Dita II e tërmetit/ ZHVILLIMET minutë pas minute mbi tërmetin 6.4 ballë që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës (VIDEO-LIVE)

TIRANË- 26 viktima, 650 të lënduar, 47 të shpëtuar dhe disa të humbur nën rrënoja! Është ky bilanci tragjik i tërmetit të së martës (26.11.2019) në orën 03:54, 6.4 ballë me epiqendër 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana. Forcat e Armatosura, Zjarrfikëset, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile në bashkëpunim me grupet e ardhura nga vendet mike, vijojnë kontrollet mes rrënojave të cilët janë përqendruar në tre zona: Këneta në Durrës, te pallati gjashtë katësh afër kryqit të kuq dhe te Vila Palma po në Durrës, ndërkohë kërkimet në Thumanë kanë rinisur prej mëngjesit të sotëm.

Prej orës 03:54 të mëngjesit të së martës kur u godit nga një tërmet i fuqishëm 6.4 ballë me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë dhe që zgjati deri në 30 sekonda, vendi është në agoni, lot e trishtim, me shpresë dhe lutje për të mos rritur bilancin e jetëve të humbura dhe për të pasur sa më shumë të shpëtuar nga personat që po lëngojnë nën rrënoja. Shqipëria është me sytë nga Thumana aty ku janë shënuar dëmet më të mëdha dhe ku tre pallate janë shembur. 

Mrekulli dhe lajme të gëzueshme janë përcjellë në mesin e kësaj tragjedie, ku prej orësh të tëra nën rrënoja janë shpëtuar të gjallë me dhjetëra persona me agoninë për të pasur pranë vetes familjarët e tyre, disa prej të cilëve nuk u dihet fati. Disa kanë dhënë shenja jete me telefona duke kërkuar ndihmë, por operacionet janë të vështira për shkak të kujdesit që duhet treguar për t'i nxjerrë pa të tjera dëmtime nga grumbullimi i copave të betonit dhe inerteve.

Termeti dhe pasojat ne rrethe e ndryshme 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 03:54
Mbushen 24 orë nga tërmeti i fuqishëm! Momente tmerri, ankthi...Mbi10 persona ende nën rrënoja

1574823285_5dddc1cf59503klajd.jpg

03:54 (26.11.2019)- 03:54 (27.11.2019)...24 orë tmerri, ankthi, vuajtje, mes lotëve. 24 viktima, 650 të plagosur të konfirmuar, teksa vijojnë kërkimet për 6 anëtarë të familjes Lala në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18 në Durrës, e ndërsa 4 të tjerë në zonën e Plazhit dyshohet se janë nën gërmadha ende.

Ora 02:06
Nuk la kukull të mbesës së vdekur pa prekur...Pasi humbi dhe vajzën, Ajeti me shpresën se ka gruan GJALLË nën rrënoja!

Pamje të trishta vijnë nga lagjja numër 18 në qytetin e Durrësit, te pallati 6 katësh. Është Ajeti, kryefamiljari i familjes Meçaj, në kërkim të gruas së tij, Roza...Vetëm pak orë më parë, nga ato rrënoja ka nxjerrë trupat e pajetë të vajzës 30-vjeçare Diena dhe mbesës 8-vjeçare. Mes temperaturave të ulëta, natës së errët, ai ka ende shpresë për të gjetur gjysmën e tij, gruan të gjallë nga rrënojat.

"Vetëm mbesa të më shpëtonte, se e kisha rritur vetë", janë fjalët e tij teksa vijon kërkimet dhe nuk ka lënë kukull të 8-vjeçares pa prekur me dorë.

Ora 01:40
6 persona të familjes Lala në Durrës ende nën rrënoja, Rama takon specialistët italian

6 persona të familjes Lala, në zonën e ish-Kënetës në Durrës janë ende nën rrënoja. Në këtë zonë ka shkuar edhe kryeministri Rama i cili është takuar me skuadrën speciale që është angazhuar për të nxjerrë nga gërmadhat këtë familje

"Durrës, zona e ish-Kënetës Një skuadër speciale italiane për penetrimin e gërmadhave, po çon përpara një operacion tejet të vështirë, në kërkim të 6 personave të familjes Lala" shkruan Rama.

Ora 01:22
Meta reagon për shpëtimin e Klajdit në Durrës: Duhet të vazhdojmë me kurajo për të shpëtuar çdo jetë

Presidenti Meta, ka reaguar për shpëtimin e Klajdi Qatos në Durrës i cili qëndroi i bllokuar për rreth 21 orë nën rrënoja.

"Sapo mora një lajm të shkëlqyer në Thumanë: Mbas 21 orësh, luftë e përpjekjesh nën rrënoja, Klajdi 24-vjeçar në Durrës, shpëtoi mrekullisht!

Falenderime të veçanta për forcat tona të shpëtimit që punuan pa u lodhur, veçanërisht dhe ekipit të specializuar të Greqisë, që dha një kontribut shumë të çmuar dhe profesional për të garantuar daljen e Klajdit nga rrënojat, pa asnjë dëmtim dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Shumë faleminderit dhe Klajdit, i cili luftoi plot kurajo!

Duhet të vazhdojmë me kurajo dhe shpresë për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënoja!" shkruan Meta.

Ora 00:54
‘Bravo, bravo, bravooo...’, momenti rrëqethës kur shpëtohet i riu në Durrës! Ngrihet dhe takon heronjtë që i shpëtuan jetën

Momente rrëqethëse vijnë nga qyteti i Durrësit, ku një i ri i quajtur Klajdi Qato është shpëtuar nga forcat greke. 25-vjeçari kishte prej më shumë se 21-orësh që gjendej nën gërmadhat e hotelit  Vila Palma, që ishte në pronësi të babait të tij. Forcat e vendit fqinj kanë krijuar një tunel për të nxjerrë të riun i cili ka mbijetuar vetëm falë një dysheku që i kishte rënë sipër si mburojë. Ndërkohë e gjithë skena e shpëtimit është publikuar Live nga kryeministri Rama.
 

Ora 00:39
Vijojnë kërkimet në Durrës me qen dhe kamera termike për 4 persona nën rrënoja

1574810954_durres.jpg
Në Durrës në lagjen nr. 18 te stadiumi 'Niko Dovana'  ku është shembur pallati 6 katësh vijojnë ende kërkimet me qen dhe kamera termike për të zbuluar nëse ka jetë njerëzish nën rrënoja.  Deri tani nga gërmadhat janë nxjerrë 5 trupa, 4 pa jetë dhe një i ri i plagosur, por prindërit e tij janë ende nën rrënoja, raporton gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra. Gjithsej mendohet se janë edhe katër persona nën rrënoja.

Ora 00:39
Zbarkon në Durrës një helikopter në ndihmë të shqiptarëve


Në mesnatë është ulur një helikopter nga Italia në stadiumin e Durrësit me ushtarë që do japin ndihmën e tyre në këtë situatë emergjente.

Ora 00:34
Tjetër duartrokitje jete në Durrës, shpëtohet pas 21 orësh Klajdi Qato! Del nga gërmadhat dhe ngrihet në këmbë, Rama e transmeton live

Është shpëtuar pas 21-orësh qëndrimi i ‘burgosur’ nën rrënoja një i ri në qytetin e Durrësit. I shpëtuari është Klajdi Qato, 25-vjeç. Ai është shpëtuar nga forcat e kërkim shpëtimit të ardhura nga Janina. Ndërsa në momentin e shpëtimit ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Rama i cili ka transmetuar gjithçka Live në rrjetet sociale. Sapo ka dalë nga rrënojat Klajdi Qato është çuar në këmbët e tija.

Ora 00:26
Ndërpriten kërkimet në Thumanë...një pjesë e punonjësve në gatishmëri

Gazetari i Report Tv Ermal Qorri raporton se në Thumanë janë ndërprerë kërkimet, për të vijuar në një moment të dytë kur të zbardh dita. Një pjesë e punonjësve do të qëndrojnë në gatishmëri në këtë zonë, për shkak se ka dyshime që mund të ketë ende njerëz në rrënoja, por ky informacion është ende i pakonfirmuar.

Ora 00:20
Nxirret në Thumanë trupi i pajetë i një 55-vjeçareje...vijojnë kërkimet me kamera termike

Pak minuta më parë është nxjerrë në Thumanë trupi i një gruaje 55-vjeçare, identiteti i të cilës nuk dihet ende. Nata dhe temperaturat e ulëta kanë vështirësuar kërkimet, por nuk kanë ndalur shpresën se të humburit nën rrënoja kanë ende jetë. Mësohet se tek Pallati 6-katësh në lagjen 18 në Durrës dhe në zonën Kënetës po punohet me kamera termike.

Ora 23:26
Tërmeti çan muret e Kalasë së Krujës

Përveç humbjeve të jetëve që futën në zi Shqipërinë, një humbje e madhe është edhe nga ana kulturore. Pas dëmeve në muret mijëra vjeçare të kalasë së Durrësit, janë çarë edhe muret e kalasë së Krujës. Po ashtu edhe Kalaja ka marrë dëme të mëdha.

