TIRANË - Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla reagoi për herë të parë për videon e publikuar të një personi duke pirë kokainë, dhe që Partia Demokratike e akuzoi duke thënë se është pikërisht Lefter Alla. Teksa ditën e sotme, Report Tv tentoi disa herë të lidhet në telefon me kryebashkiakun për të marrë një reagim të tijin, Lefter Alla ka zgjedhur të bëjë një reagim publik në rrjetin social Facebook, duke thënë se gjithçka është e montuar dhe shantazh nga ana e PD-së.

Kryebashkiaku i Bulqizës thotë se kjo është kriminale dhe se për të, Partia Demokratike ka vijuar aksionin e saj politik njëjtë si audio-përgjimi i "Babales" të cilën ai e quan telenovelën e radhës.

Alla hedh akuza të rënda kur thotë se ky aksion politik po koordinohet me "grupe biznesi e kriminale që dikus plaçkisnin pasuritë minerare të Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike".

Kryebashkiaku thotë se do të qëndrojë në detyrë, ndërsa shton se është krenar që "një nga punët më të mira që ka bërë është largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP".

"Është për të ardhur keq kur një parti që ka bërë histori në këtë vend, një parti që pretendon se është alternativë qeverisëse, e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale. Por, është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike. Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua!

Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast.

Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh. Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët. Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP", shkruan Alla. 

Pavarësisht se e quan video-montazh, kryebashkiaku i Bulqizës, nuk thekson nëse është ai apo jo në videon që thotë se është shantazh nga PD dhe e montuar.

Foto e personit te duke pire kokaine, qe PD tha se eshte kryetari i Bashkise se Bulqizes

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:27
Hajdari pas videos ku PD pretendon se Lefter Alla pi kokainë: Në një vend me pasuri minerale si Bulqiza qytetarëve nuk i ofrohet asgjë

1576770323_hajdari.jpg

Kryetarja e grupit parlamentar Demokrat, Rudina Hajdari ka reaguar pas publikimit të videos ku Partia Demokratike pretendon se kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla shfaqet duke pirë drogë. Hajdari thotë se qytetarëve të Bulqizës që është një vend me pasuri minerale nuk i ofrohet asgjë, ndërsa kryebashkiakë përcaktohen konsumatorë të kokainës.

"Një vend me pasuri minerale si Bulqiza, prej vitesh është shfrytëzuar nga politikanë e biznesmenë. Qytetarëve të këtij vendi nuk ju ofrohet asgjë më shumë se mjerim dhe varfëri, ndërkohë që kryebashkiakë përcaktohen konsumatorë të kokainës dhe bashkëpunues të drogës", shkruan Hajdari.

Ora 18:28
'Rama ta shkarkojë menjëherë', PD për kryebashkiakun Lefter Alla: Pasqyra ku mund të shohim kryeministrin e kokainës

1526398023_PD1.jpg

Partia Demokratike ka reaguar për videon e publikuar të një personi duke pirë kokainë ku më herët ish-deputeti i saj Ervin Salianji u shpreh se është kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla. PD thotë se kjo video është modeli që Edi Rama ofron në qeverisje, ndërsa shprehet se Lefter Alla është pasqyra ku të gjithë mund të shohin kreun e qeverisë.

Deklarata e plote

Kandidimi në 30 Qershor nga Edi Rama i individëve me të shkuar kriminale apo personave të lidhur me krimin e organizuar ka qenë strategji e Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin.

Video shokuese e kryebashkiakut ilegjitim të emëruar nga Edi Rama në Bulqizë, është modeli që ofron ai në qeverisje. Lefter Alla është pasqyra ku të gjithë mund të shohin Edi Ramën e kokainës.  

Ai ka jo vetëm përgjegjësinë politike për përzgjedhjen e këtyre individëve, por edhe përgjegjësinë ligjore për shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të Lefter Allës.

Edi Rama i Bulqizës duhet të ndiqet penalisht për moskallëzim krimi ndaj atyre që i kanë siguruar kokainën. 

Përdorimi i kokainës në ambiente publike nga Edi Rama i Bulqizës provon, për fat të keq,  degradimin e Partisë Socialiste nga një parti politike në një bandë trafikantësh dhe përdoruesish droge. Është kjo arsyeja pse të rinjtë e mirëshkolluar dhe shqiptarët e ndershëm kanë humbur besimin dhe kërkojnë të largohen nga Shqipëria.

Ndarja e politikës nga krimi është emergjencë kombëtare!

Largimi i trafikantëve dhe përdoruesve të drogës nga politika është hapi kyç për t’i hapur rrugë një qeverisje normale në Shqipëri dhe për të kthyer besimin tek të rinjtë se meritokracia dhe jo lidhja me krimin janë mundësia për të bërë karrierë.

Kjo ndodh vetëm me largimin e Edi Ramës, njeriut të kokainës që promovoi bashkëqeverisjen me krimin dhe qëndron në pushtet me mbështetjen e krimit.