Prej 12 ditësh ndodhej në terapi intensive pasi ishte gjetur i plagosur rëndë me armë zjarri në zyrën e tij në Alanya. Por biznesmeni turk Aydın Çavuşoğlu, vëllai i ish-ministrit të Jashtëm të Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa autoritetet turke vijojnë hetimet për ngjarjen misterioze që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në vend.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 5 majit në zonën Türkler të Alanya, ku Aydın Çavuşoğlu u gjet në gjendje të rëndë brenda zyrës së tij në një pikë karburanti që administronte vetë. Pas alarmit, ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë dhe e transportuan në një spital privat në qytet.
Biznesmeni qëndroi për gati dy javë nën kujdes intensiv, por ndërroi jetë këtë të diel si pasojë e plagëve të marra.
Sipas mediave turke, hetimet paraprake tregojnë se Çavuşoğlu ishte plagosur me një armë zjarri me leje. Pas incidentit, Prokuroria e Alanyas caktoi dy prokurorë për të hetuar çështjen dhe për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Autoritetet turke deklaruan se, bazuar në provat e deritanishme, nuk rezulton përfshirja e një personi të tretë në incident, megjithatë hetimet vijojnë ende.
Aydın Çavuşoğlu ishte një figurë e njohur në botën e biznesit në Alanya, veçanërisht në sektorin e karburanteve dhe investimeve tregtare. Ai drejtonte aktivitete biznesi në rajon dhe konsiderohej një emër me ndikim në jetën ekonomike lokale.
Përveç lidhjes me ish-kryediplomatin turk Mevlüt Çavuşoğlu, ai ishte edhe vëllai i Hasan Çavuşoğlu, presidentit të klubit turk Corendon Alanyaspor.
Pas lajmit për vdekjen e tij, klubi Alanyaspor publikoi një mesazh ngushëllimi për familjen Çavuşoğlu dhe shprehu dhimbjen për humbjen e biznesmenit.
Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia mortore e Aydın Çavuşoğlu do të mbahet më 18 maj në varrezat qendrore të Türkler në Alanya.
Komente










