Kontrolle të befasishme në burgun e Fierit kanë zbuluar alkool, telefona celularë dhe lëndë të dyshuara narkotike brenda ambienteve të institucionit penitenciar. Operacioni u zhvillua këtë të premte nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Gjatë kontrolleve në një nga dhomat e paraburgimit u gjet një sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike, ndërsa në ambiente të ndryshme të përbashkëta u sekuestruan edhe disa telefona celularë.

Po ashtu, gjatë kontrollit fizik të një të paraburgosuri, autoritetet zbuluan një sasi të lëndës së dyshuar narkotike të fshehur në rrobat personale.

Pas ndërhyrjes, u arrestua në flagrancë shtetasi me iniciale I.B., i cili dyshohet për futje dhe mbajtje të sendeve të ndaluara në burg. Ai ndodhej në paraburgim për armëmbajtje pa leje.

Në pranga përfundoi edhe i dënuari A.M., i cili dyshohet për prodhim dhe shitje narkotikësh, si edhe për futje të sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit. Ai po vuan një dënim prej 12 vitesh burg për vrasje me dashje.

Ndërkohë, Prokuroria ka nisur procedim penal për “shpërdorim detyre” ndaj gjashtë punonjësve të burgut të Fierit, mes tyre shefi i policisë, shefi i regjimit të brendshëm dhe disa kontrollorë të sigurisë. Hetimet vijojnë për të zbuluar mënyrën se si sendet e ndaluara janë futur brenda institucionit.

Njoftimi i plotë:

Në vijim të informacioneve të siguruara dhe  kontrolleve të përbashkëta midis Agjencisë së Mbikqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB), për goditjen e paligjshmërisë në Sistemin Penitenciar, sot më datë 23.05.2026 u kryen kontrolle në IEVP Fier.

Në përfundim të veprimeve opeacionale, u konstatua nje sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike ne një prej  dhomave te kësaj IEVP-je, si edhe disa telefona celularë në mjedise të ndryshme të përbashkëta.

Gjithashtu, nga kontrolli personal i një shtetasi të paraburgosur në këtë IEVP u konstatua një sasi me lëndë të dyshuar narkotike, të fshehur ne veshjet personale.

Në përfundim të veprimeve proceduriale në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, OPGJ të AMSEVP kreu:

● Arrestimin në flagrancë të shtetasit I.B pasi dyshohet se ky shtetas ka konsumuar elementët e figurës së veprës penal "Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal. Aktualisht, ky shtetas ndodhet i paraburgosur në këtë IEVP për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake “ parashikuar nga neni 278/4 dhe 189 i Kodit Penal.   

● Arrestimi në flagrancë i shtetasit A.M. pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprave penale të "Prodhim dhe shitje narkotikësh" dhe "Futja dhe mbajta e sendeve të ndaluara në IEVP," parashikuar nga neni 283 dhe 324/a i K. Penal. Aktualisht ky shtetas është i dënuar me 12 vjet burgim për veprën penale të " Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

● Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës" parashikuar neni 248 i Kodit Penal, për punonjësit e IEVP Fier:

1- A. H Shefi i policisë në IEVP Fier,

2- N.H Shefi i regjimit te brendshëm ,

3-A M specialist policie,

4-A.M kontrollor

5-O.K kontrollor

6-R.S. kontrollor.

lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.