Rreth 17 muaj në qeli ka zgjatur dënimi me 2 vite e 20 ditë burgim i ish kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro për tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë toke në Gjilekë të Himarës. Pas përllogaritjeve edhe të periudhës së paraburgimit, Prokuroria e Posaçme ka urdhërimin lirimin e tij më 12 gusht.
Më 22 korrik Apeli i GJKKO konfirmoi dënimin me 3 vite e 1 muajt burgim për “shpërdorim detyre” në dy raste dhe mosdeklarim pasurie, dënim i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar iu konvertua në 2 vite e 20 ditë burg.
Duke qenë se Goro ndodhej në qeli që prej 23 marsit 2024, prej paraburgimit deri në 22 korrik kur vendimi mori fuqinë e formës së prerë, ish kreu i Bashkisë së Himarës kishte vuajtur 1 vit e 11 muaj e 29 ditë. 22 ditët e mbetura i shleu deri më 12 gusht.
Goro u dënua pasi përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, në kërkim. Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin. Në total përllogaritet rreth 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, për të cilën GJKKO vendosi konfiskimin për llogari të shtetit. Gjithashtu gjykata konfiskoi edhe apartamentin rreth 81 m katrorë që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula si pronë e fshehur e ish-kryebashkiakut.
Jorgo Goro ka edhe një tjetër dosje penale në ngarkim, për tjetërsimin e një toke në Livadhë të Himarës, për të cilën u dënua me 2 vite burg nga GJKKO në shkallën e parë më 30 korrik 2025, por nuk ka marrë ende formën e prerë. Për këtë dënim çështja ndodhet në apel dhe ndaj Goros nuk ekziston masë sigurie. Për këtë arsye ish kryebashkiku do të shijojë lirinë deri në një vendimmarrje të Apelit.






Komente
Komento