TIRANE - Besnik Imeraj, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetueses, nuk do t'i nënshtrohet procesit të Vettingut. Ai dha dorëheqjen dy javë më parë si dhe i kërkoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të ndërpriste procesin e rivlerësimit ndaj tij. Me vendimin e sotëm, KPK ka njoftuar ndërprerjen e procedurave të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Besnik Imeraj, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

"Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se trupa gjykuese, e përbërë nga Brunilda Bekteshi (kryesuese), Etleda Çiftja (anëtare) dhe Genta Tafa (Bungo) (relatore), pasi mori dijeni për vendimin nr. 2, datë 31.01.2018 të Gjykatës Kushtetuese, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 14, datë 06.02.2018, në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ka vendosur ndërprerjen e procedurave të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Besnik Imeraj. 

Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni në respektim të afatit të përcaktuar në nenin 55/7 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. 

Report Tv ka qenë i pari që ka raportuar se kush tërhiqet nga sistemi i drejtësisë i shpëton procesit të rivlerësimit të figurës. Dorëheqja e Imerajt e ka çuar në 6 numrin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke rrezikuar në këtë mënyrë kuorumin që i duhet kësaj gjykate për një vendimarrje. Por burime për Report Tv nga Gjykata Kushtetuese bëjnë me dije se dorëheqia e Imerajt s'do të jetë e vetmja, pasi të tjerë gjykatës pritet të dorëzojë dorëheqjen brenda pak ditësh.

Dorëheqja e Besnik Imerajt u shoqërua nga një tjetër dorëheqje, ajo e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla të cilën Report Tv e raportoi ekskluzivisht dy ditë më parë. Llalla u tërhoq nga e drejta për të qenë gjyqtar i Gjykatës së Apelit dhe për rrjedhojë i kërkoi KPK ndërprerjen e Vettingut. Kjo lëvizje e Llallës u interpretua si përpjekje për t'i shpëtuar procesit të rivlerësimit e thënë ndryshe, Vettingut.

Sot kur kemi një precedent sa i takon dorëheqjeve nga sistemi, për t'i shpëtuar Vettingut, pritet që KPK të shprehet edhe për kërkesën e Adriatik Llallës nëse atij do t'i ndërpritet Vettingu, apo do të çohet deri në fund, edhe pse nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej muajit dhjetor 2017, kur i skadoi mandati si Kryeprokuror. Tërheqja e Llallës u komentua këtë të hënë edhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu i cili u shpreh se të larguarit do i shpëtojnë Vettingut, por jo hetimeve dhe ndjekjeve penale. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com