Ora 22:58
Shembja e 6-katëshit te Këneta/ Banorët: Dyshojmë për dy studente nën rrënoja (S'ka kërkime)

Gazetari i Report Tv Aldo Kozarja raporton nga Durrësi se në hyrje të zonës së Kënetës në një pallat gjashtë kate të shembur prej mëngjesit të sotëm ende nuk kanë filluar kërkimet edhe pse është i rrethuar me perimetër sigurie. Në këtë pallat që në katin e parë ishte supermarket, të tjerët banimi banorët kanë deklaruar jashtë kamerave për Report Tv se në disa hyrje banonin studentë. Sipas gazetarit të Report Tv Aldo Kozarja banorët kanë thënë se në godinë ishin katër vajza, teksa njëra ka humbur këmbët, ndërsa kunati i saj është në gjendje kome. Por dyshimet, gjithmonë bazuar te dëshmitë e banorëve janë se nën rrënoja janë dy studente. Por pas 16 orëve nga tërmeti në këtë pallat që është kthyer në rrënojë nuk ka ende kërkime dhe nuk dihet se perse.

Ora 22:33
Vazhdojnë kërkimet dhe në orët e vona sëbashku me forcat e huaja (VIDEO)
Ora 22:32
Nuk dihet fati i 20 të zhdukurve, katër zonat ku po kërkohet...ende ka shpresë

1574803981_rrenojat.jpg
Pavarësisht errësirës grupet e kërkim shpëtimit vijojnë punën për të gjetur jetë njerëzish nën rrënoja. Të humburit dyshohet se janë 20 për të cilët vijojnë kërkimet në katër zona; Thumanë, Këneta në Durrës, te pallati gjashtë katësh afër kryqit të kuq dhe te Vila Palma po në Durrës.

Ora 22:00
Shkon në 24 numri i viktimave! Nxirret i pajetë një tjetër person në Thumanë

Një person ende i paidentifikuar është nxjerrë nga rrënojat. U raportua fillimisht se ai ishte gjallë, por fatkeqësisht nuk ka mundur dot të mbijetojë. Bëhet fjalë për një djalë në Thumanë.  

Ora 21:38
Tragjike! Kjo është 30-vjeçarja që humbi jetën nga tërmeti bashkë me vajzën (FOTO)

1574800583_dienamecaj.jpg

Diena Meçaj me vajzen qe humben jeten nga termeti tragjik
 

Tërmeti u mori jetën nënë e bijë në orët e para të ditës së sotme në Durrës. Report Tv publikon foton e 30-vjeçares që humbi jetën së bashku me vajzën si pasojë e tërmetit tragjik. Diena Meçaj arriti që të mbijetonte për shumë orë nën gërmadha, por në momentin që u nxor duke u shpëtuar ndërroi jetë në spital.

Pak orë para se të ndërronte jetë 30-vjeçarja humbi vajzën 8-vjeçe. Ajo u gjet nën rrënojat e një pallati 6-katësh në Durrës. Diena Meçaj jetonte vetëm me vajzën, pasi burri i kishte ndërruar jetë pak vite më parë, ndërsa tashmë familja është shuar për fat të keq duke u bashkuar në qiell.

Ora 21:34
Po e kërkonte daja me pasaportë në dorë...15-vjeçarja e pajetë ndodhet në morgun e spitalit të Lezhës

Është identifikuar një tjetër viktimë e tërmetit 6.4 ballë në Shqipëri. Ajo është Drita Cakoni, 15 vjeç. Cakoni është vajza e cila daja e tij e kërkonte në QSUT me një pasaportë në dorë. Trupi i saj i pajetë ndodhet në morgun e spitalit të Lezhës.

Ora 21:32
Nxirren pas më shumë se 16 orëve trupat e pajetë të dy vëllezërve kosovarë, lanë pas 6 fëmijë jetim

Nxirren trupat e pajetë të dy vëllezërve kosovarë te Hotel Tropikal. “Express” sjellë rrëfimin e dhimbshëm nga Livoçi i Gjilanit. Mbijetesën po e siguronin nga punët që kohë pas kohe po i kryenin si mekanikë në Shqipëri. Me këto punë, dy vëllezërit tashmë të ndjerë Shemsedin e Isa Abazi, njëri 32 e tjetri 29 vjeçar po merreshin një kohë të gjatë. Por e hëna doli të jetë fatale për këta dy vëllezër. Ata ahstu si mijëra shqiptarë të tjerë u goditën mbrëmë rreth orës 04:00 pas mesnate nga një tërmet me magnitudë prej 6.4 shkallë të rihterit duke mbetur kështu nën gërmadhat e hotelit ku po qëndronin.

Për fatin e tyre nuk u ditë asgjë për më shumë se 15 orë. I pari pa shenja jete u gjet Isai, 29-vjeçar. Më pas, i vdekur u gjet edhe vëllai i tij, Shemsedini 32-vjeçar. Gazeta Express, sot ka qëndruar në shtëpinë e këtyre dy vëllezërve në fshatin Livoç të Gjilanit. Ata janë të shokuar nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë.

“Nuk po duam të besojmë se ata janë djemtë tanë. Kjo nuk është e mundur. Thjeshtë nuk mund që të jenë ata”, flasin nën lot familjarët e dy vëllezërve tashmë të ndjerë.

Ata tregojnë se Shemsedini e Isai, kishin shkuar për punë në Durrës. Këta të dy kanë lënë pas edhe fëmijë, njëri katër  tjetri dy.

Ora 21:12
Ministria e Shëndetësisë jep shifra zyrtare: 650 persona të lënduar

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë shifra zyrtare sa i përket personave të lënduar nga tërmeti. Referuar burimeve zyrtare 650 persona janë lënduar dhe kanë marrë shërbim në spitale.

"Gjate ditës së sotme 650 të lënduar nga tërmeti kanë marrë shërbim në spitale

Aktualisht: 65 të shtruar në spitalin e Traumës dhe në spitalin e Durrësit. Gjendja paraqitet e stabilizuar, 9 prej tyre janë në observim intensiv. Urgjenca kombëtare: 1200 thirrje për ndihmë; 260 misione me autoambulance", njofton ministria e Shëndetësisë.

Ora 21:04
Meta rikthehet në Durrës: Jemi në momente dramatike, kërkimet do të vijojnë

Presidenti Ilir Meta është rikthyer sërish në Durrës, aty ku vijojnë operacionet e kërkim shpëtimit për personat që gjenden nën rrënoja.

"Sot jemi në momente mjaft dramatike për shkak të kësaj fatkeqësie natyrore. Është një fatkeqësi që kërkon angazhim të palodhur sepse ka njerëz nën rrënoja sepse kërkojnë ndihmë sikur është rasti këtu, që po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme. Është një punë që nuk po bëhet vetëm këtu, por edhe në Kënetë, Thumanë dhe do të vazhdojë edhe në orët në vazhdim. Shpresojmë që së bashku do të arrijmë që të minimizojmë dëmet, që të rikuperojmë më pas këto dëme materiale. Kërkimet do të vazhdojmë dhe është pozitive që nga Greqia po na ndihmojnë. Puna do të vijojë pa u ndalur", tha Meta.

Ora 20:38
Doli gjallë nga rrënojat, por 30-vjeçarja humb jetën pak orë më vonë në spital

Doli gjallë nga rrënojat, por 30-vjeçarja humb jetën pak orë më vonë. Bëhet fjalë për Diena Meçaj,e cila pak orë më parë kishte humbur fëmijën e saj 8-vjeçare. Ajo u gjet nën rrënojat e një pallati 6-katësh në Durrës. 

Ora 20:22
Me lot në sy duke kërkuar të vëllanë në Thumanë, gruaja merr lajmin e shumëpritur

Pas orës 20:00 të darkës, kur ka qenë nën rrënoja prej ors 03:54 të mëngjesit që ra tërmeti, Pëllumb Gregu është shpëtuar nga forcat e policisë dhe të ushtrisë, teksa ky moment është shoqëruar me duartrokitje. Është një mrekulli sesi ai dhe shumë të tjerë që u nxorrën në mbrëmje nga rrënojat ja dolën të mbijetojnë pa ujë, mes gërmadhave dhe mes plagëve që kanë marrë pas lëkundjes së fortë 6.4 ballë të tërmetit, që u ndje më së shumti në Thumanë, në pallatin ku Pëllumb Gregu jeton.

Motra e tij priste në ankth lajme për të vëllanë dhe teksa kryeministri Edi Rama shkoi në Thumanë për të parë nga afër situatën, ju hodh e përlotur duke i kërkuar ndihmë për gjentjen e vëllait. 'O shpirt i motrës, o Pëllumb' shprehej ajo, teksa tashmë ka marrë lajmin e shumëpritur se vëllai i saj është mirë dhe do t'i nënshtrohet trajtimit mjekësor.

