Ilir Shtufi, i arrestuar tre ditë më parë në Selanik në kuadër të operacionit të SPAK kundër një grupi të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, ka kundërshtuar ekstradimin e tij në Shqipëri.
Sipas mediave greke, 53-vjeçari u paraqit para Prokurorisë së Apelit në Selanik, ku deklaroi se nuk pranon të ekstradohet dhe mohoi çdo përfshirje në akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Shtufi u arrestua si anëtar i një prej dy grupeve kriminale që u çmontuan nga Prokuroria e Posaçme, i atij të Luçiano Koçekut. Ai akuzohet nga SPAK se pastronte paratë e grupit kriminal që përfitoheshin nga trafiku i drogës.
Më 13 qershor, autoritetet greke deklaruan se Shtufi rezulton të kishte udhëtuar drejt Greqisë të njëjtën ditë që agjentët e BKH-së po ekzekutonin urdhër arrestet. Sipas policisë greke, biznesmeni ishte futur në territorin e Greqisë përmes një pike kalimi kufitar, orët e para të 12 qershorit ndërsa SPAK kishte nisur me kërkimet për të arrestuar personat për të cilët ishte lëshuar urdhërarrest, si edhe për të sekuestruar pasuritë e anëtareve të dy grupeve kriminale.
Shtufi, njihet edhe si lidhje e afërt e Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai është ndërtues i disa kullave në Tiranë, mes tyre gradaçelës që do të quhet “Mali i Tiranës”, e cila pritet të jetë 65 kate, 58 kate lart e 7 kate nën tokë e 185 m e lartë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











Kush do e kete informuar mafiozin Shtufi? Me siguri ndonje funksionar policie i lidhur me mafiozet e shumte qe po ndertojne kullat e shemtuara prej betoni.
Përgjigju