Receta e pare: Pilaf bullguri me fileto peshku
Përbërësit:
1 e ½ filxhan bullgur
1/3 filxhan vaj ulliri
1 finok i copëtuar
1 presh i copëtuar
2 thelpinj hudhër
1 filxhan domate qershi ose domate të grira
4 lugë verë e bardhë
6 ullinj të gjelbër të copëtuar
½ filxhan arra të copëtuara
Lëngu i një limoni
Majdanoz i freskët
Kopër e freskët
Kripë dhe piper i zi
4 fileto peshku
Përgatitja:
Vendosni bullgurin në një tas me 3 gota ujë dhe pak kripë. Mbulojeni dhe lëreni të qëndrojë për 2 orë deri sa bullguri të thithë shumicën e ujit dhe të bëhet i butë. Kulloni ujin e mbetur në një sitë dhe vendoseni bullgurin mënjanë. Vendosni peshkun në një pjatë dhe spërkateni me kripë, piper e lëng limoni. Mbulojeni dhe lëreni mënjanë.
Ngrohni 2 lugë vaj ulliri në një tigan të thellë dhe kaurdisni lehtë preshin dhe finokun deri sa të zbuten pak por jo plotësisht (rreth 5 minuta). Më pas shtoni hudhrat, rrisni pak nxehtësinë dhe shtoni domatet. Më pas shtoni ullinjtë dhe shuajeni me 2 lugë verë të bardhë. Kur alkooli të avullojë, ulni nxehtësinë, e shtoni arrat dhe bullgurin. Rregulloni shijen me kripë dhe piper.
Në një tigan tjetër ngrohni 2 lugë gjelle vaj ulliri në nxehtësi mesatare. Vendosni filetot e peshkut me lëkurë lart dhe lëreni për 3 minuta. Kthejeni me kujdes nga ana tjetër dhe rrisni nxehtësinë. Në të njëjtën kohë shtoni 2 lugët e tjera me verë të bardhë. Lëreni për 2 minuta derisa alkooli të avullojë por të ketë ngelur pak lëng në tigan.
Hiqni fileton dhe vendoseni mbi pilafin e bullgurit. Lëngun e mbetur në tigan nga filetoja e peshkut hidheni sipër bullgurit. Shërbejeni së bashku me disa feta limoni në pjatë.
Pilaf bullguri me fileto peshku
Receta e dytë: Kimë me vezë
Përbërësit:
4-5 kokrra qepë
1 karrotë
1 degë selino
400 gr mish i grirë
2-3 domate ose pure domate
1 filxhan kafe ujë
Kripë dhe piper i zi
1 lugë kafe piper i kuq
4 kokrra vezë
4 lgj vaj ulliri
Majdanoz
Përgatitja:
Vendosim një tigan të thellë me 4 lugë gjelle vaj ulliri. Sapo vaji të nxehet shtojmë qepën të prerë në fije të holla. E kaurdisim qepën deri sa ajo të tretet mirë. Shtojmë në të karrotën e grirë në rende, selinonë e prerë hollë dhe i kaurdisim së bashku.
Shtojmë mishin e grirë dhe i kaurdisim së bashku deri sa mishit ë ndryshojë ngjyrë dhe të thërrmohet.
Shtojmë domatet të qëruara dhe të prera në kubikë. E lëmë të ziejë për 5 minuta, shtojmë piper të kuq, pak ujë e piper të zi. I vendosim kapakun dhe e lëmë të ziejë për 5 minuta të tjera. Kur uji të ketë shteruar shtojmë vezët dhe mund të transferojmë kimën në furrë ose i vendosim kapakun dhe e lëmë deri sa veza të mpikset. E servirim duke e spërkatur me pak vaj ulliri dhe majdanoz.