Ora 19:11
'Hapini dyert se do vdesim këtu!' Të dënuarit revoltë pas tërmeteve (Pamjet nga 313-ta)

Tërmeti i fuqishëm që tronditi Shqipërinë duke shkaktuar shumë të vdekur dhe të plagosur ka sjellë panik dhe frikë edhe te të burgosurit, të cilët kanë bërë thirrje në Report Tv që të lirohen nga qelitë në mënyrë që të dalin në zonën e ajrimit. "Kërkojnë të na nxjerrin nga qelitë në zonën e ajrit" shprehen disa prej tyre që ndodhen në burgun e Fushë Krujës të trembur duke kërkuar ndihmë. Report Tv ka siguruar pamjet nga ajo që ndodhi në orët e para të mëngjesit te burgu 313 në Tiranë. Të dënuarit përplasnin dyert e burgjeve duke kërkuar që të lirohen nga qelitë dhe të nxirreshin në zonën e ajrimit.

Ora 18:51
Nxirret një 24-vjeçar pa shenja jete nga rrënojat në pallatin 6 katësh në Durrës

Nxirret një24-vjeçar pa shenja jete nga rrënojat në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18 në qytetin e Durrësit. Viktima dyshohet të jetë i seksit mashkull, i cili ka qëndruar për më shumë se 14 orë nën rrënoja.

Ora 18:38
Shqipëria nuk gjen qetësi, vijon vala e goditjeve të tërmetit në Durrës


Vala e goditjeve nga lëkundjet pas tërmetit të fortë 6.4 ballë me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë vijojnë ende. Paradite, në mesditë, por edhe pasdite vijojnë lëkundjet me epiqendër në detin Adriatik në Durrës. Lëkundja e fundit sizmike ishte 3.7 ballë në det në orën 18:09:57. Tre minuta para lëkundjes së fundit ishte një tjetër në 18:06:03, 4 ballë.  Lëkundjet janë ndjerë jo vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë, Fushë Krujë, Thumanë dhe zonat përreth.

Ora 18:20
14 orë nën rrënoja me vajzën 8-vjeçare të vdekur, shpëton nëna 30-vjeçare (VIDEO)

Pas shkollës së “Mjeshtërisë” në rrënojat e një pallati 6-katësh në Durrës, pas 14 orë përpjekjesh, forcat speciale Renea  bënë të mundur nxjerrjen e 30-vjeçares e cila është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Ky veprim është duartrokitur nga banorët e tjerë të pranishëm pranë këtij objekti. Por fatkeqësisht, kjo 30-vjeçare ka humbur vajzën e saj 8-vjeçare rreth 2 orë më parë.

Ora 17:53
Ministri i Jashtëm: Dy vëllezërit kosovarë në Durrës vdiqën! Ambasadori: Ishin në një dhomë

1574786961_ShemsedindheIsaAbazi.jpg
Ministri i Jashtëm në detyrë, Behxhet Pacolli shkruan se edhe kosovari i dytë te Hotel Tropikal ka ndërruar jetë. Ata thuhet kishin pesë ditë që ishin duke qëndruar në Shqipëri duke punuar. “Shemsedin 32 dhe Isa Abazi 29-vjeç, dy vëllezër nga Gjilani janë dy nga viktimat e sotme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Abazi. Ne ndajmë dhimbjen tuaj!”, ka shkruar Pacolli. Në orët e para të ditës së sotme pas rënies së tërmetit dy të rinjtë nga Kosova ishin gjallë dhe kërkuan ndihmë përmes telefonit, por nuk arritën që të mbijetojnë deri në ndërhyrjen e grupeve të shpëtimit, që i nxorën të pajetë. Ndërkohë që ambasadori i Kosovës në Shqipëri, i pranishëm sot në Durrës në një prononcim për Report Tv u shpreh se "Isa Abazi është gjetur pak më parë, ndërsa bëhet përpjekje për nxjerrjen e vëllait të tij, që është nën rrënoja. Kjo është një tragjedi. Vëllezërit kanë qenë të dy bashkë në një dhomë. Po shikojmë në objektet e tjera nëse ka kosovarë".

Ora 17:43
Tërmeti i fuqishëm në Shqipëri/ Bllokohet qarkullimi i automjeteve në mbikalimin e Shkozetit

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se për shkak të tërmeteve të përsëritura do të mbyllet kalimi në i automjeteve në mbikalimin e Shkozetit.

"Autoriteti Rrugor Shqiptar ju bën me dije se, pas tërmeteve të përsëritura disa herë gjatë ditës, për Mbikalimin e Shkozetit, nga supervizori i kompanisë së mirëmbajtjes dhe ARRSH, u mor vendimi që të mbyllet për trafikun Mbikalimi i Shkozetit. Kontraktori dhe Policia Rrugore është prezente në vend për të drejtuar trafikun. Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës derisa kjo situatë të qetësohet!" përfundon njoftimi.

Ora 17:40
Nënë e bir nxirren pajetë nga rrënojat në Thumanë

Rritet bilanci negativ nga tërmeti, pasi dy banorë të tjerë të Thumanës, nënë e bir (Sardi Çuka) janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e godinës që i zuri poshtë në orët e para të ditës së sotme. Thumana ka qenë një nga zonat më të goditura nga tërmeti pasi shembja e pallateve mori disa jetë njerëzish.

Ora 16:54
Tërmeti në Shqipëri fotot që bënë jehonë në mediat botërore
Ora 16:42
Daja kërkon mbesën e humbur nga Thumana: Pasaportën ia gjeta në gërmadhat e tërmetit! Shteti të më tregojnë ku është

Daja i një 15-vjeçares Drita Çakoni është paraqitur në Spitalin e Traumës në kërkim të mbesës së tij. Ai thotë se ka gjetur pasaportën e 15-vjeçare në gërmadha, ndërsa kërkon nga shteti që t'i gjejë se ku ndodhet ajo.

“Jam daja i vajzës. Pasaporta është gjetur në gërmadha. Kjo është mbesa ime Drita Cakoni 15 vjeçe që është e humbur në gërmadha. E kam kërkuar, sapo erdha nga Thumana. Nuk kam gjetur asgjë akoma. Kërkoj nga shteti të më japë një sqarim. Motra është në gjendje të rëndë brenda. Djali 12 vjeç në gjendje të mirë shëndetësore, por i shokuar.

Tani ka humbur dhëndri dhe vajza. Shteti të më tregojë ku është Drita, në morg apo në spital dhe babai i saj Kastriot Cakoni. Telefoni i dhëndrit punon, nuk përgjigjet kush. Kam parë tmerr sot, njerëzit e copëtuar dhe të sakatuar. Është tmerr i vërtetë”, tha ai.

Ora 16:16
Banorët: Njerëzit janë nën dhe! Rama në Thumanë: Kush është ende gjallë në rrënoja do të shpëtojë

Kryeministri Edi Rama vizitoi banorët në Thumanë që janë zhvendosur për të kaluar natën në çadra.

Banorja: Jemi tragjedi, njerëzit brenda në dhe, vëllezërithe motrat tonë që jemi rritur bashkë, nuk di se cfarë të them.

Edi Rama: Do të bëjmë çmos. Njeriu nën rrënoja mund të mbijetojë disa ditë. Të gjithë i kemi vënë kapacitet në dispozicion, do të kthehemi nuk do u lëmë vetëm.

Banorja 2: Zoti e bëftë mirë.

Edi Rama: Kush e ka fatin të jetë akoma duke marrë frymë do të shpëtojë, kush ka marrë goditjen fatale...

Banorja 3: Ne fukarenj ishim, tani u mbaruam komplet

Edi Rama: Më dëgjo pak, gocën ta kesh me jetë të gjallë. Kur të mbarojë kjo atëherë...

Banorja 4: Të lutem, dua një çadër në oborr

Edi Rama: Patjetër është detyrë e jona

Ora 16:05
Nxirret i pajetë nga hoteli i shembur 'Tropikal' një nga vëllezërit kosovarë, tjetri ende nën rrënojat

Një tjetër i pajetë është nxjerrë nga rrënojat. Pas orëve të gjata, prej tërmetit të rënë në 03:55, një djalë nga Kosova është nxjerrë nga forcat e policisë dhe ushtria i pajetë. Së bashku me vëllain e tij, djali nga Kosova kishin mundur të kërkonin ndihmë përmes telefonit, por pas orëve të tëra në operacion shpëtimi, ai nuk mundi t'ia dalë. Hoteli është shembu i gjithi siç edhe shihet në foton që Shqiptarja.com sjell. Nuk dihet ende se si do të jetë fati i vëllait të tij, ndërsa lutjet e të gjithëve tashmë janë që personat nënë rrënoja t'ia dalin të mbijetojnë.

Ora 16:01
Forcat e Sigurisë së Kosovës... bashkë me qenin hero në mision për të shpëtuar jetë!

1574780542_qqeni.jpg

Forcat e Sigurisë së Kosovës janë angazhuar në misionet e shpëtimit në Durrës në Thumanë ku gjendja paraqitet më emergjente për shkak se kanë qenë më afër epiqendrës së tërmetit që goditi Shqipërinë.  Gjendja deri më tani vijon të duket alarmante.

