Receta e parë: Mesnik

Përbërësit:

500 gr miell

Pak kripë

1 kokërr vezë

2 lgj vaj, ujë

Mbushja:

1.2 kg mish

 3-4 kokrra qepë

 4 lgj vaj ulliri

 Kripë, piper i zi

Pak nenexhik

100 gr yndyrë:

Përgatitja:

Në një tas hedhim njëri pas tjetrit miellin, kripën, 1 vezë, 2 lugë vaj dhe ujë. I përziejmë mirë duke formuar një brumë për petë byreku. E mbulojmë brumin dhe e lemë të qetësohet për 20 minuta dhe më pas hapim petët. 3-4 petë i lemë të njoma dhe i mbulojmë të mos thahen, petët e tjera i pjekim dhe i copëtojmë. Ndërkohë lajmë pulën dhe pasi e presim në copa e vemë për të zjerë derisa tuli të shkëputet nga kocka. E largojmë pulën nga zjarri dhe e lemë të ftohet. Ndërkohë në një tigan me vaj ulliri kaurdisim qepët të prera në kubikë derisa ato të zverdhen pak. Më pas shtojmë lëngun e mishit afërsisht 800 ml – 1 litër lëng pule dhe e lemë qepën te ziejë duke rregulluar shijen me kripë dhe piper të zi. Në fund para se të spërkasim petët mund të shtojmë pak nenexhik nëse e preferoni. Mishin e ftohtë e qërojmë nga lëkura dhe e copëtojmë në fije me duar. Lyejmë tepsinë me pak gjalpë, vendosim në të një petë të njomë, e lyejmë me pak gjalpë dhe shtrojmë përsëri një petë tjetër të njomë. Shpërndajmë mbi to më pas copa petësh të pjekura duke i spërkatur mirë me gjalpë. Përhapim mbi petët e pjekura copëzat e mishit në të gjithë sipërfaqen, më pas hedhim një garuzhde lëng pule duke spërkatur komplet sipërfaqen. E mbulojmë përsëri me petë te pjekura të copëtuara, shpërndajmë përsëri copëza mishi duke i spërkatur me lëng mishi. Kështu vazhdojmë deri në përfundimin e përbërësve. Në fund e mbyllim byrekun me një petë të njomë, mbledhim anët, e spërkasim sipërfaqen me pak gjalpë dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 30-35 minuta.

Mesnik

Receta e dytë: Supë krem perime

Përbërësit:

1 qepë e kuqe

3 thelpinj hudhër

1 karrotë

1 patate

1 kungull

1 domate

1 filxhan çaji bizele

1 filxhan çaji bishtaja

1 selino

½ presh

Pak brokoli

Pak lulelakër

Kripë dhe piper i zi

1 gjethe dafine

Pak rozmarinë

1 filxhan kafe vaj ulliri

Përgatitja:

Të gjitha perimet i presim në kubikë të vegjël, ndërsa brokolin dhe lulelakrën në lule të vogla.

Vendosim tenxheren me vaj dhe kaurdisim qepën e hudhrat sa të zbuten pak. Shtojmë karrotat dhe i kaurdisim së bashku. Më pas shtojmë të gjitha perimet dhe i trazojmë së bashku. shtojmë lëngun e mishit të nxehtë, erëzat e kripën dhe i ziejmë së bashku për 10-15 minuta.  I kalojmë në blender dore dhe i kthejmë në pure. I japim një valë të nxehtë dhe e servirim duke e spërkatur me pak vaj ulliri.

Supë krem me perime