Gjykata Penale e Tiranës ka liruar biznesmenin e ndërtimit, Rrapush Hoxholli, dhe bashkëshorten e tij, Vjollca Hoxholli, të cilët u arrestuan tre ditë më parë për mashtrim.

Shkak për këtë vendim të gjykatës është bërë mosha e madhe e biznesmenit Hoxholli, i cili është 75 vjeç. Për këtë arsye, referuar Kodit Penal, ndërtuesi do të hetohet në gjendje të lirë, së bashku me bashkëshorten e tij 56-vjeçare.

Çifti i bashkëshortëve mashtronin qytetarët shkodranë, duke iu shitur të njëjtin apartament disa njerëzve njëherësh, ndaj dhe u arrestuan për llogari të policisë së Shkodrës. Por kjo nuk është hera e parë që Rrapush Hoxholli arrestohet. Ai është vendosur në pranga për herë të fundit në vitin 2015, po për të njëjtat akuzat nga policia e Durrësit.