Aksioni vijon në qytetin e Durrësit ku rreth 15 persona dyshohet të jenë ende nën rrënoja në 9 objekte, ndërkohë që nuk dihet ende gjendja e tyre.

Ora 15:52
'O shpirt i motrës, o pëllumb'...Më nxirrni vëllanë me nusen! Gruaja e dëshpëruar përlotet në krahët e Ramës (VIDEO)

Këtë pasdite kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Thumanës, së bashku me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ndërsa prej orëve të paradites atje ndodhet zv.kryeministri Erion Braçe. Familjarët që kanë shpëtuar janë ende në ankth dhe të dëshpëruar, të mbajtur nga një fije shpresë se në mesin e rrënojave, të afërmit e tyre të zemrës do të dalin gjallë. Një grua e cila ka prej mëngjesit që pret të mësojë për fatin e vëllait të saj dhe nuses së tij, ka shpërthyer në lot ankti dhe frike për të mësuar fatin e të dashurve të saj.

Nëse do të kisha mundësi - thotë ajo - do të ndërhyja vet për të parë nëse janë mirë ose jo. Por operacioni për shpëtimin e personave nën rrënoja është i vështirë për shkak se tre pallate në Thumanë thuajse janë rrënuar totalisht, dhe po punohet me mjete të posaçme për të mos rrezikuar asnjë nga personat që mund të jetë i mbijuetuar. Gruaja thotë se ka nën rrënoja vëllain e saj Pëllumb Gregu dhe nusen e tij Çelike Gregu.

Ora 15:24
Dëmet nga tërmetet/ ISHMT: Mos i përdorni ashensorët deri në njoftim të dytë

1574778297_783036621255045222292427763639955775029248n.jpg

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka njoftuar banorët se nuk duhet të përdorin ashensorin deri në njoftim të dytë, për shkak të rrezikut nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë.

"Përdorues të ashensorëve/Banor/Administator/Persona Përgjegjës, nisur nga situata e krijuar dhe dëmet e shkaktuara prej lëkundjeve të forta sizmike të datës 26 Nëntor, lutemi të merrni masat për mospërdorimin e ashensorëve deri në një njoftim të dytë. Kjo është për sigurinë e jetës për Ju dhe familjet tuaja!", njofton ISHMT.

Ora 14:20
Prefektja e Tiranës bën bilancin e dëmeve nga tërmeti, Vora bashkia më e prekur

Prefektja e Tiranës Suzana Jahollari ka bërë bilancin e dëmeve nga tërmeti në qarkun e Tiranës.

Bilanci
Në Vorë 13 pallate të dëmtuara, 42 banesa, 12 biznese, të prekur 112 banorë. Ka nevojë për 100 çadra strehimi.
Në Tiranë 130 banesa të dëmtuara dhe 20 pallate, ka nevojë për 120 çadra, 200 shtretër
Në Kamëz 10 pallate të dëmtuara ka nevojë 50 çadra dhe 200 shtretër
Në Rrogozhinë 10 pallate të dëmtuara ka nevojë për 10 çadra.
Në Kavajë 3 pallate të dëmtuara, 10 shtëpi, 4 banesa të pabanuara. Ka nevojë për 10 çadra.
Në Golem 4 pallate të dëmtuara

Ora 14:10
Sërish lëkundje të forta tërmeti me magnitudë 5 ballë

Një tjetër lëkundje e fortë tërmeti me magnitudë 5 ballë është regjistruar në orën 14:05 minuta me epiqendër në detin Adriatik me thellësi 10 km. Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete, pasi ishin të forta. Pas goditjes së fortë 6.4 ballë në orën 03:55 të mëngjesit të së martës vala e lëkundjeve ka vijuar me pasgoditje të forta ditën e sotme.

Ora 14:07
Ministrja e Shëndetësisë: Rreth një mijë thirrje për ndihmë nga tërmeti, mbi 600 të lënduar

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se në urgjencën kombëtare ka pasur rreth një mijë thirrje për ndihmë, ndërsa të lënduarit janë mbi 600. "Vijojmë të jemi në gatishmëri maksimale në të gjitha spitalet Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Është bërë një punë e jashtëzakonshme nga mjekët, për t'u përballur me kurajo dhe solidaritet nga të gjitha ekipet. Janë më shumë se 600 të lënduar që janë paraqitur në spital, te Trauma nga minutat e para janë mbi 210 të lënduar, 35 janë ende në shërbime e spitalit të Traumës, 9 janë raste më të rënda janë në observim. Shpresojmë që cdo gjë do të shkojë mirë. Në spitalin e Durrësit janë 25 të lënduar që ende janë në reparte. Urgjenca kombëtare ka 45 ekipe në terren, 950 thirrje kanë mbërritur në qendrën e koordinimit dhe 190 misione janë kryer. Në spital nuk ka pasur humbje jete" tha ajo

Ora 13:49
Rama: Nxorëm 41 persona nga gërmadhat! Do ta përballojmë bashkë këtë pabesi të natyrës

Kryeministri Edi Rama në një komunikim në Facebook u shpreh se janë nxjerrë 41 persona nga gërmadhat, ndërsa shumë shtete kanë shprehur gatishmërinë dhe po vijojnë që të sjellin ndihma në Shqipëri."Kemi nxjerrë 41 persona nga gërmadhat. Kryetarë shtetesh më kanë njoftuar se do të nisin skuadra emergjencash. Kanë mbërritur të parat trupat e Kosovës me porosi të Presidentit Thacit, që më ka shprehur gatishmërinë për shtetin vëlla. Kanë mbërritur helikopterë italianë dhe një skuadër nga Mali i Zi, po ashtu nga Greqia. Nga Turqia, Franca, po ashtu edhe Gjermania. SHBA ka shprehur gatishmërinë. Kjo fatkeqësi kërkon kurajo dhe durim dhe qetësi. Janë të lehta të thuhen në këtë situatë ekstreme, por së bashkë do ta përballojmë këtë pabesi të madhe të natyrës. Mjekët dhe infermierët në gatishmëri. Cfarë nuk të vret të forcon. Plaga e sotme e madhe do të na bëjë më të fortë nesër" tha Rama.  

Ora 13:19
Tjetër lëkundje tërmeti


Tjetër lëkundje tërmeti me magnitudë të vogël 3.2 ballë me epiqendër 5 km nga Mamurrasi  në orën 12:52:49  është ndjerë sërish në Tiranë, Durrës, Fushë Krujë,Thumanë dhe zonat përreth.

Ora 12:30
Sizmologu i njohur grek: Rreziku më i madh nga tërmeti në Shqipëri kaloi


Sizmologu i njohur grek Akis Tselentis ka deklaruar në një prononcim për mediat në Athinë se nuk pritet tërmet më i fortë se ai që goditi vendin tonë, pasi rreziku më i madh kaloi.  “Tërmeti i Durrësit u ndje deri në Patra, jug të Greqisë. Epiqendra ishte në Adriatik. Tërmeti i parë ishte 6.4 kurse i dyti 5.8. Shtëpitë në Shqipërisë nuk janë si të Greqisë. Në Shqipëri nuk janë ndërtuar shtëpitë me standardet për të përballuar tërmetet. Si pasojë kemi kaq të plagosur dhe te vdekur. Nuk pritet të kemi më tërmet kaq të madh, mund të pasohet nga të vegjël. Tërmeti i Durrësit ishte qendror. Por ka rrezik që mund të ketë tërmete në Korçë sepse çarja e Durrësit ngatërrohet me atë të Korçës. Aty ku mbaron çarja e Durrësit fillon e Korçës” tha ai.

Ora 11:46
FA nis ngritjen e çadrave për të strehuar banorët

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë nisur ngritjen e çadrave për të strehuar të gjithë banorët e prekur nga tërmeti i fuqishëm që la pas viktima e shumë dëme materiale në vendin tonë.

Fillimisht çadrat kanë nisur të hapen në Fushë-Krujë e Durrës, për shkak se zonat më të prekura nga ky tërmet ishin në Thumanë dhe në qytetin e Durrësit.

Ora 11:12
Rama reagon sërish: Shkon në 28 numri i të shpëtuarve, keqardhje jashtëzakonshme

Kryeministri, Edi Rama ka reaguar sërish për situatën e krijuar nga tërmeti i fuqishëm që la pas viktima e dëme të shumta materiale. Rama shkruan se deri më tani janë shpëtuar 28- persona. Ndërkohë që kërkimet për të shpëtuar të gjallët që mund të jenë nën rrënoja po vijojnë me ndërsa pas pak orësh do fillojnë të na bashkohen njëra pas tjetrës skuadrat speciale nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Serbia, Mali i Zi.

"Sapo ka mbërritur në 28 numri i të shpëtuarve. Do të vijojnë kërkimet që do të kryhen me durim e imtësi deri në fund, ndërkohë që pas pak orësh do fillojnë të na bashkohen njëra pas tjetrës skuadrat speciale nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Serbia, Mali i Zi.

