Jani Alia, i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços dhe i ekzekutuar ditën e djeshme në burgun e sigurisë së lartë të Koridhalos në Greqi, prej kohësh ka qenë shënjestër e rivalëve.
Mediat greke raportojnë, se Jani Alia i kishte shpëtuar 6 muaj më parë një atentati po në të njëjtin burg. Alia kishte fituar gjithashtu dhe ‘status mbrojtje’, ndërsa në qeli qëndronte i izoluar me një ish-oficer policie i dënuar për trafik droge. Por as ‘statusi i mbrojtjes’ nuk i ndali kundërshtarët e 49-vjeçarit të ekzekutonin urdhrin e vdekjes së prerë për të.
Jani Alia u godit 2 herë në qafë me një thikë të improvizuar nga një i burgosur grek 28 vjeç. Ky i fundit ishte dënuar për vrasjen e shqiptarit Artur Bashkimi në Athinë gushtin e kaluar.
Jani Alia 48-vjeçari nga Tepelena i njohur me pseudonimin “Xheku i tmerrshëm”, u arrestua në 31 dhjetor të vitit 2024 në Athinë. Aty, me një identitet tjetër, i fshihej drejtësisë shqiptare prej 9 vitesh. Në 2016-ën, në një lokal në zonën e ish-bllokut, ai vrau me një pistoletë mulli, Elton Çiçon, po nga Tepelena.
Vrasja në Tiranë ishte pasojë e një luftë mes të dyve që kishte nisur herët në vendlindjen e tyre. Në mesin e vitit 2000 Jani Alia goditi për vdekje me thikë një 20-vjeçar nga Tepelena, shoku i fëmijërisë së Elton Çiços. Nga ajo kohë, Çiço u betua për hakmarrje. Kjo ndjenjë për të marrë hak i bashkoi edhe në burg në Greqi. Të dy përfunduan në burgun e Koridhalos për vepra të ndryshme penale. Aty patën përplasjen e parë fizike.
Të dy u liruan dhe konflikti mes tyre përshkallëzoi në atentate të njëpasnjëshme. Çiço tentoi ta vriste Alinë në janar të vitit 2016 në Tiranë dhe më pas në Gjirokastër, duke e plagosur lehtë, por pa arritur qëllimin. Pak muaj më vonë, në maj të 2016-ës, Alia veproi gjakftohtë duke e vrarë armikun e tij teksa ndodhej në një lokal në ish-bllok nën shoqërinë e një mjeku dhe gazetari.
Nuk dihet ende përse ekstradimi i Jani Alisë në Shqipëri, i arrestuar në ditën e fundit të 2024-ës deri në janar 2026 nuk është kryer, por me gjasë lidhet me faktin se edhe në Greqi Jani Alia, kishte probleme me drejtësinë.
Komente









