Receta e parë: Pulë me karrota dhe patate

Përbërësit:

4 racione mish pule

2-3 kokrra qepë

600 gr patate

4 karrota

4 lgj vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

250-300 ml lëng pule

Përgatitja:

Fillimisht lajmë dhe thajmë copat e pulës dhe më pas i marinojmë me kripë dhe piper të zi. Vendosim vajin në një tigan të madh dhe skuqim copat e mishit derisa të zverdhen pak i largojmë më pas copat e mishit të pulës dhe në po atë tigan kaurdisim qepët të prera në rrathë të mëdha. Vendosim kapakun dhe i skuqim derisa të zbuten dhe të marrin ngjyrë të verdhë, shtojmë më pas karrotat të prera në shkopinj me gjatësi 4 cm dhe me trashësi mesatare. I kaurdisim pak dhe shtojmë më pas patatet. Vazhdojmë kaurdisjen duke i spërkatur herë pas here me pak lëng pule. Pasi të kalojnë 5 minuta nga kaurdisja e patateve shtojmë komplet lëngun e pulës, vendosim copat e pulës dhe e vendosim tiganin (duke mbuluar dorezat me letër alumini që të mos dëmtohen) në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 20-25 minuta.

Pulë me karrota dhe patate

Receta e dytë: Njoki me mish të grirë në tigan

Përbërësit:

2 thelpinj hudhër

250 gr mish i grirë

1 lgj salcë domate

Kripë, piper i zi

200 gr presh (pjesa e bardhë)

3 lgj vaj ulliri

400 gr njoki

2 lgj majdanoz

 Përgatitja:

Presim hudhrën shumë imët, e shtojmë tek mishi i grirë së bashku me një lugë salcë domate dhe e përziejmë.Pastrojmë preshin e presim atë në unaza,  e shpëlajmë mirë dhe e kullojmë në një sitë.

 Ngrohim në tigan 2 lugë vaj ulliri skuqim 400 gr njoki (të ngrira) për 3 minuta. Më pas shtojmë preshin dhe e skuqim së bashku për 5 minuta të tjera.

 Në një tigan tjetër me 1 lugë vaj shtojmë mishin dhe e kaurdisim për 4-5 minuta duke e pjekur në tigan në temperaturë mesatare. E shtojmë më pas mishin në tiganin me njoki, e rregullojmë me kripë, piper të zi dhe 2 lugë majdanoz të grirë imët.

Njoki me mish të grirë në tigan