Por lehtësimi për çdo jetë të shpëtuar s’e bën më të vogël dhimbjen për jetët e humbura dhe keqardhjen e jashtëzakonshme për familjet që lotojnë të humburit. Edhe pse fjalët i merr era në këto raste,u përcjell ngushëllimet më vëllazërore familjeve që tani qajnë njerëzit e tyre." shkruan Rama.

Ora 10:42
Manastirliu e përlotur në Spitalin e Durrësit: Ekipet mjekësore në gatishmëri, po trajtohen 600 të lënduar ne spitale

termet.jpg" style="height:520px; width:780px" />

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu nga spitali rajonal i Durrësit tha se po marrin shërbim nga 176 qytetarë në këtë spital, asnjë prej tyre nuk është në gjendje të rëndë. “Kemi përforcuar ekipet e urgjencës, këtu në Durrës sapo kanë mbërritur ekipet e urgjencës nga Shkodra për të ndihmuar për përballimin e situatës. Në spitalet e Tirabës, Durrësit, Krujës, Kurbinit dhe Lezhës kanë marrë shërbim mbi 600 të lënduar si pasojë e tërmetit”, tha Manastirliu.

Janë marrë masa për furnizimin me medikamente dhe materiale mjekësore dhe ekipi i urgjencës po organizon shërbimin në territor. Janë mbi 500 thirrje të përballuara nga Urgjenca Kombëtare, e cila ka kryer 120 misione me autoambulancë. Ekipet mjekësore aktualisht është në gjendje gatishmërie të plotë në spitale.

Ora 09:40
Xhaçka: Jemi me mendje dhe zemër pranë personave që kanë humbur të afërmit nga tërmeti! I gjithë shteti është në këmbë (VIDEO)

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka bërë një komunikim për situatën e deritanishme nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë. Xhaçka tha se i gjithë shteti është në këmbë, ndërsa u shpreh se po mblidhen raportime nga çdo qark për të përllogaritur dëmet.

"Deri tani janë 135 të lënduar dhe 12 shtrime në spitalin e Durrësit, 60 në QSUT dhe rastet janë duke u shtuar. Janë konfirmuar 7 jetë të humbura, 3 në Durrës, një në Lezhë e një në Kurbin. Operacionet vazhdojnë. Jemi pranë me mendje dhe me zemër të afërmve dhe familjarëve të tyre. Jemi ende duke mbledhur raportime nga çdo qark, por është e pamundur të llogariten dëmet tani. Kurajo të gjithëve. I gjithë shteti është në këmbë", u shpreh Xhaçka.

Deklarata e plote

Këto janë momente shumë të vështira për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse ndodhen në zonat që pësuan goditjen e madhe të tërmetit, apo në zonat e sigurta ku goditja ka kaluar pa pasoja.

Ngjarja është vërtet shumë e rëndë. Situata është e vështirë. Për fat të keq nga kjo goditje ka pasur jo vetëm më shumë dëme e më shumë të plagosur, por edhe viktima. Deri në këtë moment janë konfirmuar 7 qytetarë, që kanë humbur jetën. Është shpresa jonë, është lutja e çdo qytetari shqiptar, që ky numër të mos rritet më tej dhe, me mendje e me zemër, ju gjendemi pranë të gjithë atyre qytetarëve, që ende s’kanë mundur të rivendosin kontaktin me të afërmit e tyre.

Është një moment i tmerrshëm, por dua t’u them të gjithë qytetarëve që ky nuk është një moment për të vajtuar. Ky është një moment për t’u solidarizuar, për të ndihmuar njëri - tjetrin, për të menaxhuar me gjakftohtësi një situatë tragjike dhe tejet të vështirë. Dhe dua të falënderoj qytetarët e Durrësit, Golemit, Kavajës, Thumanës e cilido qytet tjetër të prekur nga tërmeti, që kanë bërë aq shumë për të ndihmuar të afërmit e fqinjët, për të mbështetur forcat e emergjencës, duke shpëtuar jetë.

Goditja kryesore e tërmetit u shënua në orën 3:55 minuta dhe ishte e magnitudës 6,3, me thellësi 10 km dhe me epiqendër në Durrës.

Një tjetër goditje kryesore e shkallës 5.5 Rihter dhe epiqendër në Kepin e Rodonit, u shënua pas goditjes së parë, ndërkohë që prej atij momenti janë shënuar mbi 100 goditje dytësore dhe situata mbetet ende aktive.

Durrësi dhe Thumana janë dy lokalitetet e goditura më rëndë. Me dëme të mëdha materiale e tragjikisht edhe me 7 jetë të humbura, siç konfirmohet deri në këto momente sipas informacioneve paraprake. Në të gjitha këto zona, në të gjitha godinat e shembura vazhdon puna e kërkim - shpëtimit, por siç keni mundur ta ndiqni edhe përmes mediave, janë operacione tejet të vështira, ku duhet punuar ngadalë pasi ekziston një rrezik shumë i madh që godinat të pësojnë shembje ose rrëshqitje të mëtejshme, duke rrezikuar jo vetëm banorët që mund të jenë të bllokuar, por edhe forcat e shpëtimit.

E gjithë qeveria dhe e gjithë struktura drejtuese e Emergjencave Civile është në terren. Bashkë me Kryeministrin kemi qenë në zonat e prekura që në momentet e para, bashkë me FA, Policinë e Shtetit, forca të përforcuara zjarrfikëse dhe ambulanca, të cilat janë të pranishme dhe duke punuar në zonat e goditura më rëndë. Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e shërbimit shëndetësor, nga të gjithë qarqet, janë nisur drejt Durrësit, ku situata është më e rëndë.

Janë 400 efektivë të FA aktualisht në terren, por e gjithë FA ka kaluar tashmë në gjendje gatishmërie të plotë.

Janë mbi 1000 efektivë të Policisë së Shtetit në gatishmëri dhe disa qindra personel mjekësor, por është një situatë e rëndë, qoftë për shkak të numrit të madh të godinave të dëmtuara, qoftë për shkak të shtrirjes së tyre gjeografike. Është një situatë dhe një ngjarje e përmasave të atilla që çdo vend do ta kishte të vështirë për ta përballuar i vetëm.

Lajmi i mirë, është që nuk jemi vetëm. Të gjithë aleatët kanë ofruar ndihma urgjente. Ndërkohë që grupet tona vazhdojnë punën janë duke mbërritur grupe të specializuara kërkim - shpëtimi nga Italia dhe grupe ekspertësh janë vënë në lëvizje tani që flasim edhe nga Turqia. Vëllezërit tanë në Kosovë janë duke dërguar po ashtu ekipe të specializuara të FSK për të ndihmuar dhe të gjithë aleatët kanë ofruar ndihmë bashkë me BE, i gatshëm për të angazhuar mekanizmin e Mbrojtjes Civile.

E thashë më lart, që qytetarët kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme me solidaritetin e tyre. Ata janë heronjtë e vërtetë të kësaj dite, por ndihma më e madhe që ju kërkoj të na japin tani, është që të kufizojnë në maksimum lëvizjet me automjete, për t’ju dhënë mundësi qarkullimi mjeteve të emergjencës. Në orët e para pas tërmetit kryesor, forcat e emergjencës kanë hasur në vështirësi serioze për të arritur në lokalitetet e dëmtuara më rëndë, për shkak të bllokimit të rrugëve.

Dua t’ju bëj thirrje me forcë, të gjithë qytetarëve, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar, që të evitojnë qëndrimin në këto ambiente. Është shumë e rëndësishme që dëmtimet të verifikohen, që të ketë një prognozë të saktë nga ekspertët të sigurisë së tyre.

Ju bëj thirrje qytetarëve, po ashtu, që të ruajnë qetësinë dhe gjakftohtësinë. Edhe sot, për fat të keq, ka pasur shumë dëmtime që janë shkaktuar nga paniku. Kjo është një situatë ku ka nevojë për qetësi, solidaritet dhe gjakftohtësi.

Mësimi sot në të gjitha shkollat, universitetet, kopshtet e çerdhet është pezulluar dhe do të vazhdojë i pezulluar edhe nesër. Është një mundësi që familjet të mblidhen së bashku për të siguruar sidomos më të vegjlit që e kanë vuajtur më shumë situatën e frikës e traumës. Por është edhe një mundësi që studentët nga qytetet e tjera të Shqipërisë që studiojnë në Tiranë e Durrës, të mund të kthehen pranë familjeve të tyre sepse e kuptojmë fare mirë ankthin e frikën që ka ndjerë sot çdo familje që ka të afërm veçanërisht në Durrës, Lezhë apo Tiranë.

Për një pasqyrë paraprake të situatës, që dua ta theksoj është duke u përditësuar minutë pas minute:

Rezultojnë deri tani 135 të lënduar dhe 12 shtrime të konfirmuara në spitalin e Durrësit. 60 të shtruar në QSUT, por rastet janë duke u shtuar.

Janë konfirmuar 7 jetë të humbura. 3 në Durrës, 2 në Thumanë, një në Lezhë dhe një rast në Kurbin.

