Ka nisur në Nju Jork procesi gjyqësor civil ndaj ish-Presidenti Donald Trump. Vetë Trump është pjesëmarrës në gjyq me kërkesë të tij.
‘Do të shkoj në gjykatë nesër në mëngjes për të mbrojtur emrin dhe reputacionin tim”, shkruante Trump të dielën në mbrëmje në platformën e tij sociale “Truth Social”.
Dhe ky zhvillim shihet si një gjë e rrallë, në një kohë kur kontrolli i disa prej pronave më të rëndësishme të tij ndodhet në rrezik.
Trump sulmoi më herët Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James, si dhe gjykatësin Arthur Engoron që e shpalli fajtor për mashtrim lidhur me praktikat e tij të biznesit.
“E gjithë kjo çështje është një mashtrim. Shihemi në gjykatë, të hënën në mëngjes", shkruante Trump.
Ai është përballur në gjykatë me prokuroren duke thënë: "Kemi një prokurore të përgjithshme raciste, që është një horror i vërtetë, që është e fiksuar të më godasë pa ditur asgjë për mua. Ajo e përdori këtë fushatë për të kandiduar për guvernatore dhe dështoi. Pasi dështoi, ajo tha: tani do t’i rikthehem dosjes së Trump. Kjo është e gjitha, është një mashtrim, një shtirje"
Zyra e prokurores James e ka akuzuar Trump dhe kompaninë e tij se mashtrojnë me pasqyrat financiare të pronave të tij. Ajo ka kërkuar që Trump të paguajë një gjobë prej 250 milionë $ dhe ai të mos lejohet të bëjë biznes në Nju Jork.
Ish-Presidenti ka hedhur poshtë pohimet se ka bërë shkelje, duke thënë se askush nuk është dëmtuar nga pasqyrat financiare. Partnerët e biznesit kanë fituar para dhe kompania e tij ka lulëzuar gjithashtu. Gjyqi në Nju Jork mbi praktikat e biznesit të Trump mund të zgjasë deri në dhjetor sipas gjykatësit Engoron.
Duke folur me gazetarët pak para se të hynte në sallën e gjyqit, Trump kritikoi gjyqtarin dhe prokurorin e përgjithshëm të Nju Jorkut që ngriti çështjen, për të cilën ai tha se është i motivuar politikisht.
Ai ka thënë gjithashtu se gjithçka është një mashtrim dhe apeloi që amerikanët të mos besojnë asgjë që lexojnë.
“Kur t’i hidhni një sy pasqyrës time financiare, mos besoni asgjë që lexoni. Gjithçka është një mashtrim”, tha Trump.
Trump dyshohet se kreu mashtrim duke rritur vazhdimisht pasurinë e tij me qindra miliona dollarë në mënyrë të jashtëligjshme. Prokurori i përgjithshëm i NY po kërkon një gjobë prej 250 milionë dollarësh (204 milionë £) dhe një ndalim për të bërë biznes në shtetin e tij të origjinës.