Moisi Habilaj është arrestuar mbrëmjen e sotme në Borsh gjatë një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Mësohet se Habilaj, i cili ishte shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike, është lokalizuar në një beach bar në pronësi të familjarëve të tij, ku qëndronte prej kohësh.

Sipas të njëjtave burime, arrestimi është kryer nga forcat e Operacionales së Tiranës, të cilat pas informacioneve të siguruara dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit kanë bërë të mundur identifikimin e vendndodhjes së tij dhe rrethimin e zonës.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në momentin e arrestimit, Habilaj ishte 'i maskuar' me kapele dhe mjekër, në përpjekje për të shmangur identifikimin nga autoritetet. Policia pritet të japë detaje zyrtare mbi operacionin dhe rrethanat e arrestimit në orët në vijim.

Moisi Habilaj është shpallur fajtor për trafikim droge në 4 episode gjatë viteve 2013-2017 në Shqipëri dhe Itali. Habilaj u dënua me 15 vite burgim nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i ulet në 10 vite.

Ndërkohë në vitin 2021, Gjykata e Apelit e Katanias në Itali e dënoi përfundimisht Moisi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg.

Së bashku me Habilajn u dënuan edhe Meridian Sula, Nezar Seiti, Antonino Riela, Vinccenso Spanpinato, Angjelo Buzaka, Xhanluka Pasavanti dhe Xhuzepe Greko.

Por vendimi që e dënoi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg erdhi pasi më herët Gjykata kishte ndryshuar masën e sigurisë duke e nxjerrë nga qelia në "arrest shtëpie" Habilajn.

Më pas kur u vendos dënimi i tij, Habilaj nuk u gjet në banesën e tij në adresën që kishte dhënë në Raguza të Italisë, e cila ishte në pronësi të vëllait. Ai ishte arratisur.

I lidhur me grupin e trafikut të drogës të drejtuar nga Moisi Habilaj, rezultoi të ishte edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kujtojmë se për të kërkuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, Prokuroria ka përdorur një pjesë të mirë të përgjimeve të kryera nga Guardia di Finanza italiane për të arrestuar Moisi Habilajn, kushëri të ministrit dhe vëlla i Artan Habilajt, edhe ai i akuzuar për trafik droge.

Tahiri u dënua më 4 shkurt 2022 me 5 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 3 vite e 4 muaj burg. Ish-ministri qëndroi përafërsisht rreth 16 muaj burg qeli.

Tahiri sipas prokurorisë, rezultonte se kishte favorizuar grupin kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, i cili kishte funksionuar në shtetin italian. SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin, por GJKKO vendosi ta rikualifikojë veprën penale dhe e dënoi atë vetëm për shpërdorim detyre me 5 vite burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 3.4 vite burg.

Lajm në përditësim...