Fatkeqësisht, operacionet e kërkim shpëtimit vazhdojnë dhe janë ende një numër qytetarësh që mendohet se ndodhen nën rrënojat e disa godinave të shembura në Durrës. Lutja jonë është që ata të gjenden shëndoshë e mirë dhe ju gjendemi pranë me mendje e me zemër familjarëve të tyre. Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për t’i shpëtuar.

Është e parakohshme dhe është e pamundur që t’ju jap qoftë edhe një shifër paraprake të godinave të dëmtuara, sepse jemi ende duke mbledhur raportime nga çdo qark dhe do t’ju mbajmë të informuar ore pas ore gjate gjithë ditës.

Kurajo, gjithë shteti është në këmbë dhe do të bëjmë gjithçka për ta përballuar sëbashku këtë situatë kaq të veshtirë

Ora 09:36
Drejtori i Spitalit të Traumës: 15 të shtruar nga dëmtimet nga tërmeti! 3 prej tyre në gjendje të rëndë (VIDEO)

Drejtori i Traumës Arben Zenelaj është shprehur se deri në këto momente në spitalin e Traumës janë paraqitur 180 persona për shkak të dëmeve nga tërmeti.

Ai tha se vijojnë të jenë në gjendje të rëndë 3 persona, një prej të cilëve i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Zenelaj tha se një prej tyre është nga Durrësi dhe dy nga rrethinat e Tiranës.

"Janë të shtruar 15, 20 prej tyre në ekzaminime, 3 në gjendje të rëndë. Pjesa tjetër janë me dëmtime më të lehta. Numri i pacientëve që janë paraqitur në spital është 180.

Në momentin që vijnë në spital të bashkëpunojnë me personelin mjekësor. Të gjitha spitalet janë në gjendje gatishmërie.

1 pacient është operuar. Një prej tyre nga Durrësi, dy të tjerët nga zonat e Tiranës", tha Zenelaj.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësë njofton se në spitalin e Durrësit kanë marrë trajtim mjekësor 150 persona ndërsa në QSUT 60 të tjerë.

Njoftimi i plote

Ekipet mjekësore janë në gatishmëri të plotë në spitale për t’i dhënë ndihmën e parë çdo qytetari në nevojë, si pasojë e tërmetit të fortë që goditi vendin.
Janë paraqitur për trajtimin e duhur mjekësor 180 të lënduar në spitalin universitar të Traumës, prej të cilëve 15 janë shtruar në spital, prej tyre 3 janë në gjendje më të rënduar.

Në Spitalin e Durrësit 150 të lënduar kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa vijojnë të mbërrijnë qytetarë që kanë nevojë për ndihmë. 

60 të lënduar janë trajtuar në QSUT 

Qendra e koordinimit të Urgjencës ka pritur 392 thirrje dhe janë realizuar 91 misione në spitale.

Ministrja Manastirliu po ndjek nga afër situatën bashkë me ekipin e shëndetësisë që po japin ndihmën e nevojshme shëndetësore çdo qytetari në nevojë!

Ora 09:16
Vullnetarët e Emergjencave Civile: Të nisim menjëherë operacionin për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve të lënduar

1574754909_durres.jpg

Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile ka bërë apel të gjithë vullnetarëve, mjekëve dhe infermierëve, që të angazhohen menjëherë për të nisur një operacion shpëtimi për njerëzit që janë të lënduar nga tërmeti i rënë mëngjesin e sotëm.

“Situatë emergjente! Të dashur vullnetarë, situata është katastrofike në Thumanë dhe Durrës. Ndaj kërkohet angazhimi i menjëhershëm i mjekëve dhe infermierëve të qendrës tonë për të nisur një operacion shpëtimi për njerëzit, që janë lënduar.

Sa më shpejt të veprojmë sot për të shpëtuar jetë njerëzish. Numri i kontaktit 069 74 40 332.

Sot ndihma juaj është më shumë se e çmuar për ta përballuar këtë fatkeqësi të madhe që ka prekur vendin tonë. Sot është dita, që duhet të tregojmë solidaritetin tonë për të mos shënuar më shumë viktima se deri më tani.”-shkruan Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile.

Ora 08:48
1900 policë në terren, u jepet ndihmë 260 qytetarëve

Rreth 1,900 forca policie janë të angazhuara në terren, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.  Deri në këto momente u është dhënë ndihmē mbi 260 qytetarëve.

"Për çdo ndihmë telefononi në numrin falas 112!", apelon policia.

Ora 08:44
Shpëtohen 23 persona nga rrënojat në Durrës

Shpëtohen nga rrënojat e ndërtesave të shëmbura,rreth 22 persona në qytetin e Durrësit, të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjeksore. Ndërkohë operacionet e shpëtimit po vijojnë kërkimin e personave të tjerë që mund të gjenden nën rrënoja në ndërtesat e shembura. Pas kërkimeve, u nxorr gjallë nga rrënojat e një pallati pranë kryqit të Kuq në lagjen numër 18, një grua e moshuar.

Ora 08:29
7 persona të bllokuar nën rrënoja në zonën e Kënetës, një fëmijë nxirret i palgosur! (VIDEO)

Një fëmijë është nxjerrë i plagosur nga rrënojat e një pallati në zonën e Kënetës në Durrës ndërkohë që 7 banorë të tjerë vijojnë të mbeten të bllokuar.

Ora 08:18
Tre persona përgjigjen nën rrënoja në Thumanë, fiken eskavatorët! Nis heqja e tullave me dorë (VIDEO)

 

Një person sapo është gjetur i gjallë nën rrënoja në një nga pallatet që u shembura në Thumanë. Ky persona ka kërkuar fillimisht ndihmë nga telefoni.

Ndërkohë që dyshohet se nën rrënoja janë edhe dy persona të tjerë. Ata u janë përgjigjur forcave të evakuimit. Kështu eskavatorët janë fikur në mënyrë që të mos krijohen dëme tek personat nën rrënoja.  Të gjitha tullat do të hiqen me dorë një nga një.

Ndërkohë gazetari i Report Tv bën me dije se pas lëkundjet e tërmetit janë të herëpashershme.

Ora 08:07
Vijojnë kërkimet në Thumanë, dyshohet se ka viktima të tjera nën rrënoja (VIDEO)

Situata në Thumanë vijon të mbetet alamante. Deri më tani janë shënuar dy viktima ndërkohë vijojnë kërkimet e policisë pasi dyshohet se nën rrënojë mund të ketë edhe viktima të tjera. 

Ora 08:06
Tërmeti çan murin dhe shemb gurët e Kalasë së Prezës


Tërmeti i fortë që shkundi Shqipërinë orët e para të mëngjesit të sotëm, ka shkaktuar dëme edhe  në Kalanë e Prezës.

Muri i kullës së lartë është çarë, si dhe kanë rënë disa gurë. Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb por lëkundja ka qenë aq e fortë sa kjo kala edhe pse u ka rezistuar viteve, është dëmtuar rëndë.

Ora 08:03
Manastirliu: Po koordinohen të gjitha ekipet e emergjencës, situata është nën kontroll (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga spitali i Traumës në Tiranë, ka deklaruar se situata për momentin është nën kontroll. Ajo ka shpjeguar se tek spitali i Traumës deri më tani janë trajtuar 135 të lënduar. Në spitalin e Durrësit janë mjekuar 130 persona të cilët kanë marrë lëndime.

Manastirliu është shprehur se të gjitha forcat e ndërhyrjeve emergjente po koordinohen për tu ardhur në ndihmë të gjithë personave të prekura.

"Me shume se 190 thirrje vijnë nga Durrësi 98 misione me ambulanca që janë bërë. Tek Trauma janë 130. 12 shtrime të konfirmuara. Kanë realizuar trajtimet. Në Durrës janë 130 qytetarë. Do të jenë edhe në Durrës. Kanë ardhur edhe 5 të lënduar t tjerë. Në QSUT janë më shumë se 60 raste. Spitalet në Tiranë në Durrës dhe Lezhë janë të përforcuar me staf mjekësor. Po kështu edhe në terren kemi ekipe të emergjencës. Jemi duke trajtuar të gjitha rastet. Situatat është në kontroll deri tani. Janë raste të vështira dhe po ndiqen do të kemi informacione të mëtejshme. Po koordinohemi. Do të shkojmë në Durrës dhe në Thumanë. " tha Manastirliu.
 

Ora 07:56
Informacion ne perditesim nga spitalet

Deri tani:
Trauma 135 te lenduar kane marrë trajtim 
Ne Spitalin e Durresit 130 te lenduar
Ne QSUT 60 raste
Qendra koordinimit te urgjences ka pritur 392 thirrje jane realizuar 91 misione ne spitale

Ora 07:44
Dëmet në Tiranë, pjesa anësore e një pallati pranë Drejtorisë së Policisë u shemb mbi trotuar

Edhe në Tiranë, tërmeti ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Një pallat pranë Drejtorisë së Policisë ka pësuar dëme të mëdha. Një pjesë anësore e katiti të dytë është shembur dhe ka rënë në trotuar. Pallati gjendet në rrugën Sami Frashëri shumë pranë Drejtorisë së Policisë. Edhe tek pallatet afër Kthesës së Kamzës është shembur një ballkon. Nga të dy vend ngjarjet fatmirësisht nuk ka persona të dëmtuar. 

