Dhuna e militantëve të Sali Berishës ndaj Policisë së Shtetit në protestën e stome ka sjellë reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të mazhorancës.

Duke shprehur mirënjohjen për profesionalizmin e punonjësve të policisë, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu tha se dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe sipas saj, asnjë lloj axhende nuk e justifikon përdorimin e saj.

Koçiu vizioi në spital policët që mbetën të plagosur pasi u sulmuan me molotovë, duke e quajtur një akt barbar. Koçiu tha se synimi i protestës ishte të lëndoheshin policët.

"E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj.

Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi. Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve", shkroi Koçiu. 

Ndërsa vizitoi policët e lënduar në QSUT, ajo dënoi fort dhunën ndaj tyre duke thënë se ata që i kanë goditur nuk janë protestues, por kriminelë të organizuar.

"Ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda. Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje", shkroi ajo krah një tjetër postimi.

Ndërsa ka ironizuar ‘kilometrin e fundit’ të PD, ministri i shtetit për marrëdhëniet me parlamentit, Toni Gogu thotë se shndërrimi i një proteste në skenë dhune me molotovë, fishekzjarre, e tym nuk është rruga që e çon Shqipërinë drejt BE-së. 

I ashpër në reagimin e tij ka qenë deputeti Erion Braçe, i cili dhunën e militantëve të PD-së ndaj policisë e ka quajtur një përpjekje për të vrarë shërbyes të shtetit në detyrë.

Ndërsa kreu i grupit socialist Taulant Balla shkon përtej protestës, duke e akuzuar Sali Berishën se sulmon institucionet për të devijuar vëmendjen nga ajo që po ndodh në Hagë ndaj 4 ish-liderëve të UÇK-së, për të cilët është kërkuar 180 vite burg.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:36
Kokë e këmbë në të zeza dhe të fshehur pas pankartave, Balla ndan videon nga protesta: PD duhet të distancohet nga këta kapuçzinj!

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka ndarë një postim në rrjetet sociale nga një moment i shkëputur gjatë protestës së PD. Një grup protestuesish të cilët mbajnë kapuçë të zinj në kokë, kanë formuar një rreth dhe janë fshehur pas pankartave.

“Partia Demokratike duhet të distancohet nga këta kapuçzinj! Këta nuk janë popull opozitar, këta janë një grup kriminal!”, shkruan Balla.

Gjatë protestës, grupi hodhi molotovët dhe fishekzjarret drejt kryeministrisë.

 

Ora 22:31
Koçiu për dhunën ndaj efektivëve: Goditësit e policëve nuk janë protestues, por kriminelë të organizuar! Ishte tentativë vrasjeje, jo protestë

Pas vizitës në QSUT ku u gjend pranë disa prej policëve të lënduar gjatë protestës së PD, ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka ndarë një reagim edhe në rrjetet sociale.

Ajo ka publikuar emrat dhe moshën e efektivëve të lënduar ku më i riu është 21 vjeç. Koçiu ka dënuar fort dhunën ndaj policisë duke thënë se ata që i kanë goditur nuk janë protestues, por kriminelë të organizuar. Ministrja thotë se kjo është një tentativë vrasjeje, ndërsa ka kërkuar reagim të fortë nga institucionet ligjzbatuese

“Në shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT, pranë punonjësve të Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur nga molotovët e hedhur në mënyrë barbare drejt tyre.

Ledio 26 vjeç, Kreshniku 38, Enesi 21, Klevi 27, Bledari 27. Kundër tyre e kolegëve të tyre u përdorën molotovë, bomba artizanale të mbushura me lëndë djegëse, gurë, çdo gjë me të vetmin qëllim për goditur e dhunuar ata që janë në krye të detyrës.

Dua ta them qartë! Ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda.

Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje.

Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjellje të përsëritur të dhunës nga disa element kriminal të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën”, shkruan ministrja krah videos.

Ora 21:56
Dhuna në protestën e PD, deputeti Malaj: Rikthim te 1997, turpëruat edhe një herë opozitarizmin

Rikthim te trazirat e 1997-ës e konsideroi deputeti i PS, Erion Malaj dhunën në protestën e Berishës. Në një postim në rrjetet sociale, Malaj u thotë kundërshtarëve politikë se trupëruan edhe njëherë opozitarizmin.

