Receta e parë: Pite me bukë

Përbërësit:

4 kokrra vezë 
80 ml vaj 
400 gr kos 
250 ml qumësht 
200 gr djath i bardhë 
1 lç pluhur pjekës 
1 lgj gjalp
4 -5 feta bukë të ftohtë 
250 gr proshutë (sipas dëshirës)
100 gr djath pice i grirë 
2 lgj fara susami

Përgatitja

Fillimisht bëjmë përshesh bukën  në copëza mesatare, i vendosim copëzat në një tepsi dhe i fusim në furrë për 10 minuta në temperaturën 100 gradë Celsius.

Ndërkohë në një tas rrahim 4 kokrra vezë me 1 lç kripë dhe vaj. I rrahim mirë së bashku derisa të formohet një salcë e trashë, shtojmë më pas kosin, vazhdojmë përzierjen duke shtuar qumështin , djathin e bardhë të thërrmuar dhe pluhurin pjekës.

Lyejmë një tavë me pak gjalpë dhe shpërndajmë në të si  bazë copat e bukës (pasi të jenë ftohur) duke mbuluar komplet sipërfaqen e tavës.

Presim proshutën në shirita dhe e shpërndajmë mbi copat e bukës. Spërkasim me gjysmën e salcës me vezë komplet sipërfaqen e bukëve në tavë. Vendosim përsëri dhe një rrjesht me copëza buke, proshutë dhe përsëri salcë me vezë, kos, qumësht dhe djathë. E mbulojmë në fund sipërfaqen me feta djathi kaçkavall të butë dhe fara susami. E vendosim tavën në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 25 minuta.

Pite me bukë

Receta e dytë: Supë me presh dhe limon

Përbërësit:

700 gr presh 
300 gr patate 
2 thelpinj hudhër 
1 lç kerri 
1 lk lëkurë limoni 
3-4 lgj lëng limoni 
Kripë dhe piper i zi 
Kopër 
4 lgj vaj ulliri 
800 ml lëng pule

Përgatitja:

Ngrohim vajin e ullirit, shtojmë në të hudhrat e prera në feta dhe preshin e pastruar dhe të prerë hollë në unaza. I kaurdisim derisa preshi të ulë volumin. Shtojmë pluhurin kerri, e trazojmë që të shpërbëhet në yndyrë dhe shtojmë patatet e prera në copëza të vogla. I trazojmë duke shtuar më pas lëngun e pulës. Vendosim kapakun dhe e lëmë supën të ziejë për 15 minuta.

Pasi patatet të jenë zier , shtojmë lëkurën dhe lëngun e limonit dhe e kalojmë supën në blender duke e kthyer në krem. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi dhe e vendosim përsëri të marrë një valë të lehtë. E servirim të ngrohtë duke e pudrosur me pak kopër të freskët.

Supë me presh dhe limon