Ora 07:30
Situata e rëndë nga tërmeti, Meta, Basha, Braçe, Lleshaj dhe Xhaçka në Thumanë (VIDEO-FOTO)

Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka mbërritur Thumanë, ku ka pasur dy të vdekur nga tërmeti që ndodhi mëngjesin e ditës së sotme.

“Vendi ynë u godit nga një valë tërmetesh si asnjëherë më parë në errësirën e orëve të para të ditës së sotme! E rëndësishme të punohet me përkushtim e profesionalizëm për të shpëtuar çdo jetë njerëzore që ndodhet nën rrënojat e ndërtesave dhe të ndihmohen të plagosurit. E rëndësishme të evidentohen banorët që s’mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe që kanë nevojë për strehim. Qeveria t'u kërkojë institucioneve ndërkombëtare ndihmë. Besoj se të gjithë qytetarët tanë do dinë ta përballojnë këtë fatkeqësi me solidaritet, kurajo dhe duke i'u gjendur pranë me çdo mënyrë vëllezërve dhe motrave tona më të dëmtuar.”-është shprehur Meta.  

Po ashtu, edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, ndodhet në Thumanë, tek pallati që është shembur nga lëkundjet e fortë.

Basha me banorët në Thumanë

Basha është takuar ma banorët që janë dëmtuar më rëndë nga tërmeti. Situatën nga afër e pa edhe zv.kryeministri Erion Braçe, i cili mësohet se do të qëndrojë në këtë zonë për të koordinuar operacionin e kërkim-shpëtimit.

Në Thumanë ndodhet edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj si dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila ka informuar Presidentin Meta për situatën.

Ora 07:27
TËRMETI i fuqishëm/ Reagon kryeministri Rama: Ka viktima... Durim, solidaritet, kurajo!

Kryeministri Edi Rama njofton se të gjithë strukturat e shtetit janë në këmbë që në momentin e para pas tërmetit ndërsa po punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në Durrës dhe Thumanë. Ai bën thirrje se duhet ruajtur qetësia për të përballuar këtë goditje.

"Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura. Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë

Eshtë një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje SE BASHKU", shkruan Rama.

Ora 07:26
Bie tërmet teksa kërkonin për të mbijetuar, ushtarët dhe banorët ikin me vrap (VIDEO)

Teksa Forcat e Ushtrisë, Emergjencat Civile si dhe banorë po kërkonin në rrënojat e një pallati të shembur, për të mbijetuar, janë ndjerë përsëri lëkundje tërmeti në Thumanë. 

Në video duket momenti kur lëkundjet kanë bërë që ata të vrapojnë nga vendi ku po kërkonin.

 

Ora 07:20
Nxirret nga rrënojat gjyshja e pajetë, tre të shpëtuar në Thumanë... (VIDEO)

Një e moshuar ndërroi jetë e zënë nën rrënoja teksa nipi i saj u shpëtua. Në Thumanë deri më tani u nxorrën nga rrënojat 3 të gjallë dhe 2 të vdekur. Kërkimet janë bërë në një pallat 5 katësh të  rrëzuar, ndërkohë që janë të dëmtuar ehde pallate të tjerë. 

Nxjerrja e trupit te pajete te gjyshes ne Thumane
Nxjerrja gjalle nga rrenojat e nje personi
Ora 07:16
Tërmeti i fuqishëm/ Uji i pusit del në sipërfaqe me vetërrjedhje (VIDEO)

Për shkak të tërmeti puset e ujit në Fushë-Krujë kanë bërë të mundur që uji të dalë nga pusi në sipërfaqe.

Ora 07:12
Tjetër lëkundje tërmeti, 5.4 ballë

Tjetër lëkundje e fortë tërmeti është ndjerë në Tiranë, me magnitudë 5.8. Pas lëkundjes së fortë të orës 03:55 pritet të ketë të tjera lëkundje të njëpasnjëshme, por që IGJEUM u shpreh se goditja kryesore ka kaluar

Ora 07:07
Rëndohet bilanci/ Tjetër i vdekur nxirret nga rrënojat në Thumanë

1574748764_cf0678503c9a4e24972f53bc86816170.jpg

Shënohet viktima e dytë në Thumanë, duke e çuar në pesë numrin e të vdekurve si pasojë e tërmetit. 

Ora 07:03
Tërmeti dëmton Kalanë 3000 vjeçare të Durrësit

Nga tërmeti i fuqishëm është dëmtuar edhe Kalaja 3000 vjeçare e qytetit të Durrësit.

Ora 07:02
Shënohet viktima e katërt, në Durrës nxirret i pajeti nga rrënojat e pallatit

Është shënuar në Durrës një viktimë, duke e çuar në katër numrin e personave që humbën jetën deri më tani nga tërmeti 6.4 ballë. Viktima është nxjerrë nga rrënojat e një pallati në lagjen numër 18 pranë Kryqit të Kuq.

Ora 06:54
Meta pas vizitës në Spitalin e Traumës: E kam paralajmëruar prej kohësh rrezikun e goditjes së Shqipërisë nga tërmetet (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka vizituar të dëmtuarit nga tërmeti në Spitalin e Traumës. Meta ka bërë thirrje që të gjithë ekipet e emergjencës të jenë në gatishmëri në ndihmë të personave që kanë nevojë për ndihmë. Meta tha se e ka paralajmëruar prej kohësh këtë situatë.

"Duket që ka lëndime të jashtëzakonshme. Shpresoj të mos ketë viktima. Ka të plagosur në gjendje të rëndë. Duhet të verifikohen banesat nëse qytetarët kanë nevojë për ndihmë. Kërkohen raportime më të shpejta nga i gjithë vendi. Falënderoj personelin mjekësor që po bën gjithçka për të shërbyer. E gjithë Shqipëria është tronditur rëndë. Duket se edhe është përgjakur por shpresojë të mos ketë viktima të tjera. E kam paralajmëruar prej kohësh rrezikun e goditjes së Shqipërisë nga tërmetet. Të sqarojmë nëse ka apo jo njerëz për ndihmë', u shpreh Meta.

Më vonë presidenti Ilir Meta ishte në Thumanë ku pa nga afër gjendjen e banorëve të prekur nga tërmeti. Ai tha se qeveria duhet t'i kërkojë ndihmë insticucioneve ndërkombëtare për të përballuar këtë situatë.

“Vendi ynë u godit nga një valë tërmetesh si asnjëherë më parë në errësirën e orëve të para të ditës së sotme! E rëndësishme të punohet me përkushtim e profesionalizëm për të shpëtuar çdo jetë njerëzore që ndodhet nën rrënojat e ndërtesave dhe të ndihmohen të plagosurit. E rëndësishme të evidentohen banorët që s’mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe që kanë nevojë për strehim. Qeveria t'u kërkojë institucioneve ndërkombëtare ndihmë. Besoj se të gjithë qytetarët tanë do dinë ta përballojnë këtë fatkeqësi me solidaritet, kurajo dhe duke i'u gjendur pranë me çdo mënyrë vëllezërve dhe motrave tona më të dëmtuar.”-është shprehur Meta.

1574785686_meta.jpg

Meta gjatë vizitës në Thumanë 
Ora 06:49
IGJEUM: Goditja kryesore kaloi, por shmangni rrezikun dhe vijoni të qëndroni jashtë

Sipas IGJEUM goditja kryesore ka kaluar. Në zonën epiqendrore qytetarët këshillohen të qëndrojnë jashtë pasi pasgoditjet që përvijojnë mund të shkaktojnë dëmtime të mëtejshme.

Ora 06:48
Veliaj: Kemi hapur disa palestra për strehim provizor. Pezullohen kopshtet dhe çerdhet

Në një kohë që të gjitha grupet e emergjencës janë në terren, Bashkia e Tiranës ka hapur disa palestrave të shkollave për strehim provizor për të gjithë qytetarët. Kryebashkiaku Veliaj njofton se sot pezullohet mësimi në të gjithë shkollat, kopshtet dhe çerdhet, ndërsa do të bëhet edhe verifikimi I këtyre objekteve. 

“Sot pezullohet mesimi ne gjithe shkollat, kopshtet e çerdhet e Tiranes! Na duhet te verifikojme çdo objekt e te mos rrezikojme femijet! Faleminderit per mirekuptimin ne nje situate aspak te lehte!  *Disa palestra do te rrine hapur per strehim provizor”, shkruan Veliaj.

Ora 06:38
Tërmet i fuqishëm në Shqipëri, 6.4 ballë (VIDEO-FOTO)

Raportimet LIVE në Report TV pas termetit

Ora 06:33
Tërmeti i fuqishëm/ Pezullohet për dy ditë mësimi, shkolla nis më 2 dhjetor - Nuk do të ketë as seanca gjyqësore

Mësimi në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të vijojë i pezulluar për dy ditë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë. 

