të ulin volumin e të zverdhen pak. Shtojmë 1 garuzhde lëng perimesh dhe i lëmë të ziejnë. Ndërkohë në një tigan të thellë vendosim 1 lugë gjelle gjalp, 1 lugë gjelle vaj ulliri, qepën e grirë shumë hollë dhe e kaurdisim deri sat ë bëhet transparente. Shtojmë orizin dhe e kaurdisim mirë duke e shuar me verë të bardhë. E lëmë sa të avullojë alkooli duke shtuar fillimisht 1 garuzhde lëng perimesh. E lëmë të avullojë lëngun duke shtuar sërish lëng perimesh. Shtojmë kërpudhat dhe i lëmë të ziejnë së bashku duke i trazuar herë pas here. Pasi të kenë kaluar 14 minuta nga momenti i zierjes, shtojmë parmixhanin, e përziejmë duke vendosur kapakun . Pas 5 minutash shtojmë majdanozin dhe e shërbejmë të ngrohtë.

Rizoto me kërpudha