Receta e parë: Tavë me perime dhe vezë

Përbërësit:

600 gr patate

250 gr speca jeshil

200 gr speca të kuq

4 kokrra vezë

4 salçiçe

100 gr djath

Kripë

Vaj luledielli

Përgatitja:

Qërojmë patatet dhe i presim në kubikë me brinjë 1 cm. ngrohim vajin dhe i skuqim patatet sa të zverdhen. I vendosim në një pjatë ku kemi shtruar letër kuzhine për të larguar yndyrën e tepërt.

Ndërkohë presim specat në fije ose kubikë të vegjël, edhe ato me brinjë 1 cm. Salçiçet i presim në gjysmë rrathë të vegjël. Mund të shtroni në një tavë familjare për 4 persona ose ti ndani në tava të vogla individuale.

Shtrojmë si bazë në fillim patatet e skuqura lehtë sa të marrin ngjyrë. Mbi patatet spërkatim pak kripë dhe shtrojmë një rresht me speca jeshil dhe pak speca të kuq. Vendosim mbi specat një vezë syze dhe e mbulojmë vezën me feta të holla djathi rreth e qark të bardhës së vezës. Vendosim tavën në furrë në temperaturën 180ºC për 15-20 minuta.

Kjo recetë kushton 510 lekë, por asnjë prej telefonuesve që u bënë pjesë e quiz-it nuk mundën të gjenin vlerën e saktë. Të gjitha amvisat mund të bëhen pjesë e quiz-it duke telefonuar në numrin 044 400 101 dhe të kenë mundësi të fitojnë 2000 lekë të reja nga Conad.

Tavë me perime dhe vezë

Receta e dytë: Sallatë me patëllxhanë

Përbërësit:

3-4 patëllxhanë

1 kokë hudhër

Majdanoz-kopër

50 gr arra

3 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

2 lugë gjelle uthull

Përgatitja:

Patëllxhanët i pastrojmë dhe pasi i presim i vendosim në ujë me kripë për 20 minuta. I kullojmë dhe I lajmë me letër kuzhine. Spërkatim një tigan zgare me vaj luledielli dhe pjekim fetat e patëllxhanit. Qërojmë hudhrat dhe I grijmë ato imët. I trazojmë në një tas me kripë, uthull, vaj ulliri dhe i përziejmë mirë. Rendisim në një pjatancë fetat e patëllxhanit dhe I spërkatim me hudhrat, vajin dhe uthullën. Shpërndajmë arra të grira dhe majdanoz me kopër. Këtë shtresë mund ta përsërisni deri sa të përfundoni komplet fetat e patëllxhanit. Në fund spërkatim me vaj ulliri dhe e shërbejmë.

Sallatë me patëllxhanë