Efektivi i policisë së Shtetit, Fadil Allaraj i cili u dëmtua në sy gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë për vrasjen e Klodjan Rashës është nisur në Turqi mbrëmjen e djeshme për tiu nënshtruar një ndërhyrjeje tjetër.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama i cili ka postuar në Facebook disa foto të tij në aeroport.

Efektivi i policisë ishte i shoqëruar gjithashtu dhe nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu të cilët e kanë përcjellë deri në aeroport.

Fadil Allaraj u dëmtua gjatë ditës së parë të protestës në Tiranë ku një cop xham i hyri në sy duke i rrezikuar kështu dhe shikimin.

Menjëherë ai iu nënshtrua ndërhyrjes së parë kirurgjikale në shërbimin e Okulistikës, por dëmtimi ishte i rëndë dhe i duhej dhe një ndërhyrje tjetër e dytë.

Në një vizitë që Kryeministri Rama zhvilloi në QSUT, për të parë nga afër gjendjen e policit Allaraj, ky i fundit gjatë bisedës ka thënë se "Më e keqja kaloi. Kisha frikë se nuk do të shihja më fare. Në Turqi më kanë dhënë një shpresë”.