Receta e parë: Musaka me pulë dhe perime

Përbërësit:

600 gr patate

1 kokërr qepë

2 speca miks ngjyra

500 gr fileto pule

1 lgj salcë

3 lgj vaj

kripë+ piper i zi

piper i kuq+ rigon

beshameli

2 lgj gjalp

2 lgj miell

400 ml qumësht

kripë + arrë muskat

100 gr djath pice

Përgatitja:

Qërojmë patatet dhe i presim ato në feta rrumbullake. Lyejmë tepsinë me vaj. Përziejmë patatet me vaj, kripë, rigon, piper të kuq. I vendosim në tavë e më pas në furrë në temperaturën 200ºC për 20 minuta. Ndërkohë në një tigan me pak vaj kaurdisim qepën deri sat ë bëhet transparente. Shtojmë në të specat e prerë në kubikë dhe vazhdojmë ti trazojmë së bashku. Presim mishin e pulës në kubikë me brinjë 1,5 cm dhe i shtojmë në tigan. Vazhdojmë të trazojmë deri sa mishi të zverdhet. Shtojmë salcën dhe i trazojmë së bashku. Rregullojmë shijen me kripë e piper të zi dhe e largojmë nga zjarri. Përgatisim beshamelin. Shkrijmë gjalpin dhe shtojmë në të miellin e qumështin dhe i lëmë të marrin valë. Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe arrë moskat. Nxjerrim tavën nga furra dhe shtrojmë pulëb e specat. E nivelojmë në fund, e mbulojmë me beshamel dhe djath pice dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200ºC për 30 minuta. E shërbejmë me sallatë.

Musaka me pulë dhe perime

Receta e dytë: Tartë e ftohtë me akullore

Përbërësit:

350 gr biskota pa yndyre

120 gr gjalp i shkrirë

mbushja

250 gr maskarpone

250 gr pana ëmbëlsire

70 gr sheqer pluhur

30 gr kafe

20 gr kakao

Përgatitja:

Fillimisht grijmë biskotat duke i vendosur ato në një qese dhe i shtypim me rolon, ose i grijmë në një grirëse. Vendosim biskotat e grira në një tas dhe i lëmë mënjanë. Shkrijmë gjalpin dhe e përziejmë së bashku me biskotat. Në një tespi unazë shtrojmë një letër pjekje dhe nivelojmë biskotat e trazuara me gjalpin duke i niveluar dhe ngjeshur me fundin e një gote. Vendosim tepsinë në frigorifer për 30 minuta. Ndërkohë përgatisim mbushjen. Në një tas të ftohtë shtrojmë panën (të ftohtë). Fillojmë e rrahim me rrahëse elektrike duke shtuar gradualisht kafen dhe lugë lugë edhe maskarponen. I përziejmë deri sat ë na formohet një masë e ngurtë. Shtrojmë mbushjen duke e niveluar atë. E vendosim përsëri tepsinë në frigorifer për 4 orë. Më pas e nxjerrim nga frigoriferi dhe e pudrosim me biskotat e grira që lamë mënjanë. Para se ta shërbejmë e e vendosim me pak kakao.  

Tortë e ftohtë me akullore