8 anëtarë të një familjeje janë shpëtuar nga policia pasi ishin bllokuar në rrjedhën e Drinit të Zi. Njëri prej tyre lajmëroi autoritetet për ndihmë pasi bashkë me familjen kishte ngecur te “Ura e Gjoricës” për shkak të rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit.
Policia bën me dije se bashkë me ekipin e Emergjencave Civile dhe atë zjarrfikës, i nxorrën nga uji me gomone.
Njoftimi i policisë
Policia iu vjen në ndihmë 8 qytetarëve që kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, menjëherë pas marrjes së njoftimit nga një shtetas, i cili kërkoi ndihmë pasi ai dhe 7 familjarë të tij kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, në vendin e quajtur "Ura e Gjoricës", si pasojë e rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit, organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje.
Në bashkëpunim me shërbimet e Emergjencave Civile të Prefekturës Dibër dhe ekipin e shërbimit zjarrfikës, u organizua operacioni i shpëtimit, gjatë të cilit 8 qytetarët u nxorën nga rrjedha e ujit me gomone.
Të tetë qytetarët janë jashtë rrezikut për jetën dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Dibrës mbetet maksimalisht e angazhuar në shërbim të qytetarëve dhe apelon për tregimin e kujdesit maksimal gjatë qëndrimit pranë lumenjve dhe zonave ujore, si dhe për njoftimin në kohë të Policisë, në çdo rast nevoje, në numrin pa pagesë 112.











Komente
Komento