“Dhuna juaj nuk është protestë. Është rikthim te 1997 dhe çdo faqe të errët të historisë sonë demokratike që ju keni shkaktuar! Rrezikuat jetën e policëve dhe turpëruat edhe një herë opozitarizmin. Shqiptarët ju njohin, ju kujtojnë dhe ju kanë ndëshkuar me votë. TURP”, shkroi ai.

 

Ora 21:32
Dhuna ndaj efektivëve të policisë, mesazhi i Ballës: Kush ngre dorë ndaj tyre, ka ngritur dorë ndaj shtetit

Taulant Balla ka ndarë një mesazh solidariteti në drejtim të punonjësve të Policisë. 16 prej tyre janë lënduar gjatë protestës së Partisë Demokratike duke marrë lëndime e djegie. Kreu i grupit parlamentar të PS ka dënuar dhunën kundrejt tyre.

“Solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit!”, shkruan Balla.

Policët po trajtohen në QSUT dhe në Spitalin e Traumës.

 

Ora 21:12
16 efektivë të lënduar nga protesta e PD, ministrja Koçiu: Dhunë barbare, qëllimi i vetëm ishte goditja e punonjësve të policisë

16 efektivë janë lënduar gjatë protestës së sotme të PD. Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, e cila shkoi në QSUT, tha se dhuna ishte barbare. Koçiu u shpreh se qëllimi i vetëm i kësaj proteste ishte goditja e efektivëve.

"Kam kërkuar që të vendosën para përgjegjësisë të gjitha ata që sot u bënë pjesë e një dhune barbare. Qëllimi i vetëm i protestës së sotme ishte goditja e punonjësve të Policisë së Shtetit. Sot kam informacione që edhe gazetarë kanë pësuar lëndime në emër të dhunës që ushtrohet në protesta. Protestat janë detyrime kushtetuese për t’u zbatuar në mënyrë paqësore. Ligjet, institucionet dhe njerëzit që zbatojnë ligjin duhet të respektohen. Janë 16 efektivë që po marrin trajtim në dy strukturat spitalore më të rëndësishme, por presim nga momenti në momenti në moment të kemi referime të tjera. Janë 16 punonjës që janë dëmtuar, kanë pësuar djegie të konsiderueshme. Uroj shërim të shpejtë!", tha Koçiu.

Ora 20:55
Braçe dënon ashpër dhunën në protestën e Berishës: Përpjekje për të vrarë policët në detyrë

1770753467_xftuyhiop.png

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka dënuar ashpër dhunën në protestën e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe e ka konsideruar protestën e sotme si një përpjekje të militantëve për të vrarë efektivët e Policisë së Shtetit.

Duke kërkuar që ‘kjo përpjekje për të vrarë’ të mos falet, Braçe ka shtuar se ky model protestash nuk është më i mbrojtur nga ligji.

Postimi i Braçës:

TIRANA SOT, OBORRI I KUVENDIT TE REPUBLIKES;

KJO NUK ESHTE ME PROTESTE-E GARANTUAR DHE E MBROJTUR NGA LIGJI;

KETA NUK JANE ME PROTESTUES-NE TE DREJTEN E TYRE DHE TE MBROJTUR NGA LIGJI;

KJO ESHTE PERPJEKJE PER TE VRARE SHERBYES TE SHTETIT-POLICE TE SHTETIT NE DETYRE!

SHIHINI PAMJET! ME PROVE SE KAQ NUK KA!

NESE POLICIA DHE DREJTESIA E FAL KETE PERPJEKJE PER TE VRARE-sic eshte toleruar cdo here ne 12 VITE,

ATEHERE KJO ESHTE TRADHETI SHUME E MADHE NDAJ ATYRE BURRAVE E GRAVE TE NDERSHEM QE PO MBROJNE SHTETIN, SHTETIN E SHQIPTAREVE, AS TE PARTIVE E AS TE POLITIKANEVE!!

