Receta e parë : Tavë me pllaqi

Përbërësit:

400 gr fasule pllaqi

2 kokrra qepë

400 gr pure domate

1 lugë çaji piper i kuq

2 karrota

6 thelpinj hudhër

Kripë dhe piper i zi

1 majë luge sheqer

Rigon

Nenexhik

Majdanoz

Vaj ulliri

Përgatitja:

Fillimisht pasi t’i kemi larë mirë fasulet i vendosim në ujë për gjithë natën. I shpëlajme përsëri dhe i vendosim për të zjerë. Pasi të jenë zjerë jo shumë të buta i kullojmë dhe i lemë mënjëanë.

Në një tigan me vaj ulliri skuqim qepën të prerë në kubikë, shtojmë në të karrotat të prera në feta dhe i kaurdisim së bashku duke shtuar hudhrat dhe domaten pure. E lemë gatimin të marrë një valë për 5 minuta, e rregullojmë më pas shijen me kripë, piper të zi, piper të kuq, pak piper djegës nëse e dëshirojmë gatimin pikant, nenexhik dhe rigon. Shtojmë dhe fasulet pllaqi 1 ½ filxhan uje ose lëng mishi dhe e vendosim tavën me pllaqi në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 20-25 minuta. Në fund mund të shtojmë dhe pak majdanoz sipas dëshirës ose erëza të tjera sipas preferencës.

Receta e dytë : Rizoto me limon

Përbërësit:

240 gr oriz

1-2 kokrra limon

½ gotë verë e bardhë

1 qepë e vogël

Lëng perimesh

1 tufë majdanoz

Vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

Lëngu i perimeve:

1 qepë

1 karrotë

1 domate

100 gr rrënjë selinoje

Përgatitja:

Fillimisht në një tenxhere me ujë vendosim perimet për lëngun e perimeve dhe i lemë të ziejnë.

Në një tigan me 2 lugë vaj ulliri kaurdisim orizin.  Ndërkohë në një tigan tjetër, pasi të kemi grirë qepën shumë imët e kaurdisim atë me pak vaj ulliri. Më pas e shuajmë qepën me verë të bardhë. Paralel  trazojmë orizin derisa kokrra të bëhet pak transparente, shtojmë lëng perimesh pak nga pak dhe e lemë të ziejë duke e trazuar vazhdimisht dhe duke shtuar përsëri lëng. Kështu vazhdojmë për 20 minuta.

Gjatë kësaj kohe shtrydhim 1 limon nëse është i thartë, përdorim 2 limonë nëse vijnë pak të ëmbël.

Shtojmë tek orizi gjatë zierjes së tij qepën të shuar me verë dhe lëngun e limonit. Fillimisht e rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi dhe e lemë derisa orizi të ziejë por të jetë pak i lëngshëm. Në fund shtojmë 1 lugë gjalpë dhe më pas përgatisim një pesto me majdanoz të cilën e realizojmë duke vendosur në një blender majdanoz, vaj ulliri, lëng limoni dhe kripë.

Servirim orizin në pjatë, e dekorojmë me disa pika pesto majdanozi, grijmë hollë pak lëkurë limoni dhe e spërkasim me pak piper të zi të freskët.