Pas arratisjes së dy të dënuarve nga burgu i Drenovës, Ministri teknik i Drejtësisë Gazment Bardhi ka shkarkuar sot nga detyra drejtorin Robert Kodra.
 
Robert Kodra u shkarkua, pasi akuzohet për keqmenaxhim të institucionit dhe shkelje të rregullave mbi aplikimin e lejeve shpërblyese ndaj të dënuarve, me pasoja të rënda, pasi ka dhënë leje shpërblyese në kundërshtim me ligjin për të burgosurit.
 
Pak ditë më parë nga burgu i Drenovës dy të dënuar pasi morën lejet shpërblyese nuk u rikthyen në qeli duke u arratisur.
 
MD: Nuk njoftoi ministrin për lejet
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, “Nga hetimi administrativ i realizuar nga strukturat përgjegjëse ka rezultuar se jemi përpara rastit të shkeljes së ligjit dhe Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, që ka sjell pasoja të rënda për funksionimin normal të institucionit, si dhe mungesës së informimit të Ministrit të Drejtësisë për praktikat e lejeve shpërblyese, brenda 5 ditëve nga dhënia e tyre, sic parashikohet në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi” thuhet në njoftimin e MD.
 
Ministri Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo zyrtar publik nën varësinë e tij që shkel ligjin.

Si u arratisën dy të dënuarit
Dy të burgosur pasi morën lejet shpërblyese nuk u rikthyen në qeli duke u arratisur nga burgu i Drenovës.
 
Në datë 26 Korrik Dritan Lipo i dënuar për plagosje të rëndë me dashje në përfundim të lejes nuk u rikthye në qeli.
 
Rasti i Lipos është i dyti në harkun kohor të 1 jave në ditët e fundit të muajit Korrik, pasi më parë Denis Radici një tjetër i burgosur për grabitje me armë e dhunë nuk u rikthye në qeli pas përfundimit të lejes.


dy.b/shqiptarja.com