Gazetarja e Report Tv Doris Sallaku raporton se aktualisht shkollat janë në fazën e inspektimit ndërkohë që 10 prej tyre nuk janë funksionale për shkak të dëmeve të shumta nga tërmeti.

Shkollat do të vijojnë pushimet për 6 ditët në vijim duke qenë se dita e enjte dhe e premte janë pushim zyrtar për shkak të festave të nëntorit.

Po ashtu, edhe Gjykatat kanë pezulluar të gjitha seancat e parashikuara për ditën e sotme.

"Për shkak të situatës së krijuar si rrjedhojë e lëkundjeve sizmike, duke patur prioritet kryesor sigurinë e qytetarëve dhe të personelit të gjykatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton se nuk do të zhvillohen gjyqe në gjykatat që ndodhen në qytetet Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Lezhë, Laç, deri sa autoritetet kompetente të konfirmojnë përshtatshmërinë e godinave respektive. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e gjykatave për çdo zhvillim të mëtejshëm", thuhet në një njoftim të KLGJ-së.

Ora 06:26
150 persona në spital pas tërmetit (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësië Ogerta Manastrerliu ishte në Spitalin e Traumës për të parë nga afër situatën e të lënduarve që kanë shkuar për mjekim pas lëkundjeve të fuqishme të tërmetit.

Ministrja Manasterliu tha se ekipet mjekësore në gatishmëri.150 persona po marrin trajtim në spital deri më tani, në Tiranë dhe në Durrës dhe Krujë. 

Ministrja e Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu nga Spitalii Universitar i Traumës tha se po marrin shërbim 75 qytetarë, kryesisht me fraktura në gjymtyrë si pasojë e tërmetit të fortë që tronditi vendin. 

Nē të gjithë vendin, në Tiranë, Durrës dhe Krujë, sipas të dhënave paraprake 150 qytetarë po marrin shërbim në spitale.

Ekipet mjekësore aktualisht është në gjendje gatishmërie të plotë si në Tiranë, Durrës dhe gjithë Shqipërinë.

Ora 06:19
TËRMETI/ 2 viktima në Kurbin, njëri hidhet nga ballkoni nga frika, tjetrin përplaset me makinë

Të tjera pasoja tragjike nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. Në Kurbin janë shënuar dy viktima. Njëri është hedhur nga ballkoni nga frika e tërmetit. Ndërsa një tjetër ka vdekur pasi ka humbur drejtimin e automjetit dhe është përplasur duke gjetur vdekjen.

Ora 06:10
Edhe Durrësi me dëme të mëdha materiale...Forcat e Armatosura dhe Speciale për kërkimet nën rrënoja (VIDEO)

Qyteti i Durrësit ka dëmë të mëdha materiale, dhe njëjtë si Thumana, ka shembje të pallateve ku po bëhën kërkime nën rrënoja. Pallati tek lagjjja numër 18 pranë Kryqit të Kuq, është shembur thuajse totalisht. Në Thumanë e Durrës janë nisur 300 efektivë të Forcave të Armatosura  ku raportohen dëmet më të mëdha. Mes efektivëve janë edhe Forcat Speciale.

Në Durrës ka shkuar më herët edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe kryeministri Edi Rama, ndërsa kryeministri Erjon Braçe është nisur drejt Thumanës.

Ora 06:05
Tërmeti i fuqishëm/ Mbani afër fëmijët dhe të moshuarit...Telefononi për çdo problem në nurmin 112

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka bërë të ditur se ekipet e emergjencës janë në terren ndërsa u bën thirrje të qytetarëve të telefonojnë në numrin 112 për çdo problem.

 Veliaj kërkon prej qytetarëve që të zbatojnë me kujdes udhëzimet në rast tërmeti. “Tërmeti i fortë pranë Adriatikut preku gjithë Tiranën. Ekipet e emergjencës janë në terren! Telefononi 112 per çdo nevojë emergjente. Zbatoni pa panik udhezimet ne rast termeti! Mbani afer femijet e te moshuarit!” thekson Veliaj.

Ora 05:43
Situatë TRAGJIKE në Thumanë, 3 pallate të shembura, njerëz nën rrënoja

Situata më e rëndë nga tërmeti, veç qytetit të Durrësit, paraqitet në Thumanë të Fushë-Krujës. Nga raportimet e para, të cilat duhet theksuar se janë ende kontradiktore dhe jo të konfirmuara nga organet zyrtare, raportohet të jenë shembur 3 pallate. Dyshimet janë që nën rrënojë të ketë edhe persona të lënduar, ndërsa flitet edhe për viktima, por ende jo zyrtare. Forcat zjarrfikëse dhe policia janë në vendngjarje për të bërë të mundur shpëtimin e personave që mund të jenë nën rrënoja.

Ora 05:34
FOTOT - Dëmet nga tërmeti në Tiranë dhe Durrës...Mure të rënë nga lartësitë...Në Lushnje çahet asfalti

Lëkundjet e njëpasnjëshme sizmike që tronditën Shqipërinë në orët e para të mëngjesit, kanë shkaktuar deri nga raportimet e para, dëme të shumta materiale. Në Durrës janë shembur disa godina dhe restorante të njohura, ndërsa në Lushnje është çarë edhe asfalti.

Foto nga Durrësi

Foto nga dëmet në qytetin e Lushnjes

Ora 05:31
Tërmeti në Tiranë/ I riu bie nga kati i tretë në zonën e ish-bllokut

Një i ri raportohet të ketë rënë nga kati i tretë në zonën e ish-bllokut. I riu është marrë me ambulancë dhe është shoqëruar për në spital ndërsa ende nuk ak të dhënë për gjendjen e tij shëndetësore.

Ora 05:28
Ministrja e Mbrojtjes me urgjencë drejt Durrësit

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka do të niset drejt Durrësit pas lekundjeve të njëpasnjeshme të orës së fundit.

Sipas të dhënave paraprake lëkundja e orës 3.50 ishte me magnitude 6.4 e shkallës rihter.

"Ministrja Xhacka dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile jane ne kontakt te vazhdueshem me prefekturat, vecanerisht me ate te Durresit per situaten", thuhet në një njoftim nga zyra e shtypit të ministrisë.

Ora 05:21
E gjithë Tirana në rrugë....Panik nga tërmeti që shkundi Shqipërinë (VIDEO)

Thuajse e gjithë Tirana ka dalë në rrugë nga paniku i përhapur pas tërmetit të fuqishëm 6.4 ballë që shkundi Shqipërinë.

Shqiptarja.com sjell disa nga këto momente ku njerëzit kanë dalë në rrugë, e disa të tjerë janë larguar me makina nga qyteti në drejtim të zonave me banesa përdhese.

Ora 05:18
Dëme të mëdha në Thumanë, dëmtohet edhe nënstacioni elektrike në Fushë-Krujë

Në fshatin Zhejë të Kurbinit një banesë është shembur duke u kthyer në të pabanueshme.

Bëhet fjalë për banesën e Fran Ndrecë Pirolit. Ndërkohë, tërmeti ka dëmtuar edhe nënstacionin elektrik që ndodhet në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, i cili furnizon me energji gjysmën e rrethit. 

Në Thumane rapotohet për tre pallate që kanë pësuar dëmtime të mëdha.

Ora 05:14
VIDEO- Dëme të shumta në Durrës, shembet restoranti i njohur - Fotot nga rrënojat

Në lagjen numër 13 në qytetin e Durrësit është shembur totalisht restoranti i njohur Mira Mare, i cili është edhe hotel 4 katësh.

termet miramare.jpg" style="height:733px; ëidth:780px" />

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arkitekti: 27/11/2019 01:26

    ATA QE KANE DHENE LEJET PER TE NDERTUAR KETO LOKALE E HOTELE NE PLAZH QE U SHEMBEN,,,,DUHEN TE ARRESTOHEN MENJEHERE,,,SEPSE KANE BERE KRIME NDAJ POPULLIT DHE TE GJITHA NDERTESAT NE PLAZH QE JANE TE KRISURA NE MENYRE SERIOZE TE PLANIFIKOHEN PER TU PRISHUR SEPSE ATY NUK MUND TE FUSESH ME NJEREZ SEPSE DO KEMI VIKTIMA TE REJA,,....SA ME SHPEJT EDI RAMA MERR MASA,,prish ndertesat e krisura,,,,NE PLAZH KEMI NJE MASAKER URBANISTIKE DHE KUSH ESHTE PERGJEGJES TE PERGJIGJET PER KRIMIN QE KANE BERE...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 446 kilogramë kokainë nga Amerika Latine në Holandë u kapën, bisedat e Suel Çelës dhe biznesmeni Shega: Na vodhën, të vrasim, duhet shembull

DOSJA/ 446 kilogramë kokainë nga Amerika Latine në Holandë u kapën, bisedat e Suel Çelës dhe biznesmeni Shega: Na vodhën, të vrasim, duhet shembull