Kohët e fundit janë lëshuar një lumë akuzash ndaj ministrit të Brendshëm, veç të tjerave, edhe për sasinë e madhe të vendosur nga policët e Rrugores për shkeljet e rregullave, që mazhoranca e mëparshme kishte vendosur në Kodin e ri Rrugor. Faji ishte se këto norma të reja filluan të kërkohen për të gjithë, duke përfshirë edhe deputetët apo gratë e ministrave. Një nga të shqetësuarit për këtë mori gjobash ka qenë edhe vetë ish-kryeministri Sali Berisha, në “konsultimin” e tij të vazhdueshëm në Facebook me qytetarët shqiptarë, ku qan hallin se Saimir Tahiri po shkatërron shqiptarët, duke u rrënuar ekonomitë e familjeve me këto gjoba. Që i ka ideuar ai vetë kur ishte në pushtet.

Tani del se këto gjoba kryesisht janë parë të vihen në Tiranë dhe shumë pak në qytete të tjera të mëdha, por kurrsesi në rrethe të vogla, si Kukësi apo Saranda. Ndërkohë, menjëherë sa ndodhi incidenti tragjik i Topojanit, si Berisha, ashtu edhe Lulzim Basha nuk përtuan të anatemonin qeverinë, që nuk ka marrë masat e duhura, kur ndër këto masa kanë qenë edhe gjobat e kritikuara rëndë prej tyre.

Nëse duhet të kritikohet administrata aktuale për ato që po ngjasin, kjo do të bëhej për tolerimin ndaj shkelësve të ligjit nga ana e efektivëve të Policisë Rrugore apo për kontrollin totalisht të munguar në akse dytësore e tretësore të Republikës, ku kushdo adoleshent i merr furgonin babait dhe merr pastaj në qafë familje të tëra, gra me barrë apo studente që e kishin gjithë jetën para.

Shoqëria shqiptare veçse vajton viktimat e rradhës, por të gjithë rrudhin buzët kur u venë gjoba 250 mijë lekëshe, që në fakt nuk janë për të mbushur arkën e shtetit, si thotë Berisha në FB-në e tij, por parandalojnë masakra të tjera, të cilat ishin bërë deri pak kohë më parë të përditshme.

Para se të derdhen lotë krokodili, mirë është që të gjithë të përveshin mëngët e të bashkëpunojnë për të shpëtuar jetët e njerëzve nga rrugë të pambaruara, guardrajle të vjedhura, makina të prishura, patenta gjysmake të marra pa provime, etj. Ky do të ishte kontrubuti më i mirë në favor të qytetarëve të këtij vendi, të cilëve u bëjnë thirrje që të ngrihen në protesta çdo ditë, për të risjellë në pushtet ata që janë fajtorët për rrugët e pambaruara, guardrajlet e vjedhura, makinat e prishura që qarkullojnë ngado, patentat gjysmake...   
 

 Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)