Ekspertiza e kryer në morg konfirmon zyrtarisht se trupi i pajetë i gjetur pak ditë më parë nga policia në një humnerë, mes Tiranës dhe Elbasanit, i përket Eglant Koçit, i cili ishte zhdukur që prej 4 qershorit.

Identifikimi përfundimtar është bërë përmes analizës së ADN-së, duke u bazuar në krahasimin me profilin gjenetik të nënës së tij. Edhe pse më herët ajo i tha grupit hetimor se trupi në gjendje të avancuar dekompozimi i përkiste djalit të saj, pasi e kishte njohur nga një shenjë dalluese në trup dhe rrobave që mbante veshur, ekspertiza e ka konfirmuar identitetin në mënyrë shkencore. Trupi i pajetë 34-vjeçarit pritet të tërhiqet nga morgu nga familjarët për t'i dhënë lamtumirën e fundit.

Sipas hetimeve paraprake, Eglant Koçi dyshohet se është vrarë me një plumb në kokë nga shoku i tij i ngushtë, Armand Shakaj, i cili vijon të jetë në kërkim nga autoritetet.

Pasi familjarët denoncuan në polici humbjen e tij në fillim të qershorit, nga kamerat e sigurisë blutë mbërritën deri te lokali i Shakajt, ku 34-vjeçari hyri aty dhe nuk u pa të dilte më. Për të fshehur ngjarjen, miku i tij krijoi një skenar filmash për të zhdukur kufomën.

Fillimisht, pas mesnatës së 5 qershorit, dërgoi motorin e Koçit në zonën e “5 Majit” për të shpërqendruar policinë. Me trupin e Koçit në qese të zeza më 6 maj e futi në makinë, të cilën me një karrotrec e kaloi përtej Ibës, sërish për të shmangur kontrollin e policisë. Nga aty, mundi të depërtojë në zonën e thellë dhe ta hedh në humnerë. Pasi u kthye urdhëroi kamerierin e lokalit të tij të lante makinën, por tashmë policia po mblidhte provat dhe e arrestoi në flagrancë. Dëshmia e Enea Zyferit i dha ndihmë policisë për hetimet, edhe pse vetë pretendoi se nuk ishte përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Gjurmimi i Armand Shakajt ka qenë i vështirë deri tani, pasi për të humbur gjurmët ka ndërruar disa numra celulari. Policia ka 2 pista për ngjarjen, për kriptomonedhat dhe paratë me fajde, të cilat janë akoma të paplota.