Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për mësuesin 35-vjeçar të fiskulturës në Selenicë, i cili u ndalua dy ditë më parë pas denoncimit të 7 nxënëseve për ngacmim seksual në ambientet e shkollës.
35-vjeçari me inicialet A.A., mësues në shkollën “Hajredin Beqari”, u ndalua më 6 nëntor, pasi 7 vajza të moshave 14–17 vjeçe denoncuan se ishin ngacmuar seksualisht prej tij në ambientet e shkollës.
Sipas të dhënave të bëra publike, mësuesi dyshohet se i ngacmonte vajzat me fjalë dhe gjeste. Një nxënës i shkollës tregoi për Report Tv se e kishte dëgjuar mësuesin t'u drejtohej vajzave me fjalët “Hajde te lali zemra”.
Denoncimi u bë fillimisht nga 7 nxënëse në Zyrën Arsimore Selenicë, e cila më pas njoftoi policinë. Por pas marrjes në pyetje, dy prej vajzave u tërhoqën nga denoncimi.
Ndërkohë, kolegët e 35-vjeçarit thanë se ishin habitur nga ngjarja, pasi sipas tyre, mësuesi kishte pasur sjellje korrekte dhe nuk kishin marrë më parë ankesa për të.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento