SHKODER - 70 vjeçari i cili u gjet i vdekur paraditen e djeshme (19 tetor 2023) në një kanal në fshatin Boks të Shkodrës, është vrarë. Policia e qytetit arriti në këtë konkluzion pasi pa shenjat në kokë të Musa Bajraktarit ndërsa arrestoi si autor të dyshuar fqinjin e tij, Xhemal Zeqiri.

"Nga provat e siguruara dyshohet se 60-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (sakicë), në kokë, shtetasin Musa Bajraktari, i cili për shkak të goditjes, ka rënë në kanalin e fshatit Boks, ku u gjet i pajetë më pas" informoi sot policia e Shkodrës.

Fillimisht u dyshua se 70 vjeçari banues në fshatin Kullaj, Shkodër e kishte humbur jetën, prej shkaqeve natyrale por më specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër zbardhën të vërtetën duke arrestuar dhe fqinjin e tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Fqinjët e përshkruajnë viktimën si njeri të urtë, ndërsa nuk kishin dijeni për konfliktet.

Nuk i është dëgjuar zëri ndonjëherë. As alkool nuk ka pirë. Kujdesej për familjen e tij” thanë fqinjët.

Autori i dyshuar u prangos në banesën e tij ku u gjet dhe sakica (sëpatë e vogël) me të cilin dyshohet se kreu vrasjen. Trupi i pajetë u gjet mesditen e së enjtes (19 tetor) rreth orës 14:25 minuta në kanal, jo shumë larg shtëpisë së tij pasi kalimtarët kishin njoftuar policinë. 

Hetimi i plotë dhe marrja e dëshmive do zbardhë të plotë rrethanat dhe motivet, ndërsa Musa Bajraktari u përcoll sot (20 tetor) në banesën e fundit në fshatin Kullaj të Shkodrës.