Teksa orët kalojnë dhe numri i viktimave vijon të rritet, detaje të reja kanë dalë në dritë për sa i përket bilancit tragjik, nga tërmeti i rënë mëngjesin e sotëm në orën 03:54. Një nga zonat më të prekura nga ky tërmet është, Thumana, ku nga lëkundjet janë shembur 3 pallate duke lënë pas shumë viktima e të plagosur që gjenden ende nën gërmadha. Burime për Report Tv bëjnë me dije se njëri prej pallateve të shembura në Thumanë ishte shpallur i pabanueshëm që pas tërmetit që ra gjatë verës më 21 shtator.

Por ndryshe nga tërmeti i rënë në qershor që ishte 5.8 ballë, tërmeti i kësaj të marte të zezë për shqiptarët rrafshoi pallatin në fjalë dhe dy të tjerë ngjitur me të. Ndërkohë nuk dihet ende se pse ky pallat që ishte shpallur i pabanueshëm që 2 muaj më parë, vijonte të kishte familje brenda, të cilët tragjedia e dytë e tërmetit të sotëm, 6.4 ballë, u mori jetën shumë prej tyre dhe la nën gërmadha shumë të plagosur. Për këtë rast nuk është raportuar të paktën deri më tani nëse kanë nisur hetimet nga Prokuroria dhe instancat përkatëse. Nëse do të zbatoheshin masat e sigurisë dhe pallati në fjalë do të ishte boshatisur që në qershor kur u dha alarmi, ndoshta bilanci tragjik i këtij tërmeti do të ishte më i lehtë.

Deri më tani, në Durrës dhe në Thumanë janë nxjerrë nga gërmadhat 24 trupa të pajetë, ndërsa edhe pse e trishtë të thuhet, numri i viktimave mund të shtohet.