Ora 20:40
Balla për dhunën në protestë: Berisha sulmon institucionet e Shqipërisë, kur udhëheqësit e Kosovës përballen me akuza të trilluara në Hagë

1770752494_dtsxyuyy.png

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar dhunën në protestën e thirrur nga Sali Berisha, duke shkruar se ajo nuk ndodh rastësisht në një ditë kur udhëheqësit e Kosovës përballen me akuza të trilluara në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla thotë se të njëjtën gjë Berisha ka bërë edhe në shkurt të vitit 1999, kur udhëheqësit e Kosovës firmosën Marrëveshjen e Rambujesë.

Sipas Ballës, si sot, edhe atëherë Berisha sulmoi institucionet e Shqipërisë, për të devijuar vëmendjen ndërkombëtare nga ajo që po ndodhte me Rambujenë.

“A është rastësi që si në Shkurt 1999 kur udhëheqësit e Kosovës firmosnin Marrëveshjen e Rambujesë, ashtu edhe në Shkurt 2026 kur udhëheqësit e Kosovës përballen e akuza të trilluara në Hagë, Sali Berisha sulmon institucionet e shtetit shqiptar?!”, ka shkruar Balla në postimin e tij.

Ora 20:37
“Opozita shndërron protestën në skenë dhune”, Gogu për protestën e PD: Kilometri i fundit s’bëhet me megafon e molotovë

Toni Gogu ka ndarë një reagim për protestën e dhunshme të PD, të mbushur me molotovë duke thënë se kjo nuk është rruga përpara. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin thotë se ky është një largim nga protesta qytetare dhe paqësore, pasi “kilometri i fundit” drejt BE-së nuk bëhetr me “megafon, molotovë e spektakël.”

“Kilometri i fundit” – dy rrugë, dy botë

Opozita bërtet për “kilometrin e fundit”.

Dhe pastaj e shndërron protestën në skenë dhune: molotovë, fishekzjarre, tym, si të ishte kjo “rruga” përpara.

Tërhiqen zvarrë nga ustallarët e dhunës, dhe largohen gjithmonë e më shumë nga protesta qytetare dhe paqësore.

Ndërsa “kilometri i fundit” i Shqipërisë drejt BE-së nuk bëhet me megafon, molotovë e spektakël.

Përshkohet nga fermeri që respekton normat, nga punëtori që punon ditë e natë, nga mësuesi që formon qytetarë, nga infermieri dhe mjeku që mbajnë sistemin gjallë, nga nëpunësi që zbaton ligjin.

Ata le të shpallin “fitoren” e radhës për kamerat.

Shqipëria le të ecë përpara me mund, me djersë dhe me rezultate, deri te mbyllja e kapitujve.

“Kilometri i fundit” nuk është spektakël.

Është punë.

Dhe destinacioni quhet Europë”, shkruan Gogu.

 

Ora 19:12
Balla dënon sulmet ndaj institucioneve në protestën e Berishës: Fshehin dështimin e tyre me tym e flakë, drejtësia t'i bëjë shembull!

1770747285_balla3.jpg

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dënoi sot sulmet e dhunshme ndaj institucioneve dhe punonjësve të policisë gjatë protestave të Sali Berishës, duke thënë se ato po përdoren për të fshehur dështimin e opozitës.

Duke shoqëruar postimin e tij me një video që tregon pjesëmarrjen e tkurrur në protestën e Berishës, ai theksoi se liria për të protestuar është e garantuar në Shqipëri, por nënvizoi se dhuna ndaj forcave të rendit nuk mund të justifikohet

Sipas tij, Policia e Shtetit mban një barrë të rëndë në ruajtjen e rendit dhe përballet çdo ditë me situata të rrezikshme. Deputeti socialist shtoi se drejtësia duhet të veprojë dhe të bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë.

“Dy fjalë për fundin e protestave të bufit, ku sulmohen punonjësit e policisë dhe institucionet. Ndoshta për të fshehur me tym e flakë dështimin e tyre. Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë. Por sa kohë ligji e thotë qartësisht, nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur për të shërbyer në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve. Duhet t’i mbrojmë ata që na mbrojnë dhe duhet të kujdesenm për ata që kujdesen për sigurinë e qytetarëve. kjo është ajo që bën një shtet i drejtë dhe normal. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë, ndërsa drejtësia t’i bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit” shkruajti Balla në Facebook.

 

Postimi i Taulant Ballës në Facebook