GREQI - Janë vërtetuar dyshimet fillestare të policisë greke, të cilat bënin fjalë për implikimin e të arratisurve shqiptarë nga burgu i Trikallës javën e kaluar, në ngjarjen e mbrëmjes së të premtes, ku gjatë përleshjes së tyre me policinë humbi jetën aksidentalisht një 26-vjeçare greke.

Ngjarja ka ndodhur të premten në mbrëmje kur një grup keqbërësish prej tre vetësh, kanë grabitur një tavernë dhe pasi janë larguar me xhipin e pronarit të tavernës, janë pikasur nga policia ku edhe janë përleshur me armë zjarri .

Nga breshëritë e kallashnikovëve, ka ngelur e vrarë një 26-vjeçare greke, e cila aksidentalish kalonte në atë çast në vendin ku po zhvillohej “lufta” mes të arratisurve nga burgu dhe policisë.

Sipas policisë është çështje kohe që të kapen kriminelët, pasi sot është gjetur xhipi me të cilin ata janë arratisur në një zonë midis Korinthit dhe Argolidhës, në fshatin Solomo.

Po ashtu policia bën të ditur se nga hetimet e kryera në tavernën ku ndodhi grabitja, është zbuluar një gjurmë, e cila i përket njërit prej të arratisurve javën e kaluar nga burgu i Trikallës dhe pikërisht, 34-vjeçarit shqiptar, Marian Kola.

Marian Kola ishte i burgosur në burgun e Trikallës dhe mbi të rëndonin akuza tepër të rënda. Pseudonimi i tij ishte “Kasapi i Vironas”, pasi akuzohet për vrasjen e një punëtori 25-vjeçar shqiptar, gjatë një përleshjeje të armatosur me policinë përpara disa vitesh.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë armëmbajtje pa leje, rezistencë e armatosur ndaj forcave të rendit, vjedhje e grabitje të vazhdueshme, krijimin e bandave kriminale, etj.

Mendohet se trazirat e ndodhura një javë më parë në burgun e Trikallës, të jenë organizuar nga shkoët e Marian Kolës, me qëllim arratisjen e Marian Kolën.

Nga 11 persona të arratisur javën e kaluar, 8 ngelen ende të lirë.

*Në foto Marian Kola, i arrestuar në shkurt 2010, kur u përlesh me policinë në Virona


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)