Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me denoncimin e bërë nga Bashkia e Tiranës ku pretendohej se ai kishte dhunuar një prej punonjësve që kishte dezhurnin në godinën nr. 4 në Qytetin Studenti duke hyrë me forcë për të xhiruar një klip.
Kreu i PD shkruan se ngjarja e mbrëmshme janë një pasqyrë e qartë e realitetit me të cilën përballet Shqipëria. Basha shpjegon se ishte i ftuar nga disa studentë ndërsa kur mbërriti në godinë sipas tij u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila u kishte kërkuar të largoheshin.
Sipas Bashës kjo është rruga e kërcënimit dhe e frikësimit dhe përplasja me vajzën thotë ai 'erdhi nga lart'.
Reagim i kryetarit të PD, Lulzim Basha:
Ngjarjet e mbrëmshme janë një pasqyrë e qartë e realitetit me të cilën përballet Shqipëria. Mbrëmë isha ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Studentët tanë janë e ardhmja e këtij vendi, shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona. Kjo është rruga që kemi zgjedhur ne. Rruga e të dëgjuarit, rruga e përfaqësimit të vërtetë të të gjithë shqiptarëve. Kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila na kërkoi të largoheshim. Kjo porosi erdhi nga lart.
Kjo në fakt është rruga tjetër. Rruga e frikësimit dhe kërcënimit të njerëzve për t'ju mbyllur gojën dhe për ti mbajtur të nënshtruar e nën kontroll. Për mua politikanët duhet të jenë shërbëtor të popullit, jo e kundërta. Prandaj nuk do të lejoj askënd që të më pengojë të dëgjoj problemet e bashkëqyetarëve të mi dhe të përpiqem t'i ndihmoj ata. Kjo është arsyeja pse u bëra pjesë e jetës publike.Ju bëj thirrje atyre që kanë zgjedhur rrugën e kërcënimeve dhe intimidimeve që ti vënë gishtin kokës. Askush dhe asgjë nuk do ti ndalë njerëzit që të dëgjohen dhe ta thonë fjalën e tyre.